Dhjetëra të vdekur në Kabul
28 Dhjetor 2017Nga një sulm vetëvrasës ndaj agjencisë së lajmeve Afghan voice dhe një qendre kulturore në kryeqytetin afgan, Kabul kanë humbur jetën 40 vetë dhe janë plagosur rreth 40 të tjerë. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme afgane u shpreh, se një atentator vetëvrasës kishte hedhur veten në erë brenda ndërtesës. Kur njerëzit rendën për ndihmë shpërthyen edhe dy bomba të tjera.
Përgjegjësinë për sulmin terrorist e mori i ashtuquajturi "Shteti Islamik", IS, siç bëri të ditur agjencia e tyre online, Amaq. Teksti përkatës nuk mund të verifikohej për vërtetësinë e tij- Sulmi u krye në një lagje shiite, ku në muajt e kaluar terroristët e IS-it kanë kryer disa atentate, i fundit në tetor ku humbën jetën 70 vetë. Nga janari në Kabul janë kryer më shumë se 20 atentate terroriste me qindra të vdekur e të plagosur. Kryeqyteti afgan konsiderohet ndërkohë si një nga rajonet më të rrezikshme për civilët në Afganistan.
la/(afp, dpa, rtr)