Debati për kthimin e romëve nga Gjermania vazhdon
1 Tetor 2010
Për thirrjen e Komisionit për Të drejtat e Njeriut do të diskutohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 7 tetor. Sipas raportuesit të Këshillit të Evropës për azilkërkuesit romë në shtetet anëtare të Këshillit, parlamentarit kroat Milorad Pupovac, për këto riatdhesime nuk ekzistojnë ende kushtet e nevojshme:
"Ka shumë arsye përse raportuesi për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës dhe Komiteti për Migrimin, Refugjatët dhe Popullsinë mori qëndrimin se kthimi i romëve nga Gjermania duhet shtyrë deri sa kushtet e të kthyerve të jenë përmirësuar më shumë nga këndvështrimi ndëretnik. Sepse marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë nuk janë ende të tilla që romët si popullsi e brishtë të pranohen siç duhet. Pastaj kushtet e banimit të romëve nuk janë për të qenë. As në Gjakovë, as në Gjilan dhe sigurisht as në veri të Mitrovicës, ku ka probleme të veçanta me plumbin dhe helmin në kampet Osterode dhe Çeshme Llug. Atje kushtet janë të tilla që rrezikohet shëndeti dhe jeta e njerëzve. Edhe kushtet ekonomiko-sociale nuk lejojnë që njerëzit të mbahen në vendet e mëparshme të banimit, pasi lidhjet ekonomiko-sociale janë shkëputur. Ndaj i bëjmë thirrje Gjermanisë për kujdes të shtuar dhe për shtyrjen e kthimit të refugjatëve në Kosovë."
Janë landet që vendosin kthimin
Të dhënat statistikore të landeve gjermane dokumentonin deri më 30 qershor 2010, 8.500 romë me detyrim për t'u larguar nga Gjermania në drejtim të Kosovës. Marrëveshja gjermano-kosovare për Riatdhesimin, e cila hyri në fuqi më 1 shtator të këtij viti, nuk përmban as shifra mbi personat e detyruar për t'u kthyer dhe as marrëveshje apo pritje në lidhje me numrin të ardhshëm të romëve të kthyer. Çdo vendim nëse dikush riatdhesohet, pra edhe lidhur me çdo rom, merret nga landet gjermane, më saktë prej autoriteteve kompetente të atjeshme për të huajt, pas verifikimit të çdo rasti individual dhe pasi pala kosovare e ka miratuar çdo rast, i bëri të ditur Deutsche Welle-s në një deklaratë me shkrim një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.
Përballë gjendjes së përmirësuar të sigurisë në Kosovë, administrata kalimtare e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) miratoi që në 2005-ën riatdhesimin e një numri të kufizuar romësh (fjala është për persona të caktuar në ndjekje penale). Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme në Berlin i tha Deutsche Welles: Para fillimit të riatdhesimeve të përgjithshme të romëve vitin e kaluar qeveria gjermane kreu edhe një vlerësim të aktualizuar të gjendjes së sigurisë. Duke pasur parasysh edhe situatën e vështirë ekonomike në të cilën gjendet Kosova, raportuesi i Këshillit të Evropës Pupovac mirëpret edhe çdo kontribut shtesë të palës gjermane në Kosovë.
"Sepse në bazë të përvojë sonë dhe të raporteve të tjera njerëzit që janë kthyer në Kosovë, shumica e tyre, qëndrojnë përkohësisht atje dhe përpiqen të gjejnë rrugë për t'u kthyer në Gjermani a në vende të tjera. Kjo do të thotë që tërë procesi i kthimit nuk ka shumë kuptim. Duhet krijuar një sistem më efektiv, më i arsyeshëm. Duhet ndryshuar sepse të gjithë e dimë që mekanizmi i tanishëm i bashkëpunimit midis landeve gjermane dhe qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale nuk është i mjaftueshëm."
Autor: Elert Ajazaj
Redaktoi: Auron Dodi