1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për buxhetin ashpërson tonet politike në Bundestag

24 Nëntor 2010

Parlamenti gjerman po vazhdon sot (24.11.) debatin e tij katërditor për buxhetin. Opozita e akuzoi qeverinë për kaos, kurse kancelarja tregoi uljen e papunësisë.

Kancelarja Merkel mbron reformat në Bundestag
Kancelarja Merkel mbron reformat në BundestagFotografi: picture-alliance/dpa

Në fillim të seancës, kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve në opozitë Frank-Walter Steinmeier, e akuzoi koalicionin konservatoro-liberal në qeveri për kaos të pafund qeveritar.

"Njerëzit që ju zgjodhën një vit më parë ndoshta ëndërronin për udhëheqje politike. Ëndërruan për plotësim të premtimeve elektorale. Por ajo që morën ishte një kaos qeveritar pa fund, mungesë e plotë orientimi dhe mungesë kaq të lartë serioziteti, sa nuk kemi pasur asnjëherë."

Unioni CDU/CSU dhe liberalët e FDP-së brenda një viti kanë shpërdoruar besimin e zgjedhësve. Koalicioni është kujdesur për klientelën e tij, pa u kujdesur për të mirën e përgjithshme, tha ai. Steinmeier-i e akuzoi më tej kancelaren Angela Merkel për dobësi në drejtim.

Kryetari i Fraksionit SPD, Steinmeier kritikon qeverinëFotografi: picture alliance/dpa

Kancelarja flet për suksese të qeverisë

Kancelarja Merkel nga ana e saj mbrojti masat kursyese të qeverisë dhe vuri në pah se sa mirë e ka administruar deri tani krizën ekonomike Gjermania. Ndër të tjera është ulur në masë drastike papunësia:


"Kur flasim për drejtësi sociale në vend mund t'ju them se sot kemi më shumë njerëz, që kanë vend pune, se sa përpara krizës. Papunësia në Gjermani është në nivelin më të ulët që prej vitit 1991."

Në rendin e ditës janë për diskutim edhe buxhetet e ministrive të veçanta, asaj të Punëve të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Ministrisë për Ndihmën për Zhvillim. Buxheti për vitin 2011 pritet të miratohet përfundimisht ditën e premte.

Autor: dpa, afp/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi