1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cum ex: Hetuesit kontrollojnë E-maile të kancelarit Scholz

9 Gusht 2022

Në lidhje me skandalin gjigant financiar, "Cum-ex" hetuesit kanë marrë në shqyrtim edhe E-maile tëe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, nga koha kur ai ishte kryebashkiak i Hamburgut.

Bundestag Regierungsbefragung
Fotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

Sipas raportimeve në media, hetuesit gjermanë do të kontrollojnë E-maile të kancelarit të sotëm, Olaf Scholz, nga koha kur ai drejtonte qeverinë e landit të Hamburgut. Gazeta "Hamburger Abendblatt" ka raportuar, se kjo del nga dokumentet që ka në zotërim komisioni hetimor i Hamburgut në lidhje me skandalin financiar Cum-ex. Sipas njoftimit që më 30 mars Gjykata e Qarkut Köln ka lëshuar një urdhër hetimor për postën elektronike me adresë: olaf-scholz@sk-hamburg.de, adresa zyrtare e Olaf Scholzit në kohën kur ishte kryebashkiak i Hamburgut.

Sipas afp do të kontrollohen me vendim gjykate E-maile, shënime kalendarike, dhe bashkangjitje të postës elektronike nga 1 janari 2015. Scholz ka qenë deri në vitin 2018 Kryebashkiak i Hamburgut. Gazeta e Hamburgut, "Abendblatt" shkruan, se në lidhje me këto hetime kërkohet të zbardhet, nëse dhe si ka ndikuar politika në vendimin e marrë në nëntor 2016, për të hequr dorë nga një kërkesë financiare tatimore në vlerë prej 47 milionë eurosh kundër bankës Warburg, në kontekstin e Cum-ex. Në fokus është edhe një takim i Scholzit me kreun e atëhershëm të bankës Warburg, Christian Olearius.

Qendra e WarburgFotografi: Hanno Bode/imago images

Zëdhënësi i qeverisë: nuk kam dijeni

Kontrolli i E-maileve të Scholzit bëhet në kuadër të hetimeve kundër deputetit të SPD-së, Johannes Kahrs dhe të tjerëve që dyshohen për favorizim dhe mbështetje të evazionit fiskal. Tek deputeti i Bundestagut Kahrs, i cili është angazhuar për bankën Warburg, sipas raportimeve në media, në kuadër të kontrolleve janë gjetur 200.000 euro në një sirtar privat banke.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit është shprehur për Hamburger "Abendblatt", në lidhje me kontrollin e E-maileve të kancelarit Scholz, se "nuk ka dijeni për këtë. Dhe nuk ka asgjë për të fshehur."

Fotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopres/picture alliance

Çfarë është skandali financiar Cum-ex?

Me Cum-ex lidhet zhvendosja e aksioneve brenda një dite e dividendeve, për të mundësuar rimbursimin e tatimit mbi kapitalin, një shumë që nuk i ishte paguar shtetit. Kështu shteti gjerman përmes këtyre rimbursimeve financiare ka humbur miliarda euro. Skandali u zbulua në vitin 2017. Para një viti Gjykata Federale e Lartë vendosi t'i quajë evazion fiskal të dënueshëm operacionet financiare në lidhje me Cum-ex. Ndërkohë janë ngritur një sërë padish në Gjermani kundër punonjësve të caktuar në banka.

 

 

la/afp/ha