Dënim me burg për Berlusconin
26 Tetor 2012Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi u dënua të premten (26.10.) me katër vjet heqje lirie nën akuzën për evazion fiskal. Në të njëjtën kohë sipas vendimit të gjykatës ai nuk do të ketë të drejtë të mbajë poste publike pesë vitet e ardhshme. Gjithësesi Berlusconi përfiton prej rregullit për amnistinë dhe nga katër i falen tre vjet dënimi.
Në procesin gjyqësor në Milano bëhej fjalë për të drejta televizive, të cilat koncerni Mediaset i 76-vjeçarit i ka blerë me çmime të rritura nga viti 1994 deri 1999. Sipas aktpadisë në këtë mënyrë ishin shmangur detyrime fiskale dhe ishin mbushur llogari të fshehta.
Dënimi i shpallur nga trupi gjykues është më i rëndë se ai i kërkuar nga padia. Në pretencën e saj Prokuroria kishte kërkuar në mes të muajit qershor për Berluskonin tre vjet dhe tetë muaj heqje lirie. Vendimi është i instancës së parë dhe Berlusconi mund të apelojë në dy instanca të tjera. Dënimi me burg do të zbatohej vetëm pas shpalljes përfundimisht fajtor. Pas bërjes publike të vendimit të gjyqit aksionet e Mediaset ranë me 2,2 për qind.
Dy ditë më parë Berlusconi kishte deklaruar se nuk do të kandidonte në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Vendimi vjen pas gati 10 vjet hetimesh dhe 6 vjet procesesh gjyqësore.