1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Darknet: Ilegaliteti në internet

3 Gusht 2018

Aty takohen pedofilë për praktikat perverse, aty armët dhe droga ndërrojnë pronarët. Kjo është ana e errët e ilegalitetit në internet. Por për opozitarët ai mund të jetë një hapësirë e mbrojtur.

Symbolbild Darknet
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Dedert

Aktualisht dy procese gjyqësore në Gjermani trajtojnë rolin e "darknet" -ilegalitetit në internet- si treg për shfrytëzimin seksual të fëmijëve: Në Limburg filloi (02.08) procesi kundër administruesve të platformës më të madhe të pedofilisë "Elysium". Kur ajo e shkatërrua në qershor 2017, autoritetet gjetën aty 90.000 anëtarë. Pak ditë më vonë (07.08) do të jepet në Freiburg vendimi i gjykatësve për një rast shokues të shfrytëzimit seksual. Një nënë bashkë me partnerin e saj janë akuzuar se kanë shfrytëzuar vetë seksualisht djalin, ndërkohë 9-vjeçar dhe e kanë ofruar për përdhunim në platformën ilegale "Elysium". Partneri ka dhënë ndërkohë një dëshmi të zgjeruar.

"Rrjeti i internetit po kthehet në epiqendër të veprave të dhunës seksuale", bëri të ditur Johannes-Wilhelm Rörig në kongresin europian të policisë. Ndërsa i ngarkuari i pavarur i qeverisë gjermane kundër shfrytëzimit seksual tha se "darknet është prej vitesh një hapësirë mbrojtëse për kriminelë të poshtër."

Jo i centralizuar dhe i koduar

Kjo epiqendër darknet është pjesa e decentralizuar, anonime dhe e pakontrolluar e internetit. Darknet punon pa strukturë. Vetëm kompjutera të veçantë lidhen në rrjete. Prandaj nuk ka vetëm një, por shumë rrjete "darknet". Atë nuk mund ta gjesh thjesht përmes kërkimit në google. Pengesë tjetër: Anëtarët e rinj duhet të ftohen apo pranohen nga anëtarët e vjetër. Në disa pjesë të darknet këtë mund ta bëjë vetëm anëtarë me privilegje të caktuara.

Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Dedert

Të dhënat në darknet transferohen të koduara, prandaj përgjimi bëhet edhe më i vështirë. Kontrolli bëhet gati i pamundur, sepse aksesi në darknet bëhet si rregull përmes TOR browser. Ky program bën që çdo paketë të dhënash të dërgohet rastësisht përmes tre kompjuterave, që ndryshojnë vazhdimisht. Me çdo adresë të ndërmjetme, paketa merr një adresë të re dërguesi, në fund dërguesi fillestar nuk është më i identifikueshëm. Ai punon gati plotësisht në anonimitet.

Autori britanik, Jamie Bartlett ka bërë kërkime intensive në darknet dhe ka vizituar tregjet online. Ai shpjegoi për Deutsche Wellen, se në darknet bëhet fjalë për tregje funksionale, të orientuar nga konkurrenca, me të gjitha aspektet komerciale, përfshirë madje edhe vlerësimet e klientëve. "Në radhë të parë ato përdoren për tregtinë e drogës. Dhjetëra, madje qindra mijëra blerje kryhen në vit përmes faqeve të tilla. Aty paguhet me valutën-krypto bitcoin. Pastaj malli dërgohet në shtëpi si me amazon apo ebay. Ndryshimi i vetëm, këtu çdo gjë bëhet nën mburojën e anonimitetit", thotë Bartlett.

Georg UngefukFotografi: picture-alliance/dpa/A. Dedert

Edhe armët tregtohen në darknet, madje edhe shërbime ilegale të të gjitha llojeve, nga rrjetet bot deri tek sulmet e hakerave- Kush kërkon instrumente sulmi gjen këtu nga viruset, trojanët, e gjithçka ofron ilegaliteti digjital.

Anonimiteti është tërheqës

Për prokurorin e Frankfurtit, Georg Ungefuk, darknet nuk e ka ndryshuar botën e kriminalitetit, por i ka zgjeruar mundësitë. Kjo vlen për të gjitha sferat, edhe për pornografinë e fëmijëve. Zëdhënësi i Qendrës për Luftimin e Kriminalitetit në Internet, i cili ka drejtuar hetimet në rastin "Elysium" thotë se "përdorimi i darknet është për shumë vetë tërheqës, sepse krijohet besimi, se mund të shpëtosh nga ndjekja penale për shkak të anonimitetit."

Hapësirë mbrojtëse për opozitarët

Por darknet nuk është vetëm fushëloja e kriminelëve. Ai është edhe një hapësirë e mbrojtur për ata që duan të komunikojnë të papërgjuar - ndoshta sepse jetojnë në shtete ku liria e mendimit është e kufizuar, ndoshta sepse pas zbulimeve të Edward Snwoden janë të shqetësuar për shkak të praktikës përgjuese të shërbimeve sekrete. Edhe këtë aspekt përdorimi të darknet e njeh prokurori Georg Ungefuk. "Darknet ka të bëjë me lirinë, dhe mundësinë e ikjes së përndjekjes në ato vende, ku liria e shprehjes, nuk ka atë kuptim si tek ne."

Mjaft lëvizje opozitare në botë e përdorin rrjetin TOR. Për këtë ky rrjet u nderua me çmiin për Vlerën Shoqërore nga Fondacioni Free Software. TOR u ka mundësuar 36 milionë njerëzve të komunikojnë të pacensuruar, thuhej në vlerësimin e jurisë.

Prandaj projekti TOR e zhvillimi i mëtejshëm tij u mbështet edhe në vitin 2015 nga Ministria e Jashtme gjermane. Me programin e dounloduar TOR, jo vetëm që mund të jesh i papërgjuar në rrjetin darknet, por edhe në World Wide Web. Por të dhënat transferohen shumë ngadalë. Siguria ka çmimin e saj.