1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhjetramijëra njerëz në Europë solidarizohen me Ukrainën

6 Mars 2022

Lufta në Ukrainë i ka tronditur njerëzit në Gjermani. Në shumë qytete në mbarë Europën të shtunën (05.03) sërish dhjetramijëra vetë protestuan në rrugë për paqen dhe kundër luftës.

Ukraine-Konflikt - Proteste in Hamburg
Fotografi: Jonas Walzberg/dpa/picture alliance

Në shumë qytete të Gjermanisë sërish dhjetramijëra vetë kanë dalë në protesta kundër sulmit rus ndaj Ukrainës. Në manifestime e demonstrata pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me njerëzit në Ukrainën e përfshirë nga luftimet. Vetëm në Hamburg, sipas të dhënave të policisë, kanë protestuar deri në 30.000 vetë. Në pankarta ishin parrulla me thirrje: "Stop Putin stop war" ose "Vendosni paqe". Natalia Kliçko, bashkëshirtja e kryebashkiakut të Kievit Vitali Kliçko, duke folur në pultin e referuesve para protestuesve bëri thirrje për mbështetje për Ukrainën.

Një varg me njerëz i krijuar në distancën që nga konsullata uktrainase deri tek ajo ruse në Mynih kërkuan fundin e luftës. Sipas të dhënave policisë rreth 2000 vetë u mblodhën në vargun e njerëzve në Mynih. Disa pjesëmarrës në demonstratë kërkuan, që presidenti rus Vladimir Putin të përgjigjet përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Protesta n​​ë HamburgFotografi: Daniel Reinhardt/dpa/picture alliance

Nën titullin "muzikë për paqen" në Shtutgart orkestra të njohura, kore dhe këngëtarë si dhe muzikantë amatorë demonstruan nën tingujt e muzikës kundër luftës. Përpara operas orkestra e Filharmonisë së Shtutgartit, opera e Shtutgartit, orkestra simfonike e SWR dhe të tjera orkestra interpretuan ndër të tjera "Odën e gëzimit" nga Ludwig van Beethoven. Pjesëmarrës ishin kore, muzikantë profesionistë, këngëtarë dhe amatorë.

Në Dyseldorf, në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW), demonstruan rreth 5000 vetë nën moton "Bashkë kundër agresionit rus". Zëvendëskryeministri i NRW-së Joachim Stamp (FDP) në demonstratë kujtoi edhe "ruset e rusët e guximshëm, që pavarësisht represioneve dalin në protesta në rrugë".

Edhe në shumë vende dhe qytete të tjera të Europës janë mbledhur shumë njerëz në manifestime proteste për paqen.

Edhe presidenti i Letonisë mori pjesë në protestë në kryeqytetin Riga, ku u mblodhën dhjetramijëra vetë. Nën moton "Bashkë për Ukrainën! Bashkë kundër Putinit!" demonstruesit mbanin flamuj të mëdhenj ukrainas duke i shpalosur ato në qendër të qytetit. Krahas pankartave demonstruesit mbanin lart flamujt ukrainas dhe letonezë. Sipas organizatorëve në protestë merrnin pjesë rreth tridhejtëmijë vetë. Ndër ta edhe presidenti letonez Egils Levits.

Protesta në RomëFotografi: Filippo Monteforte/AFP

Në Romë demonstruan dhjetramijëra vetë kundër luftës në Ukrainë. Manifestuesit mbanin flamuj të mëdhenj shumëngjyrësh paqeje. Në manifestimin në sheshin Piazza San Giovanni, sipas të dhënave të policisë, u mblodhën rreth 25.000 vetë. Herë pas herë rrugës ndodheshin deri në 40.000 vetë.

Rusia nisi më 24 shkurt sulmin ndaj Ukrainës. Që nga ajo ditë më shumë se një milionë ukrainas kanë marrë arratinë nga vendi i tyre, ka gjithashtu edhe të plagosur e viktima. Që nga java e kaluar qindramijëra vetë në mbarë Europën kanë nisur protestat kundër luftës. Edhe në Rusi disa mijëra vetë protestojnë. Të shtunën e kaluar (26.02) në Berlin protetsuan mbi  100.000 vetë, 70.000 në Pragë dhe 40.000 në Madrid.

haz/uh (dpa, afp)