1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ceremoni përkujtimore në vendin e mizorisë

Friedel Taube4 Maj 2015

70 vjet kanë kaluar nga dita kur amerikanët e çliruan kampin e përqendrimit Dachau. Të dielën (03.05) atje ishte dhe kancelarja Merkel. Ajo takoi të mbijetuar dhe çlirues të kampit. Historitë e tyre të prekin edhe sot.

Merkel falenderon te mbijetuarit
Fotografi: picture-alliance/dpa/Gebert

Nga 34 vende kanë ardhur ata në Dachau të Bavarisë, në vendin ku përjetuan aq gjëra çnjerëzore, sa ato i shoqërojnë gjithë jetën e tyre. Nën shiun e rreptë, të mbytura në shi janë flamujt e tyre, nga Izraeli, nga Polonia, nga Ukraina. 70 vjet dhe katër ditë pas çlirimit të kampit ata ndodhen sërish këtu: 260 të mbijetuar dhe gjashtë çlirues. Dhe me ta edhe përfaqësues të lartë të politikës, midis tyre kancelarja Angela Merkel.

"Që këtu do të dilni vetëm përmes oxhakut"

Edhe Jerzy Wojciewski merr pjesë në ceremoninë përkujtimore. Burri i vjetër me syze ka në krah shiritin e zverdhur të asaj kohe. Ai është pjesë e tija, thotë ai në bisedë me DW. Në shtator 1944, luftëtarin polak të rezistencës e deportuan në Dachau - që nga Varshava. Polaku 17 vjeçar pati luftuar në Kryengritjen e Varshavës, derisa e arrestuan gjermanët. Tani ai rri i ulur në një çadër të madhe, ku zhvillohet ceremonia dhe tregon historinë e tij.

"Dachau ishte një ferr. Që prej momentit të mbërritjes këtu secili ishte vetëm një numër. Unë isha numri 105908", tregon ai. "Na thanë menjëherë: që prej këtij momenti nuk jeni më njerëz. Këtu do të dilni vetëm përmes oxhakut". Sa herë që fliste me një SS, atij i duhej të hiqte kasketën nga koka. Rregullisht e godisnin me kërbaç. "Edhe qentë i trajtonin më mirë", i kujtohet Wojciewskit.

Merkeli falenderon dëshmitarët

Dachau ishte i vetmi kamp përqendrimi, që ekzistoi pa ndërprerje të 12 vjetët e sundimit nazist. Më shumë se 200.000 të burgosur vuajtën këtu, midis tyre jo vetëm hebrenj, por edhe shumë të burgosur politikë, sintë dhe romë, homoseksualë. 41.500 vetë e humbën jetën në Dachau. Ata i kujton kancelarja Angela Merkel në ceremoninë e së dielës. Ajo vendos kurora dhe dukshëm e prekur, kancelarja falenderon të mbijetuarit: "është një fat i madh, që njerëzit si ju janë të gatshëm të na tregojnë historitë e jetës së tyre," tha kancelarja. "Ju flisni për vuajtjen e pafund, që Gjermania ju shkaktoi në kohën e nacionalsocializmit."

Jerzy WojciewskiFotografi: DW/F. Taube


Sheshi i apelit, sheshi i atëhershëm ku mblidheshin të burgosurit e Kampit të Përqendrimit - ai ishte një vend tmerri. Edhe këtu i poshtëronin të arrestuarit, i torturonin, i vrisnin. Dhe pikërisht këtu zhvillohet ceremonia. "Tregimet tuaja", u drejtohet Merkeli të mbijetuarve, "bëjnë që shifrat e thata të bëhen të gjalla".

Janë histori si ajo e çekut Vladimir Feierabend: ai ishte i ri kur e sollën në Dachau dhe sheshi i apelit i kujtohet edhe sot, thotë ai në një fjalim para kancelares. "Në mesin e dimrit, një radhë fëmijësh të arrestuar i detyruan të rreshtohen këtu. Gjermanët hodhën mbi fëmijët ujë të akullt dhe i lanë këtu pesë orë në këmbë. Ata që e mbijetuan këtu, i kthyen duke i rrahur me kërbaç në baraka". Që ai ka mundësi të flasë sot para kancelares, ky është një fat i madh, thotë ai. Për të është shumë e rëndësishme ardhja këtu. Aq e rëndësishme sa ai ka marrë sërish me vete dy nga tetë stërnipat e tij.

Takim me çliruesit

Jo vetëm për të mbijetuarit - edhe për ata që e çliruan kampin më 29 prill 1945, Dachau mbetet përjetësisht në kujtesë. "30.000 vetë gjetëm ende këtu, ishte pamje e tmerrshme", thotë James Pettus me zë që i dridhej. "Njerëz të dobësuar deri në kockë, shumë prej tyre lakuriq. E kishim vështirë ta besonim", thotë ai dhe vështrimi i tij rrëshket në arealin e qendrës së sotme përkujtimore. Mbi 90 vjeç është ai, dhe vjen herë pas here nga Phoenix/Arizona këtu.

Kurora me lule në DachauFotografi: DW/F. Taube

"Çdo pesë vjet unë jam këtu, gëzohem që më ftojnë", thotë Pettus. Si pjesëtar i Divizionit të 42-të Rainbow ai pati luftuar në Francë, në Belgjikë dhe në Austri dhe në prill 1945 ai erdhi me bashkëluftëtarët e US-Army në afërsi të Mynihut. Çlirues dhe të mbijetuar - deri sot ata kanë një marrëdhënie të veçantë. "Ndër dekada janë krijuar shumë miqësi", thotë Pettus dhe ul zërin, "po shumë nuk jetojnë më".

James PettusFotografi: DW/F. Taube



"Ne ju kemi falur"

Jerzy Wojciewskin e deportuan që para çlirimit të kampit në Mahnheim, ku bëri punë të detyruar për Daimler-Benz-in. Atje atë e çliruan pastaj francezët. As ai nuk mund ta harrojë Dachaun, ai kërkon që të vijë sa më dendur që të jetë e mundur këtu, jo vetëm në përvjetore. "Për mua është e rëndësishme", thotë ai duke i theksuar fjalët në mikrofonin e gazetarit gjerman të DW, "sepse unë dua t'ju them juve gjermanëve, se çfarë kanë bërë gjyshërit tuaj". Dhe - edhe diçka tjetër dëshiron të thotë ai - dhe këtu zëri e lë në baltë dhe lotë rrëshkasin në fytyrën e 88 vjeçarit. "Që ne ju kemi falur, këtë dua të them. Ju kemi falur!"