1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat në Bundestag - Gjermania i jep rishtazi dorën e ndihmës Greqisë

10 Qershor 2011

Parlamenti gjerman ka aprovuar ndihmat financiare për Greqinë e mbytur në borxhe. Ndërkohë pas debatesh të gjata, kabineti qeveritar grek miratoi planin e ri të masave të kursimit.

Bundestagu - Debat për GreqinëFotografi: dapd

Kërkesa përkatëse ishte bërë nga Partia Kristiandemokrate, Kristiansociale dhe e Demokratëve Liberalë për një paketë tjetër ndihme për Greqinë, por duke e lidhur atë ngushtë me kushte. Në Berlin ajo mori aprovimin e shumicës së deputetëve. Siç bëri të ditur ministri i Financave, Wolfgang Schäuble kërkohet pjesëmarrje e kredidhënësve privatë si dhe privatizime e kursime të forta. Ai foli për gjendjen serioze të Greqisë, dhe të Evropës. Pa futur para të reja ekziston rrezik i madh për zhvillimin global.

Refuzohet pjesëmarrja e investitorëve privatë?

Kryetari i fraksionit të socialdemokratëve gjermanë, Frank-Walter Steinmeier kujtoi rëndësinë e BE-së për Gjermaninë dhe i kërkoi deputëteve që të përkrahin përpjekjet për të ndihmuar Greqinë.

Frank Walter-Steinmeier - Debati për Greqinë në BundestagFotografi: dapd

Kurse kryetari i Partisë Socialdemokrate, Sigmar Gabriel kërkoi shtyrjen e afatit të shlyerjes së borxheve greke, me pjesëmarrjen e investitorëve privatë. Masat e marra deri tani nuk kanë ndihmuar, tha Gabriel në Berlin. Vendet në borxhe të euros, kanë bërë shumë kursime, por normat e larta të kreditimit kanë shkatërruar çdo gjë. Shefi i Bankës Qendrore Evropiane Jean-Claude Trichet, refuzoi në Frankfurt çdo lloj shtyrje borxhi apo pjesëmarrjeje të bankave private. Sipas të dhënave të diplomatëve të BE-së, Greqisë i duhen ndihma financiare prej 90 miliardë eurosh më shumë. Një vit më parë, Greqisë iu premtuan kredi ndërkombëtare në nivelin e 110 miliardë eurove.

Greqia vazhdon të kursejë

Nga ana e tij kabineti qeveritar grek ka vendosur masa të tjera kursimi. Pas debateve të gjata ministrat votuan për një plan të ri kursimesh. Gjatë takimit kryeministri grek Jorgos Papandreu ka bërë thirrje për "bashkim kombëtar", bën të ditur agjencia e lajmeve ANA. Greqia ndodhet në "udhëkryq".

Wolfgang Schäuble, ministër i Financave në debatin për GreqinëFotografi: dapd

Papandreu tha se do të luftojë për të marrë miratimin e shumicës së parlamentit për planin e kursimeve. Paketa e re parashikon kursime në nivelin e 28,4 miliardë eurove deri në vitin 2015. Plani parashikon po ashtu përshpejtimin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, prej të cilave brenda vitit 2015 do të derdhen 50 miliardë në arkat e shtetit. Më pas, pjesë e masave priten të jenë rritja e taksave si dhe shkurtime të rrogave të punonjësve dhe disa ndihmave sociale, të cilat janë kusht për pagimin e kredive të reja nga kredidhënësit.

Autor: AG/Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi