1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshpërim pas anëtarësimit në BE

Aleksandër Andreev29 Tetor 2007

Socialistët dhe populistët të sukseshëm në zgjedhjet lokale në Bullgari

Sergei Stanischew Bulgarien Ministerpräsident
Sergei Stanishev, kryeministri bullgarFotografi: AP

Partia e re GERB (Qytetarët për një zhvillim evropian të Bullgarisë) dhe ish-partia komuniste, partia socialiste e Bullgarisë (BSP) kanë arritur rezultatet më të mira në zgjedhjet lokale të së dielës (28.10) në Bullgari. Velja prej politikës, blerja e votave, pjesëmarrja e ulët në votime dhe interesat e forta financiare, me këto tipare zgjedhjet lokale 2007 do të hyjnë në historinë e Bullgarisë.

Dëshpërim pas anëtarësimit në BE: kështu mund t´i përkufizosh me pak fjalë rezultatet e zgjedhjeve lokale të së dielës në Bullgari. Kryetari i socialistëve dhe kryeministri Sergei Stanishev mbrëmjen e zgjedhjeve kritikoi dy anë negative: blerjen e votave dhe interesin e kandidatëve për paratë e BE-së, që do të derdhen në komunat bullgare. Një tjetër anë negative ishte pjesëmarrja e ulët, gjë që edhe ishte parashikuar. Kjo bëri që në disa zona të krijohen konstelacione të çuditshme politike dhe që është njëkohësisht shprehje e zhgënjimit të thellë të elektoratit.

Pakënaqësi brenda popullatës bullgare

Dy milionë nga shtatë milionë zgjedhës bullgarë janë të pakënaqur me kushtet e jetesës duke konsideruar si përgjegjës për këtë elitat e pushtetit në vend, mendojnë studiuesit e opinionit. Këto janë kryesisht viktimat e tranzicionit demokratik dhe të ekonomisë së tregut, të moshuarit, njerëzit me arsim të ulët, të cilët prej anëtarësimit në BE prisnin një përmirësim më të shpejtë të gjendjes dhe tani janë të zhgënjyer. Kësaj i shtohet edhe fakti, që inflacioni rekord me rritjen e çmimeve dhe grevën që vazhdon prej muajsh të mësuesve e ka përçarë thellë shoqërinë bullgare dhe mijëra prindërve u ka sjellë vështirësi të mëdha.

Populistët në revansh

Të gjitha këto kanë çuar ujë në mullirin e dy partive populiste, që konsiderohen si fitueset e mëdha të këtyre zgjedhjeve. Partia "Qytetarët për zhvillimin evropian të Bullgarisë", GERB, nën drejtimin e kryebashkiakut të Sofjes, Boiko Borisov u themelua në fillim të vitit, por të dielën ajo fitoi shumicën e qyteteve më të rëndësishme. Vet Borisovi u konfirmua në post në Sofje me mbi 50 përqind të votave. Ish-zjarrfikësi dhe bodigardi, ish-sekretar shteti dhe gjeneral është politikani më popullor në Bullgari, për të cilin parashikohet se e pret një e ardhme e ndritur si kryeministër apo president. Me paraqitjen e tij prej kavalieri duke përdorur shprehje popullore dhe para së gjithash me kritikat populiste ndaj elitave politike dhe ekonomike në vend, 48 vjeçari me rafinesë ka përdorur për interesat e tij pakënaqësinë dhe zhgënjimin e shumë zgjedhësve. Për partinë e tij, që i përket qendrës së djathtë dhe me orientim strikt euroatlantik, ai ka rekrutuar shumë ish-përfaqësues të shërbimit të sigurimit dhe atij sekret.

Partitë nxorën në garë gjithsej mbi 400 punonjës të ish-shërbimit sekret komunist, konstaton zyra e dosjeve të sigurimit në Bullgari. Por duket se ky fakt nuk i ka bërë përshtypje zgjedhësve. Një numër të madh kandidatësh ish-bashkëpunëtorë sigurimi ka edhe partia tjetër populiste Ataka, që mundi të zerë vendin e katërt. Ndryshe nga GERB-i, Ataka është radikale kundër amerikane, kundër BE-së dhe kundër turqve, hebrejve dhe ciganëve. Të dyja partitë luftojnë me insistim koalicionin qeverisës në Sofje e kryesisht partinë e re në koalicion, partinë e minoritetit turk, DPS. Ashtu siç pritej DPS edhe kësaj here potencialin e zgjedhësve të saj e ka në zonat me popullsi turke, që i siguruan asaj vendin e tretë.

Lojëra politike

Socialistët në pushtet arritën rezultatet që parashikoheshin. Ato kanë marrë shumicën e votave në mbarë vendin dhe në shumicën e këshillave komunalë janë zgjedhur kandidatët e tyre. Disa vëzhgues mendojnë madje, se socialistët nuk kanë dashur që t´i fitojnë zgjedhjet në Sofje, ndaj nxorën në garë njeriun me më pak perspektive, ish-gjeneralin e shërbimit sekret Brigo Asparuhov. Kjo pasi suksesi në kryeqytet do ta fuste në darë kryeministrin e ri, Sergei Stanischev: mes oponentit brenda partisë dhe të preferuarin e socialistëve në Sofje Rumen Ovtscharov dhe Boiko Borisovin, që menjëherë do të ish angazhuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ajo që mbetet prej këtyre zgjedhjeve është një skenë e qendrës së djathtë e përçarë në mënyrë të pashpresë, që me Martin Zaimovin, numri dy në Sofje, nxorri jashtë loje një kandidat të mirë. Tema që hedh hije negative në këto zgjedhje është blerja e votave, ndonëse të tilla praktika ka pasur vazhdimisht, por ato nuk kanë influencuar rezultatin. Tema numër dy ishin interesat financiare të politikanëve lokalë në Bullgari, që synojnë të përfitojnë prej fondeve të BE-së. Kjo pasi qysh prej antarësimit të vendit në BE, investimet nga Brukseli nuk administrohen më nga qendra, sepse komunat kanë fituar një pavarësi më të madhe në administrimin financiar. Ndaj për herë të parë pas kthesës politike në Bullgari qysh nga viti 1989-1990 në zgjedhje interesi nuk ishte më politika, por paraja. Ata që kanë hyrë në garën elektorale më një arkë të majme financiare, janë pikërisht ata, që do të kenë në dorë në të ardhmen paratë e BE-së. Kjo pra është politika në Bullgari në vitin 2007.


Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW