1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokracia rrezikon jetën

Helle Jepessen20 Tetor 2005

Në mbarë botën gjenden sot 106 gazetarë në burg, sepse artikulli, apo emisionet e tyre, janë konsideruar si shumë kritike nga pushtetarët në vend. 70 vetë janë arrestuar, sepse kishin publikuar tekste kritike në internet.

Demostratë për lirinë e shtypit në Venezuelë
Demostratë për lirinë e shtypit në VenezuelëFotografi: AP


Organizata Reporterë pa Kufin boton sot për herë të katërt listën për situatën e lirisë së shtypit në vende të ndryshme të botës. Në 167 vende organizata për të drejtat e njeriut ka marrë në shqyrtim situatën e medieve dhe kushtet e punës së gazetarëve.
Ata janë në rradhët e para të frontit me kamera. Dërgojnë fotografi, njoftime, inçizime, që shpërndahen përmes mediave në mbarë botën. Ata informojnë nga kampet e refugjatëve, për luftërat apo luftërat civile. Përfaqësuesit e medieve, që informojnë nga të gjitha rajonet e krizave në botë, shpesh janë të rrezikuar. Që prej 1 janarit 2005 51 gazetarë dhe katër asistentë kanë gjetur vdekjen, sepse donin të bënin punën.

Iraku thotë Katrin Evers e Reporterë pa Kufi, mbetet vendi më i rrezikshëm për gazetarët. "Edhe në listën aktuale të Reporterë pa Kufi, Iraku është më i rrezikshimi për gazetarët për shkak të konflikteve luftarake. Vetëm këtë vit atje kanë humbur jetën 24 punonjës të mediave. Dhe që prej fillimit të luftës në mars 2003 së paku 72 gazetarë dhe punonjës të mediave".

Në mbarë botën gjenden sot në burg 106 gazetarë, sepse artikulli, apo emisionet e tyre, janë konsideruar si shumë kritike nga pushtetarët në vend. 70 vetë janë arrestuar, sepse kishin publikuar tekste kritike në internet. Në Kinë janë shumë të ashper me këto disidentë.

"Nga këndvështrimi ynë Kina, me më shumë se 30 gazetarë dhe 62 disidentë të internetit të arrestuar, është burgu më i madh për gazetarë dhe përfaqësuesit e shprehjes së mendimit të lirë. Dhe Kina është me të vertetë një ndër vendet më represive përsa i përket shprehjes së mendimit të lirë."

Metodat e censurës janë të rafinuara

Por edhe nëqoftëse metodat janë më të rafinuara, në vendet të tjera të botës gazetarët, redaktorët dhe botuesit pengohen që të shprehin mendimin e lirë në media. Censura është një mjet për t´u hequr medieve funksionin si mbrojtëse të demokracisë. Edhe heqja e të ardhurave nga reklamat, monopolizimi i medieve apo kërcënimi i gazetarëve bën pjesë këtu, thotë Katrin Evers i Reporterë pa Kufi. Dhe kjo nuk është e gjitha.

"Në fakt ekzistojnë metoda të ndryshme. Nga njëra anë cenzura direkte, kontrolli i shtetit, që perdoren psh në Kinë dhe Vietnam. Por ka edhe metoda më subtile. Që nuk zgjaten licencat, nuk jepen lejet e botimit, që rriten në mënyrë arbitrare cmimet e letrës së shtypit. Pastaj ekziston metoda e sulmimit faktik të gazetarëve, rrëmbimit, arrestimit, apo edhe vrasjes. Vendet e ndryshme janë shumë krijues, për të ndikuar tek përfaqësuesit e mediave.

Studimi tregon se liria e shtypit nuk ka të bëjë me paranë. Në fakt shumë vende të pasura drejtojnë listën, por ka edhe vende të varfëra nder 60 të parët, thotë Katrin Evers.
"Ajo që ne vëzhgojmë është së paku se zhvillimi ekonomik dhe liria e shtypit dhe e mendimit nuk shkojnë patjetër bashkë. Që do të thotë se edhe vende, që nuk janë të pasura, që në vitin 2003 kishin një produkt të brendshëm bruto prej më pak se 100 dollarë amerikanë, dalin në pjesën e sipërme të listës."

Ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rënë me 20 vende, nga vendi i 23 në atë të 44. Shkaku kryesor është se mbrojtja e burimit të informacionit për gazetarët dëmtohet sistematikisht. Edhe një traditë e gjatë demokratike, nuk e mbron automatikisht lirinë e shtypit, mendojnë Reporterë pa Kufi.
Por ka edhe shumë vende, që janë bërë të pavarura vitet e fundit, të cilat respektojnë lirinë e shtypit, thotë Katrin Evers.
"Lista tregon në fakt, se demokracitë mund të stabilizohen shumë shpejt dhe të respektojnë lirinë e shtypit, sepse nder 60 të parat janë psh 9 shtete, që kanë më pak se 15 vjet, që ekzistojnë, psh Sllovenia, Estonia, Letonia, Lituania, apo Maqedonia edhe Kroacia, Timori Lindor bëjnë pjesë këtu."