Deklarohet bashkëpunimi gjermano-francezo-polak
6 Dhjetor 2006
Presidenti polak Leh Kazhinski anulloi takimin e planifikuar në verë me kancelaren Angela Merkel dhe presidentin francez Zhak Shirak, për shkak të shqetësimeve të papritura në stomak. Apo mos vallë ky ishte një justifikim, pasi vëllezërit Kazhinski nuk gjetën asgjë për të qeshur në një artikull satirik për ta në gazetën e Berlinit Tageszeitung? Sidoqoftë tani gjakrat janë qetësuar, Merkel, Shirak dhe Kazhinski u takuan sërish në Metlah të Zarlandit.
Vendi për samitin tresh ishte zgjedhur me shumë rafinesë: një manastir i vjetër Benediktin në Metlah të Zarlandit e përrreth një park idilik i abacisë. Ndoshta ky ambjent paqësor pati edhe influencë pozitive në atmosferën e bisedimeve, gjatë të cilave siç duket kancelarja Merkel, preisdenti Shirak dhe ai Kazhinski janë kuptuar mirë.
Gjatë muajve të fundit kryesisht midis Gjermanisë dhe Polonisë ka pasur tone të ngrira. E megjithatë të tria palët theksuan, se sa e rëndësishme është miqësia midis këtyre tri vendeve për të mirën e Evropës. Në aspektin e politikës së jashtme, të sigurisë dhe asaj të mbrojtjes do të bashkëpunohet më ngushtë në të ardhmen, deklaroi kancelarja Merkel.
Qysh tani bashkëpunimi është mjaft i sukseshëm: "Kjo pasqyrohet në angazhimin e përbashkët këtë vit: në misionin e UNIFIL-it në Liban, në Kongo, ku merrnin pjesë të tria vendet dhe që tani ne gëzohemi, që ushtarët janë kthyer sërish në atdhe. Ne jemi angazhuar në Afganistan, ku pala polake madje do ta shtrijë angazhimin e vet ndaj kemi biseduar edhe për këtë çështje."
Deri në vitin 2012 Franca, Polonia dhe Gjermania duan të krijojnë një njësi të përbashkët luftarake. Ndër temat më delikate në raundin tresh ishte antarësimi i Turqisë në BE. Parimisht Gjermania, Polonia dhe Franca ranë dakord, që të kenë një pozicion të përbashkët ndaj Turqisë. Tani nuk duhet të jepen ultimatume, por duhet mbajtur një qëndrim më i prerë ndaj protokollit të Ankarasë.
Presidenti Polak Kazhinski ka ftuar Merkelin dhe Shirakun që samiti i ardhshëm i Vajmarit të zhvillohet në Poloni. Për këtë duhet të gjendet një vend, i cili të jetë po aq simbolik sa edhe manastiri në Metlah, theksoi Kazhinski. Ndoshta atmosfera paqësore e manastirit ka ndihmuar vërtetë që trikëndëshi i Vajmarit të rigjallërohet.