Dallimet mes protestave në Serbi dhe Turqi
22 Qershor 2013![](https://static.dw.com/image/16893173_800.webp)
Demonstrues në rrugë, kordona policie, gaz lotësjellës, rrahje dhe tollovi... Janë këto pamje të cilat çdo ditë vijnë nga Turqia dhe të cilat ta kujtojnë kohën e protestave në Serbi, nga vitet 90-të. Protestat në Serbi kanë zgjatur 10 vjet, deri në rrëzimin e Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, me 5 tetor 2000. Organizator i protestave në vitin 2000 ishte lëvizja "Otpor", ndërsa Ivan Maroviq ishte ndër themeluesit dhe liderët e kësaj lëvizjeje.
Deutsche Welle: A po i përcillni protestat në Turqi?
Ivan Maroviq: Unë i përcjell të gjitha protestat, jo vetëm në Turqi por edhe në Brazil dhe gjithandej në botë. Këto protesta janë të ngjashme me ato të viteve 90-të në Serbi. Por ato nuk e kanë mbështetjen që ne e kemi pasur në fund të viteve 90-të dhe në vitin 2000. Protestat në Turqi janë më shumë spontane dhe më pak të organizuara.
DW: Disa gjëra që po ndodhin sot në Turqi, megjithatë t'i kujtojnë protestat në Serbi dikur…
Ivan Maroviq: Mua më kujtojnë protestat e studentëve dhe të opozitës në Serbi të viteve 1996/1997, por më kujtojnë edhe protestat e viteve 80-të në Kili. Dallimi më i madh që shoh unë është se në Turqi ekziston një proces demokratik. Zgjedhjet atje nuk janë vjedhur dhe nuk janë falsifikuar si në Serbi. Shkaku i protestave në Turqi është tjetër. Dallimi tjetër është që ne në atë kohë kemi luftuar kundër regjimit të Millosheviqit, si pasues i një regjimi komunist. Pushteti i tanishëm në Turqi i përbërë prej islamistëve, të cilët kanë qenë të përndjekur politikisht në 15-20 vjetët e fundit, ka ardhur së fundi, pas një kohe të sundimit të një elite sekulare. Ka dallime esenciale pra mes Serbisë së atëhershme dhe Turqisë së sotme.
DW: Po cili është dallimi mes protestave në Turqi dhe atyre në vendet arabe?
Ivan Maroviq: As në vendet arabe nuk ka pasur institucione demokratike dhe zgjedhje të lira. Demonstratat atje kanë qenë pasojë e mungesës së institucioneve demokratike. Në Turqi situata është krejt ndryshe, por ajo duhet t'i kthejë proceset në institucionet e shtetit. Gjërat duhet shikuar edhe nga perspektiva e historisë, sepse në Turqi shpesh është përzier edhe ushtria dhe ka pasur grushtshtetesh. Ndaj ekziston frika e Erdoganit se prostata mund të jenë vetëm hyrje në grushtshtet.
DW: A ekziston ndonjë ngjashmëri mes protestave në Serbi dhe atyre në Turqi?
Ivan Maroviq: Ekziston një ngjashmëri mes protestave të vitit 1996 në Serbi dhe atyre sot në Turqi, sepse në asnjërin rast, protestuesit nuk kanë mbështetjen e shumicës së popullit. Erdogani sot sikur Millosheviqi në vitin '96, e ka mbështetjen. Në Serbi gjërat kanë ndryshuar në fund të viteve 90-të. Për Turqinë nuk mund të thuhet se gjërat kanë ndryshuar. Atje kemi përçarje të mëdha politike dhe nuk duhet harruar rolin e ushtrisë. Por ushtria deri tani nuk është përzier, që është mirë sepse gjërat mund të zgjidhen në institucionet politike.
DW: Cilat duhet të jetë strategjia e demonstruesve, nëse synohen ndryshime serioze?
Ivan Maroviq: Ata duhet të sigurojnë pjesëmarrjen më të madhe të popullit në protesta, sepse vetëm lëvizjen që kanë mbështetjen e popullit mund të rezultojnë me sukses. Kjo do të thotë se lëvizja duhet të pasqyrojë interesat e të gjithëve dhe jo vetëm të ndonjë strukture politike apo të një grupi të vogël njerëzish.