1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Delegacioni i Këshillit të Europës në Tiranë

22 Shkurt 2010

Ardhja e delegacionit është në bazë të një rezolute që miratoi Këshilli i Evropës rreth një muaj më parë. Në të shprehej mbështetje për rolin e presidentit Bamir Topi si mediator për rifillimin e dialogut politik

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlud Çaushoglu.Fotografi: AP

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlud Çaushoglu, drejtuesit e 5 grupeve parlamentare të Asamblesë dhe 2 monitorët për Shqipërinë kanë parashikuar që sot e nesër të kenë takime me përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës dhe opozitës. Kontaktet e delegacionit janë programuar të jenë të veçanta dhe larg vëmendjes së medias me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, shefin e opozitës Edi Rama dhe kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli. Ata kanë paralajmëruar se rezultatet e misionit të tyre do ti bëjnë prezente vetëm të martën paradite në një konferencë shtypi në Tiranë.

Ardhjes së misionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në Tiranë, i ka paraprirë një veprimtari intensive e diplomatëve përendimorë të akredtuar në Shqipëri. Ata kanë takuar ditët e fundit presidentin e Republikës Bamir Topi, por dhe kryeministrin e shefin e opozitës. Mesazhi i tyre ka qënë i drejtëpërdrejtë për gjetjen e një zgjidhje sa më shpejtë. Këtë e kanë kushtëzuar me fatin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe aspektin e liberalizmit të vizave.

Palët duken në vendnumëro

Por edhe pas këtyre apeleve dhe pas dy raundeve të negociatave PD – PS që ka organizuar presidenti Topi, palët duken në vendnumëro. Mazhoranca shprehet e gatshme për çdo lëshim, por jo për të plotësuar kërkesën kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit. Që ajo e konsideron si kundërvënie ndaj vendimit të gjykatave. Kurse opozita thotë se hetimi parlamentar nuk mund ta përjashtojë hapjen dhe verifikimin e kutive të votimit. Dhe sipas saj hapja e tyre nuk ka lidhje me vendimin e gjykatave.

Analisti Arban HasaniFotografi: DW/Arben Muka

Hasani: Presioni ndërkombëtar i bën krerët e politikës koshientë për kompromis

Analisti Arban Hasani, drejtor i Lajmeve në Televizionin “Vizion Plus” e shikon si përcaktues rolin e delegacionit të Asamblesë Parlamentare në Tiranë. Ai thotw pwr DW se PD dhe PS nuk mund të arrijnë tek kompromisi po nuk lëshuan pak nga qëndrimi i tyre.

“Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për demokracinë shqiptare është ende e nevojshme, megjithëse kanë kaluar rreth 20 vjet që kur Shqipëria është në sistemin pluralist. Siç duket kjo të jetë prova e fundit. Pra negocimi i Asamblesë Parlamentare të KE që palët të arrijnë në një pikë konverguese. Në rast se kjo nuk arrihet pastaj skenarët mund të jenë të rrezikshmë për vendin dhe demokracinë”.

Analisti Arban Hasani parashikon se investimi aktual i Këshillit të Europës “do të shumëfishohet dhe me ndikimin e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Presioni nga të gjitha anët do ti bëjë koshientë krerët kryesorë te politikës në Shqipëri se nëse duan integrim të vëndit në BE dhe proces të liberalizmit të vizave duhet të tregojnë me vepra dhe jo vetëm me fjalë se dinë të bëjnë kompromis për çështje madhore”.

Enton AbilekajFotografi: DW/Arben Muka

Abilekaj: Problemet e brendshme duhet të zgjidhen nga vetë faktorët e brendshëm

Enton Abilekaj, drejtor i lajmeve në televizionin “Alsat” e shikon ndërhyrjen e ndërkombëtarëve si një shenjë të qartë papjekurie për klasën politike të Tiranës. Ai thotë se problemet e brendshme do të duhej të zgjidheshin që më parë nga vetë faktorët e brendshëm. Siç ndodh, sqaron ai, dhe në vendet e tjera të rajonit.

“P.sh., Maqedonia vetëm për çështjet ndëretnike ka nevojë për ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Në vende të tjera të rajonit këto çështje thuajse janë të zgjidhura. Ndaj dhe mendoj se kjo ndihmë e ndërkombëatrëve është e tepruar. Nuk jam kundër, por kjo ndihmë duhet përdorur për çështje më të mëdha se kaq. QË kanë të bëjnë me pozicionin e Shqipërisë në BE, për pozicionin e saj në çështjen e Kosovës, dmth në njohjet e pavarësisë së saj”.

Analisti Enton Abilekaj parashikon se arritjen e një kompromisi do ta ndihmonte diskutimi për ndryshimin e kodit zgjedhor. “Të dyja palët janë pro nevojës për ndryshime, thotë Enton Abilekaj për DW. Njëri prej ndryshimeve mund të jetë dhe procedura e re e kontrollit dhe verifikimit të kutive të votimit.

“Të parashikohet që në çdo zgjedhje të hapen kutitë dhe të hetohen ato, që të ndëshkohen shkelësit. Derisa të krijohet një besim te të gjitha palët, për proceset zgjedhore. Kjo i intereson dhe partisë demokratike, pasi një ditë dhe ajo do të jetë në opozitë, i intereson partisë socialiste, i intereson të gjithë atyre në Shqipëri që duna zgjedhje të lira”.

Ndaj hapja e kutive kur është e nevojshme,sipas Enton Abilekaj, nuk do të shndërrohet në një precedent, por në një procedurë normale për ata që kontestojnë ose kanë argumente për shkelje e manipulime.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica