1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëDanimarkë

Danimarka dëshiron të parandalojë djegien e Kuranit

1 Gusht 2023

Danimarka kërkon "rrugën ligjore" për të ndaluar demonstratat e djegies së Kuranit - por pa kufizuar lirinë e shprehjes.

Kurani
KuraniFotografi: Sobhan Farajvan/Pacific Press Agency/IMAGO

Danimarka dëshiron të parandalojë djegien e Kuranit - nëse është e mundur. Qeveria daneze është në kërkim të mënyrave dhe mjeteve për të ndalur protestat, në të cilat përdhosen librat e shenjta myslimane. Në Danimarkë dhe Suedi, kohët e fundit u mbajtën disa demonstrata në të cilat Kuranit iu vu zjarri ose u shkel me këmbë. Kjo çoi në tensione serioze midis këtyre dy vendeve nordike nga njëra anë dhe shteteve islamike nga ana tjetër.

Danimarka tani shihet në shumë pjesë të botës si një vend që mundëson ose lejon fyerjet dhe denigrimin e vendeve të tjera, sipas Kopenhagës. Është fakt se disa aksione proteste kishin të bënin kryesisht me provokim.

"Pasojat negative për Danimarkën"

KuraniFotografi: Vahid Salemi/AP/picture alliance

Kjo është arsyeja pse tani po shqyrtohet se si të veprohet ose si të trajtohen demonstrata të tilla, nëse ato "fyejnë vende, kultura dhe fe të tjera dhe nëse mund të kenë pasoja të rënda negative për Danimarkën, jo vetëm në aspektin e sigurisë”, tha ministri i Jashtëm, Lars Lokke Rasmussen, për Shërbimin Publik Danez DR. "Djegia e Kuranit është një akt thellësisht fyes dhe i pamenduar, i kryer nga disa individë. Ata pak individë nuk përfaqësojnë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria daneze", shtoi ministri i Jashtëm danez.

Danimarka dhe Suedia kanë deklaruar vazhdimisht se u vjen keq për djegien e Kuranit, por nuk mund ta parandalojnë atë për shkak të ligjeve që mbrojnë lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Rasmussen thekson gjithashtu se çdo kufizim "natyrisht duhet të bëhet brenda lirisë së shprehjes të mbrojtur me kushtetutë". Respekti për lirinë e fjalës dhe të shprehjes është i përhapur në Danimarkë dhe është një nga vlerat më të rëndësishme në këtë vend.

"Veprat e neveritshme"

Protesta kundër SuedisëFotografi: Anjum Naveed/AP/picture alliance

Kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në Instagram se është në kontakt të ngushtë me homologen e tij daneze, kryeministren Mette Frederiksen kur bëhet fjalë për përdhosjen e Kuranit. Suedia tashmë ka filluar të "shqyrtojë situatën ligjore" dhe të marrë në konsideratë "masa për të forcuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e suedezëve në Suedi dhe në mbarë botën".

Sipas informacioneve të agjencisë së lajmeve Reuters, ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan i bëri thirrje ministrit të Jashtëm suedez Tobias Billstrom që të ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar djegien e mëtejshme të Kuranit. Vazhdimi i këtyre "akteve të urryera” nën maskën e lirisë së shprehjes është i papranueshëm. Fidan i bëri më parë një kërkesë të ngjashme Danimarkës.

(AFP, Reuters)