260111 Kinderrechte Deutschland
28 Janar 2011
Në intervale të rregullta nënshkruesit e konventës për të drejtat e fëmijëve duhet t'i raportojnë Kombeve të Bashkuara për përparimet dhe mangësitë në zbatimin e të drejtave të të miturve. Aktualisht Komisioni për të drejtat e fëmijëve në Bundestag nën drejtimin e politikanes socialdemokrate, Marlene Rupprecht ka paraqitur raportin vjetor:
"Ne i vlerësojmë mjaft masa që janë marrë në vitet e shkuara si hapa të duhur. Për shembull ndalimin e përdorimit të dhunës si mjet edukimi, që fëmija ka të drejtën e rritjes pa ushtrim dhune, Edhe zgjerimin e ofertës për kopshet e çerdhet ne e shohim si një gjë për t'u vlerësuar."
Konventa për të drejtat e fëmijëve u miratua në vitin 1990. Qëllimi i saj ishte të vinte një gurthemeli në trajtimin e fëmijëve. Kjo nënkupton që fëmijët përtej të drejtave themelore të njeriut kanë të drejta shtesë dhe kanë nevojë për një mbrojtje të posaçme.
Pikat më të rëndësishme janë mbrojtja nga dhuna, ndalimi i punës së fëmijëve, e drejta e ushqimit dhe e pjesëmarrjes në shoqëri. Duke lënë jashtë SHBA-në dhe Somalinë, të gjitha shtetet e kanë ratifikuar këtë konventë dhe duhet t'i raportojnë OKB-së rregullisht për zbatimin e këtyre të drejtave.
Politika gjermane duhet të dëgjonte shumë kritika lidhur me këtë temë. Kështu Gjykata Kushtetuese Gjermane i konsideroi të pavlefshme kuotat e asistencës sociale për fëmijët gjermanë. Çdokush që jeton në Gjermani ka të drejtë që të ketë të siguruar një minimum jetese nga shteti. Se sa duhet të jetë kuota, llogaritet në procedura të komplikuara. Për fëmijët llogaritet një shumë më e vogël se sa për të rriturit. Deri më tani kjo kuotë ishte rregulluar sipas moshës, pra që fëmija të merrte një përqindje të të rriturit. Kjo nuk pajtohet me kushtetutën dhe shkel konventën e të drejtave të fëmijëve, thotë kryetarja e Komisionit gjerman për të drejtat e njeriut.
"Që fëmijët nuk janë thjesht të madhorë të vegjël, kjo është ende shumë e vështirë për të rriturit, që ta shohin këtë ashtu siç duhet, në të gjitha shtresat e shoqërisë."
Krahas raportit të Komisionit të Bundestagut edhe mjaft organizata që merren me fëmijet dhe të rinjtë kanë paraqitur raportin e tyre, një të ashtuquajtur "Raport në hije". Ai liston të gjitha anët e errëta të politikës për fëmijët. Kështu organizatat kanë vënë re, se ka shkelje flagrante të së drejtës së të huajve dhe të refugjatëve. Kështu për shembull azilkërkuesit që kanë mbushur moshën 16 vjeçare duhet të dalin vetë para autoriteteve, pa shoqërues. Konventa parasheh që kjo të ndodhë me moshën 18 vjeç. Para kësaj moshe, të miturit duhet të shoqërohen nga persona madhorë.
Sabine Skutta nga Kryqi i Kuq flet në emër të organiazatave të të rinjve. "Një pikë tjetër po kaq flagrante është edhe ligji për asistencën sociale për azilantët, i cili u garanton të miturve një minimum ekzistence të reduktuar 30-35 përqind. Ky është rast flagrant diskriminimi për shkak të statusit të këtyre fëmijëve dhe të rinjve, kjo nuk përputhet me konventën për të drejtat e fëmijëve, që pikërisht ndalon këtë lloj diskriminimi."
Për faktin se refugjatët në Gjermani nuk lejohet të punojnë sa kohë nuk është vendosur për kërkesën e tyre, ata marrin ndihmë nga shteti. Por minimumi i ekzistencës për ta llogaritet ndryshe nga ajo e pjesës tjetër të popullsisë. Fëmijët refugjatë kanë edhe kufizime në trajtimin mjekësor, kritikojnë organizatat joqeveritare dhe kërkojnë që të drejtat e fëmijëve të sanksionohen në kushtetutë. Kjo do t'i detyronte autoritetet që të kontrollonin çdo ligj apo procedurë për garantimin e mirëqenies së fëmijëve.
Autor: Mathias Bölinder/ Lindita Arapi
Redaktoi: Aida Cama