1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështon shpërthimi para ambasadës amerikane në Siri - Autoritetet vrasin 3 atentatorë

12 Shtator 2006

Ministria e brendshme deklaroi se terroristët patën vendosur para ambasadës një bombë me telekomandë dhe një automjet të dytë të mbushur me lëndë shpërthyese

Fotografi: AP Graphics

Në një atentat me lëndë shpërthyese ndaj ambasadës amerikane në Damask sot u vranë tri atentatorë. Autoritetet siriane plagosën më tej edhe një atentator të katërt, bëri të ditur ministria siriane e punëve të brendshme. Më pas këtë person e arrestuan. Ministri i brendshëm, Basam Abdil Madshid foli për një atentat terrorist dhe tha se do të fillojnë hetimet.

Një dëshmitar bëri të ditur se dy doras zbritën nga automjeti, përpara shpërthimit të bombës. Më pas ata hapën disa herë zjarr në drejtim të ambasadës. Nëpunës sirianë të sigurisë e kthyen zjarrin. Një punonjës i ambasadës konfirmoi fillimisht vetëm "një shpërthim pranë ambasadës".

Ministria e brendshme deklaroi se terroristët patën vendosur para ambasadës një bombë me telekomandë dhe një automjet të dytë të mbushur me lëndë shpërthyese. Lënda shpërthyese u bë e padëmshme nga forca speciale siriane. Por dëshmitarët folën për një automjet krejt të djegur para ambasadës.

Marëdhëniet midis Damaskut dhe Uashingtonit janë të tendosura. Qeveria amerikane e akuzon udhëheqjen nën presidentin Bashar el Asad se mbështet ekstremistët në Irak, në Liban dhe në zonat palestineze. Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmeier nisi në gusht një përpjekje për ta çliruar Sirinë nga izolimi dhe për ta lidhur më ngushtë me BE. Pas një fjalimi të Asadit, në të cilin ai sulmoi ashpër Izraelin, Steinmeieri e anulloi një udhëtim të planifikuar për në Damask.