1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëHungari

Demonstrata të mëdha kundër Orbanit

8 Prill 2024

Të udhëhequr nga Péter Magyar, në Hungari janë mbajtur protestat të mëdha kundër Orbanit. Ishin këto protestat më të mëdha prej vitesh.

Protestat kundër Orbanit
Protestat kundër OrbanitFotografi: ATTILA KISBENEDEK/AFP

Qindra mijëra njerëz u mblodhën në fundjavë në sheshin para Parlamentit hungarez në Budapest për të demonstruar kundër kryeministrit Viktor Orbán. Ata valëvitën flamuj hungarez, disa thërrisnin "Orban ik” dhe "Nuk kemi frikë”. Siç raporton Ana Tilak, korrespondente e shërbimit publik gjerman ARD, policia flet për rreth 250 mijë pjesëmarrës.

Njerëzit erdhën gjithashtu për të dëgjuar avokatin Peter Magyar (43), i cili deri vonë ishte anëtar i partisë Fidesz të Orbanit. Por në shkurt, Peter Magyar u bë befas i njohur për publikun e gjerë kur zbuloi detaje të punës së qeverisë.

Ai e quajti Hungarinë e Orbanit një shtet mafioz dhe paraqiti prova për këtë. Prokuroria e Shtetit është duke hetuar disa raste. "Qeveria duhet t'i kthejë pushtetin popullit dhe t'u japë atyre mundësinë për të zgjedhur," tha ai në një fjalim që zgjati gati një orë.

Protestat kundër Orbanit në HungariFotografi: Bernadett Szabo/REUTERS

Demonstratat më masive politike të viteve të fundit

Peter Magyar i ka inkurajuar njerëzit që t'i bashkohen lëvizjes së tij të re "Ngrihuni, hungarezë!", e cila synon të bashkojë hungarezët konservatorë dhe liberalë të zhgënjyer me Orbanin dhe një opozitë politike të fragmentuar dhe joefektive.

"Hungaria është në prag të falimentimit. Hap pas hapi, duhet të marrim në duar sërish atdheun tonë dhe të ndërtojmë një shtet të ri, një Hungari sovrane, moderne, evropiane”, tha ai. "Protestat e fundjavës ishin demonstratat më të mëdha politike të viteve të fundit në vend”, tha Magyar.

Protestat në HungariFotografi: Justin Spike/AP/dpa/picture alliance

Skandali që tronditi Hungarinë

Shkaku i protestave, ndoshta edhe fillimi i ngritjes së Peter Magyar në politikë, ishte skandali i shkurtit lidhur me faljen e një bashkëpunëtori të një drejtori shkolle që akuzohej për dhunë seksuale ndaj fëmijëve.

Për shkak të kësaj, Katalin Novak dha dorëheqjen nga posti i presidentes së Hungarisë. Edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Judit Varga hoqi dorë nga emri në listën Fidesz për zgjedhjet evropiane. Por ata nuk janë vërtet përgjegjës, tha Magyar.

Peter Magyar nuk mund të marrë pjesë me partinë e tij në zgjedhjet evropiane të 9 qershorit, sepse nuk mund të përmbushë afatet që kanë të bëjnë me themelimin e partisë. Megjithatë, ai është duke negociuar me partitë ekzistuese që njëra prej tyre ta lejojë të kandidojë.

Viktor OrbanFotografi: Damir Hajdarbasic/PIXSELL/picture alliance

Rezultati i zgjedhjeve evropiane në Hungari do të jetë "gozhda e parë në arkivol" e sistemit Orban, ka thënë Magyar. Shikuar nga sondazhet e fundit, Peter Magyar mund të fitojë të paktën dhjetë për qind të votave në Hungari.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë