1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dexit"? AfD do që Gjermania të dalë nga BE

21 Dhjetor 2024

AfD, në pjesë të saj ekstremiste e djathtë ka deklaruar në manifestin e saj elektoral se dëshiron që vendi të dalë nga Bashkimi Europian dhe të ndjekë modelin e Brexit.

Partia e ekstremit të djathtë AfD është kritike ndaj Bashkimit Europian dhe monedhës Euro. Demonstratë e AfD, pankart me mbishkrimin "E para, Gjermania”, flamuj gjermanë
“E para, Gjermania”! Partia e ekstremit të djathtë AfD është kritike ndaj Bashkimit Europian dhe monedhës EuroFotografi: Sean Gallup/Getty Images

Partia gjermane e ekstremit të djathtë AfD (Alternativa për Gjermaninë) e ka dyfishuar zotimin e saj se në rast se do të marrë pushtetin, do ta nxjerrë vendin jashtë BE-së dhe do të ndalojë përdorimin e monedhës së përbashkët europiane, Euro.

Në një manifest elektoral dërguar anëtarëve të saj para votimit brenda partisë, i parashikuar që të realizohet në fillim të janarit të ardhshëm, partia anti-migracion përsëriti premtimin e bërë gjatë zgjedhjeve europiane në verën e këtij viti, duke thënë se: “Ne mendojmë se është e nevojshme që Gjermania të dalë nga Bashkimi Europian dhe të krijojë një komunitet të ri europian”.

Si e përfytyron AfD Europën?

Në vend të BE-së, AfD dëshiron të paraqesë të ashtuquajturën platformë “Europa për atdheun” – një bashkim shtetesh që përfshin tregun e përbashkët dhe “komunitetin ekonomik dhe të interesave të përbashkëta”. Ekstremistët e djathtë kërkojnë gjithashtu të nxjerrin Gjermaninë nga zona e përbashkët monetare që hyri në fuqi në vitin 2002 dhe ta zëvendësojë atë me “union transfertash”. Partia pranon përmes këtij manifesti se një “ndryshim kaq radikal” s’do të ishte frytdhënës, prandaj propozon të rinegociojë marrëdhëniet me të gjitha shtetet anëtare të BE-së por dhe shtetet e tjera europiane.

Për këto çështje AfD kërkon mbajtjen e një referendumi, edhe pse dalja e vendit nga BE-ja s’do të ishte aq e thjeshtë pasi anëtarësia e Gjermanisë është “e vulosur” në Kushtetutë.

Edhe nëse në të ardhmen AfD do të qeveriste vendin dhe ta kërkonte zyrtarisht daljen e Gjermanisë nga Unioni, kjo lëvizje do të ishte anti-kushtetuese, pasi “Dexit” do të kërkonte 2/3 e shumicës parlamentare.

Tepër vonë për “Dexit”?

Plani i AFD-së përfaqëson një përforcim të pozicionit të partisë rreth temës së BE: në shkurt të këtij viti, bashkë-udhëheqësi i partisë Tino Chrupalla, tha se ishte "shumë vonë" që Gjermania të dilte nga BE-ja.

Sipas ekspertëve, “Dexit” nënkupton se "Gjermania o të ishte 5,5% më e varfër në 5 vitet e ardhshme"Fotografi: KIRILL KUDRYAVTSEV/AFP

Bashkë-udhëheqësja tjetër e partisë, njëkohësisht kandidatja për Kancelare, Alice Weidel, e përkufizoi “Dexit” më tepër si një “Plan B”, në një intervistë dhënë britanikes “Financial Times” disa kohë më parë.

Institucionet ekonomike dhe shoqatat industriale më të rëndësishme në Gjermani e kanë dënuar këtë propozim. Instituti ekonomik gjerman IW, me bazë në Këln, ka përllogaritur se dalja nga BE-ja do t’i kushtonte vendit 690 miliardë Euro (725 miliardë Dollarë), sepse Prodhimi i Brendshëm Bruto do të tkurrej në 5.6%, që përkthehet në 2.5 milionë vende pune më pak. “Dëmi do të ishte njësoj sa kriza e pandemisë dhe ajo e energjisë të marra së bashku” – thuhet në studimin e IW-së.

Shoqata Gjermane e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm (BVMW) ishte edhe më e ashpër, pasi e përshkroi planin e AfD-së si “mision kamikaz”.

Në një deklaratë të lëshuar para zgjedhjeve të BE-së në qershorin e këtij viti, BVMW-ja theksoi të gjithë elementët pozitivë që sjell monedha e përbashkët për bizneset e vogla dhe të mesme: “Bashkimi monetar është plotësimi i duhur i tregut të përbashkët të BE-së. Ky treg krijon lehtësira të konsiderueshme për shitjen e mallrave dhe shërbimeve në vendet e tjera të Unionit. Euro eleminon rreziqet e pallogaritura për kompanitë tregtare”.

Ronald Gläser, zëdhënës i AfD-së në Berlin, i hedh poshtë këto shqetësime.

"Po, Gjermania përfiton nga BE-ja, por ne besojmë se do të kishim përparësi edhe nga marrëveshje të tjera” - tha Gläser për DW. "Dhe kur dëgjoj ekonomistët që pretendojnë se dalja do të sillte katastrofë ekonomike, atëherë unë ngre pyetjen: A janë të njëjtët që thanë se Europa dhe Anglia do të ndikoheshin në mënyrë të tmerrshme nga Brexit? I mbaj mend të gjithë skenarët e frikshëm asokohe, por në fakt gjithçka shkoi pak a shumë normalisht”.

Një raport i publikuar nga “Cambridge Econometrics” në janarin e këtij viti evidentoi se Brexit bllokoi rritjen ekonomike dhe punësimin në Mbretërinë e Bashkuar, duke parashikuar se vendi do të shënojë 3 milionë vende pune më pak deri në vitin 2035.

Mësimet që nxirren nga Brexit

Studimi i IW-së u mbështet tek ndikimet që Brexit pati në rajonet britanike që kanë ekonomi të ngjashme me rajonet gjermane.

"Ne mund të kemi lehtësisht pasoja shumë herë më të mëdha, sepse jemi më të ndërlidhur me BE-në sesa britanikët. Ne kemi Euron, që do të thotë se do të kishim më shumë ndërlikime se britanikët" – tha drejtori ekzekutiv i IW-së, Hubertus Bardt, njëkohësisht bashkëautor i raportit.

AfD dëshiron që vendi të ndjekë modelin e BrexitFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

“Dexit” nënkupton se ne do të ishim 5,5% më të varfër në 5 vitet e ardhshme” – tha Bardt për DW.  Sipas tij, "kjo do të ishte një krizë e rëndë ekonomike, e paralajmëruar shumë kohë më parë”. “Sigurisht që do të ishte veçanërisht e dëmshme për kompanitë që varen nga tregjet dhe furnizuesit e shteteve të tjera të BE-së” - shtoi ai.

Zëdhënësi Gläser beson se një zgjidhje e ngjashme do të mund ta ruante tregtinë e lirë. "Përse mendoni se kompanitë dhe konsumatorët në Itali, Francë, Suedi apo kudoqoftë, s’do t’i donin më produktet gjermane nëse vendi s’është më pjesë e BE-së? – thotë ai. “As Zvicra nuk është në BE, por eksporton në të gjitha shtetet”.

“E konsideroj këtë ide jorealiste, të pakuptimtë dhe tymnajë të kotë” – thotë Berdt. “Shkatërrimi i BE-sënuk do të sillte një model të ri më të mirë se aktuali”.

“Rrënjët” anti-BE

Por ideja për “Dexit” nuk është e mirëpritur mes popullatës gjermane. Një anketim i publikuar këtë vit, nga Fondacioni “Konrad Adenauer” (KAS), i cili është afër partisë konservatore Unioni Kristian-Demokrat (CDU) arriti në përfundimin se 87% e gjermanëve do të votonin pro BE-së nëse do të duhej të votonin në referendum.

Dalja e vendit nga BE-ja s’do të ishte aq e thjeshtë, pasi anëtarësia e Gjermanisë në Union është “e vulosur” nga KushtetutaFotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP Photo/picture alliance

Por përse AfD vendosi që ta përfshinte një masë të tillë drastike dhe jopopullore në manifestin e saj elektoral? Gläser këmbëngul se dalja nga BE-ja do të ishte e duhura për gjermanët, u pëlqen ose jo atyre. “Ne nuk i hartojmë politikat në bazë të anketimeve. Ne duam të vëmë në zbatim idetë që i mendojmë të nevojshme dhe të rëndësishme”.

Wolfgang Schroeder, ekspert i shkencave politike në universitetin e Kassel, theksoi se qëndrimi i AfD-së është në përputhje me parimet mbi të cilat u krijua: në vitin 2013 ata u krijuan si parti ekonomistësh, kritikë pas krizës së Euros. Më pas nisën të vinin theksin tek politikat anti-migracion, por euro-skepticizmi i tyre ishte ende aty, edhe pse jo aq i dukshëm sa në fillimet e tij.

“AfD, parti nacionaliste”

"Në thelb, AfD është parti nacionaliste" – tha Schroeder për DW. "Ajo është kundërshtare e globalizmit, i cili ka sjellë gjithnjë me vete një sjellje skeptike ndaj autoriteteve ndërkombëtare. Për ta, të gjitha organizatat ndërkombëtare si BE apo OKB kanë qëllimet dhe vlerat e tyre, dhe për këtë arsye janë rrezik për vullnetin e vërtetë të njerëzve”.

Por a është AfD serioze në propozimin e saj për ta zëvendësuar BE-në me një tjetër lloj komuniteti ndërkombëtar, edhe pse kjo do shkaktonte “dhimbje koke” për ekonominë dhe kushtetutën? "Mund t’i përgjigjemi kësaj pyetje në dy mënyra" – thotë Schroeder. "Nga njëra anë, themi që ata nuk e kanë seriozisht për aq kohë sa përfaqësojnë pakicën dhe mund të thonë ç’të duan për të treguar panoramën e një bote ndryshe.

Personalisht, Schroeder mendon se pozicioni i AfD është një “bast që kushton shumë pak, por në plan afatgjatë”. “Ata po vënë bast se shumë shtete do të bien dakord me Euro-skepticizmin e tyre dhe në të ardhmen do të jetë që zhvillim i ri që shkon në drejtimin e Eurazisë, me perspektiva të reja ekonomike dhe politike”.