Dhoma e ndenjes e olimpionikëve
29 Janar 2014
E para u ngrit gjatë Lojërave Olimpike 1988 në Calgary, që atëherë Shtëpia Gjermane është kthyer në një institucion. Ajo është "si një lloj dhome ndënjeje për ekipin gjerman", shpjegon Michael Vesper, shef i Misionit të Ekipit Gjerman në Lojërat Olimpike. "Atje zhvillohen takimet me partnerët tanë, me politikën. Atje shpresojmë të festohet shumë, por nganjëherë ka pasur edhe mërzi dhe janë derdhur lotë."
Vesper do të jetë një mysafir i rregullt i Shtëpisë Gjermane gjatë Lojërave Olimpike Dimërore. Kërkimi i një vendi të përshtatshëm ishte i vështirë, por pastaj erdhi ndihmë nga Shoqata gjermane e Skive, e cila kishte marrë me qera një hotel në malet e Kaukazit. Atje kishte vend të mjaftueshëm për më shumë dhe kështu Liga Gjermane e Sportit Olimpik vendosi menjëherë të marrte me qera të gjithë kompleksin. Dhe kështu "dhoma e ndenjes" e ekipit gjerman në olimpiadë gjendet në male, atje ku zhvillohen garat në borë, në lartësi 560 metra.
Natyrë e bukur
Lokaliteti në malet Krasnajas Poljanas fitoi pikë krahas natyrës së bukur malore para së gjithash me afërsinë me vendet e zhvillimit të garave dhe fshatrat olimpikë dhe paraolimpikë. Qendra e rrëshqitjes me pista për bob dhe slitë është më pak se dy kilometra larg. Deri në qendrën e hedhjes me ski janë katër kilometra dhe deri në vendin e zhvillimit të garave alpine me ski dhe garave të biatlonit janë respektivisht gjashtë dhe tetë kilometra. Parku i Olimpias në Soçi është 45 minuta me makinë larg dhe mund të arrihet edhe më shpejt me linjën e re hekururdhore.
Atletët kanë në dispozicion 685 kilometra katrorë, restoranti i hotelit "Chalet" javët e fundit është rikonstruktuar sipas kërkesave. "Atje do të gjejnë vend deri në 350 të ftuar njëherësh", siguron Vesper. "Ka hapësirë të mjaftueshme për biseda, por edhe për të festuar." Atje ka hapësirë edhe për pyetje kritike. Në Shtëpinë Gjermane Michael Vesper do të zhvillojë biseda edhe me Lëvizjen Evropiane të Lesbikeve dhe Homoseksualëve, intervistat kritike janë të lejuara shprehimisht. "Ne i informojmë atletet dhe atletët për ligjin për propagandën", shpjegon Vepser. "Karta Olimpike nuk lejon në asnjë mënyrë diskriminimin dhe për këtë arsye nuk do të ketë diskriminime të tilla. Nëse kjo do të ndodhë, do të mbajmë qendrim."
Atmosferë bavareze
Gjatë lojërave në Shtëpinë Gjermane do të ketë shumë aktivitete, nga sfilatat e modës dhe prezantimet e librave deri tek meshat gjatë Lojërave Paralimpike. 5900 salçiçe të bardha dhe vjeneze si dhe birrë gjermane dhe dy shtëpi masive druri do të kujdesen për të krijuar një ambient festiv tradicional bavarez. Përballë atentateve të Volgogradit edhe siguria luan një rol qendror në pregatitje.
DOSB (Liga Gjermane e Sportit Olimpik) është në kontakt të ngushtë me autoritetet gjermane të sigurisë, të cilat ofrojnë konsulencë dhe mbështetje, por Vesper bën të qartë se: "Garantimi i sigurisë është detyrë e qeverive përkatëse, pra në këtë rast i qeverisë ruse, e cila duhet të bëjë gjithçka për të garantuar sigurinë jo vetëm të sportisteve dhe sportistëve por edhe të gjithë publikut, gazetarëve dhe të gjithë të tjerëve që do të jenë të pranishëm." Dy specialistë të Zyrës Federale të Kriminalistikës do të shoqërojnë ekipin olimpik gjerman në Soçi, në mënyrë që ata të jenë gjithnjë të informuar më së miri dhe të përqendrohen plotësisht tek aspekti sportiv. Objektivi i caktuar është: rreth 30 medalje dhe një vend në tre vlerësimet në rang kombesh. Në Shtëpinë Gjermane para së gjithash duhet të festohet sa më shumë.