1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dajç: Të emigruarit investojnë për përmirësimin e jetesës në fshatin e tyre

20 Prill 2011

Zonat rurale në veri të Shqipërisë vlerësohen të kenë nivelin më të lartë të emigracionit në shkallë vendi. Një ndër komunat më tipike për numrin e lartë të banorëve të emigruar është ajo e Dajçit në rrethin e Shkodrës.

Wasserversorgung Albanien
Fotografi: AP

E shtrirë buzë lumit Buna rreth 20 km në afërsi të qytetit të Shkodrës, komuna e Dajçit, e njohur si një ndër zonat më të izoluara gjatë regjimit monist për shkak të afërsisë me kufirin me ish-Jugosllavinë, sot mbart nivelin më të lartë të emigracionit në shkallë vëndi. Braktisja masive e kësaj zone, kryesisht nga moshat e reja, nisi që në fillim të viteve 90-të dhe vazhdoi pa ndërprerje e nxitur nga papunësia, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesa e perspektivës. Sipas nënkryetarit të kësaj komune, Endrin Gjeka, gati gjysma e të rinjve kanë emigruar dhe pjesa më e madhe e tyre gjëndet në Pistoja të Italisë, ku kanë krijuar një komunitet, që mban lidhje të forta me vëndlindjen: “Më tepër se gjithçka në këtë zonë ka emigracion. Kontributi i tyre është puna nëpër rrugë dhe gjithçka, që është ndërtuar këtu, është si rezultat i investimit të tyre.”

Dëshira për t'u rikthyer mbetet

Shumë do të ktheheshin një ditëFotografi: DW/ Cama

Emigrantët në fshatrat e Dajçit kanë ndërtuar një numër të madh vilash disa katëshe, ndërkohë që herë pas here në bashkëpunim edhe me komunën mbledhin fonde për të përmirësuar infrastrukturën e fshatrave të tyre. Shumë nga këto thonë se investojnë në vëndlindje, pasi dëshirojnë që një ditë të rikthehen: “Ne vazhdojmë me kenë në kontakt me komunën. Me fondet e tona kemi shtruar rrugët, kemi bërë pastrimin e mbeturinave dhe shumë punë të tjera në shërbim të fshatit.“

“Si emigrantë ne kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribojmë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të fshatit Dajç.“

“Jam emigrant, që rri në Itali me gjithjë familje dhe po shoh shumë ndryshime në komunën e Dajçit nga investimet tona. Kemi dëshirë që të kthehemi përsëri në vëndlindje, pasi shohim se ka mjaft ndryshime.“

Emigracion burimi kryesor i jetesës për gati 40% te familjeve fshatare

Midis së vjetrës dhe të resëFotografi: Mimoza Dhima

Duke tërhequr mendimin e emigrantëve dhe të komunitetit të zonës, komuna e Dajçit në bashkëpunim me "Intercoorparation", një program ky që vepron në 8 njësi vendore të qarkut të Shkodrës, ka ngritur një qëndër informimi në këtë zonë. Kjo qëndër pritet t'u krijojë lehtësi emigrantëve, që në rrugë elektronike të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm, që gjëndet pranë komunës, gjë që do të forcojë lidhjet e emigrantëve me vëndlindjen, thotë Liza Prendi, përfaqësuesja e këtij programi në komunën e Dajçit: “Kjo zyrë u ndërtua si rezultat i nevojës së shërbimeve ndaj qytetarëve, por në veçanti do t'i vlejë emigrantëve, duke i ofruar atyre çfarëdo nevoje, që ato kanë “ .

Sipas një studimi të realizuar me mbështetjen e programit të zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, UNDP, rreth 40% e familjejeve në zonën rurale të qarkut të Shkodrës, kanë të paktën një pjesëtar të tyre në emigracion të përhershëm, ose sezonal. Të ardhurat nga ky emigracion mbeten burimi kryesor i jetesës për shumicën e familjeve fshatare, 80% e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike.

Autor: Leka Plani

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW