1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna djathtiste në shkolla

13 Maj 2023

Racizmi mbetet një realitet në Gjermani. Shqetësuese është rritja e dhunës tek të rinjtë, madje edhe në shkolla tek fëmijët.

Protest gegen Rechtsextremismus in Deutschland
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me flamuj dhe pankarta shumëngjyrëshe, të cilat i pikturuan dhe rregulluan vetë, ata marshuan para një shkolle në Cottbus. Në landin Brandenburg, në lindje të Gjermanisë, rreth 150 nxënës, mësues dhe prindër protestuan të martën, më 9 maj, kundër dhunës së krahut të djathtë. "Çështja e racizmit, seksizmit dhe homofobisënë shkolla na prek të gjithëve," tha mësuesi Max Teske para protestuesve. "Është një kërcënim për të gjithë shoqërinë."

Teske dhe kolegia e tij Laura Nikel tërhoqën shumë vëmendjen e publikut gjerman me letrën e tyre në fund të muajit prill. Në të, ata raportuan për muzikë ekstremiste të djathtë në shkolla, kryqe naziste në inventarin e shkollës dhe fyerje nëpër korridore të shkollës.

"Disa nxënës të huaj dhe tolerantë në shkollën tonë po përballen me izolim, bullizëm dhe kërcënime me dhunë”, thonë mësuesit e një shkolle fillore dhe të mesme pranë qytetit Cottbus. Ata thonë se nuk duan më të heshtin lidhur me këtë fenomen dhe se do të kërkojnë më shumë punonjës socialë, më shumë kurse për trajnimin e mësuesve dhe zbatimin e disa projekteve për promovimin e demokracisë në shkolla.

Demonstrata në CottbusFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Më shumë se 500 viktima të dhunës djathtiste

"Për fat të keq, këto nuk janë raste të izoluara, por vetëm maja e ajsbergut”, tha Hajke Klefner për DW. Numri i fëmijëve dhe të rinjve që janë bërë viktima të sulmeve antisemite dhe raciste, është dyfishuar në vitin 2022. Qendrat për ndihmën e viktimave të dhunës kanë regjistruar më shumë se 520 raste në të cilat fëmijë dhe të rinj janë lënduar fizikisht."

Numri total i rasteve në vit mund të shihet edhe nga të dhënat statistikore.

Fotografi: Imago Images/imagebroker

Janë regjistruar gjithsej 2.871 viktima. Prej tyre, pothuajse 2.100 fëmijë dhe të rinj janë viktima të sulmeve të krahut të djathtë, racist dhe antisemitik - rreth 700 më shumë se një vit më parë. Rritja e rasteve të dhunës me motive politike, e cila vërehet në statistikat aktuale të policisë, përfshin jo vetëm sulmet fizike, por edhe aktet kriminale si fyerjet.

Frika nga sulmet

Kjo është "vetëm një pjesë e një realiteti vërtet dramatik," thotë Klefner. Në realitet, numri i sulmeve është ndoshta shumë më i lartë. "Ne dimë shumë raste kur viktimat thonë se kanë frikë të flasin hapur për këtë, sepse autorët jetojnë në lagje, kanë frikë se do të akuzohen se janë fajtorë vetë.

Dy mësuesit në demonstratëFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Sulmet e këtij lloji shpesh kanë pasoja afatgjata për viktimat, thotë Klefner. Si shembull, ai përmend një djalë tetë vjeçar, i cili u ofendua, u shty dhe shqelmua nga një burrë 71-vjeçar në një pishinë në Turingi në shkurt 2022. "Për shkak të këtij sulmi, fëmija është ende nën ankth, është shumë i frikësuar dhe në terapi. Familja me të drejtë ka frikë se nuk janë më të sigurt. Ata thonë: "Nuk e dimë se kur do të takojmë burrin apo gruan tjetër që do të na ofendojë, diskriminojë apo dhe lëndojë fizikisht për arsye raciste”.

Kërcënimet në kampin veror

Në Heidese, jo shumë larg Berlinit, të dielën e kaluar, më 7 maj, policia arriti të parandalojë që fyerjet dhe kërcënimet të shndërrohen në lëndime fizike. Një klasë e një shkolle të Berlinit, kryesisht me origjinë migrante, po përgatitej për një provim matematike në një kamp. Sipas raportimeve, mbrëmjen e së dielës disa të rinj kanë fyer për shkak të prejardhjes nxënësit e klasës së dhjetë dhe i kanë kërcënuar me dhunë. Nën mbrojtjen e policisë, nxënësit dhe mësuesit e tyre u larguan nga kampi.

Demonstrata para Zyrës ArsimoreFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

"Është një sinjal vërtet i rëndësishëm që kjo klasë gjeti guximin për të ndarë përvojat që kishin me kërcënimet e krahut të djathtë, dhunën e krahut të djathtë dhe racizmin," thotë Heike Klefner nga Shoqata e Këshillimit të Viktimave. "Kjo është mënyra e vetme për të ndryshuar vërtet diçka."

Leje qëndrimi për viktimat e dhunës së djathtë?

Klefner i bën thirrje ministres së Brendshme gjermane Nancy Faeser që të sigurojë leje qëndrimi për ata që janë prekur nga dhuna raciste dhe antisemite. "Kjo e drejtë humanitare për qëndrim do t'u mundësonte atyre që u sulmuan të jenë në dispozicion si dëshmitarë gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedurës penale. Dhe ky do të ishte një sinjal i qartë se shteti i së drejtës është në anën e atyre që sulmohen.” Në vitin 2021, Partia e Majtë paraqiti një projektligj përkatës në parlament, por nuk mori mbështetjen e shumicës.

Ministrja e Brendshme e quajti incidentin në kamp "të tmerrshëm". "Ishte gjithashtu e tmerrshme që ata që u sulmuan duhej të bënin lëshime," vuri në dukje Faeser, duke paraqitur të martën të dhënat më të fundit mbi dhunën e motivuar politikisht në Gjermani. Ajo bëri thirrje për një hetim të plotë, me qëllim që të parandalohet që diçka e tillë të përsëritet. Ndërkohë, Shërbimi i Sigurimit po heton për nxitje urrejtjeje dhe kërcënime.

Dy mësuesit në demonstratëFotografi: Patrick Pleul/dpa/picture alliance

Përvojat dhe trajtimi i tyre

Sipas Senatit të Berlinit për Arsimin, nxënësve të prekur dhe prindërve të tyre tashmë u janë ofruar takime për mbështetje psikologjike të hënën, më 8 maj. "Është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe mësuesit të kenë mundësinë të flasin për atë që kanë përjetuar me njerëz të cilëve u besojnë dhe, nëse dëshirojnë, me psikologë e këshilltarë të trajnuar për pasigurinë, frikën dhe ndjenjën e vazhdueshme të cenueshmërisë që mund të shoqërojë një përvojë të tillë - veçanërisht për ata që janë të prekur nga migrimi familjar ose përvoja e arratisjes”, thotë Klefner.

Ministrja e Brendshme, Nancy FaeserFotografi: Nadja Wohlleben/Reuters

Raportet e dhunës së krahut të djathtë u kujtojnë disa vëzhguesve vitet 1990, kur një valë sulmesh me motive racore në Gjermani shkaktoi frikë dhe terror. Atëherë, si tani, sipas statistikave, rreziku për t'u bërë viktimë e një sulmi të tillë ishte më i lartë në shtetet e Gjermanisë Lindore sesa në Perëndim.

Heike Klefner, megjithatë, sheh një ndryshim të rëndësishëm: "Dhjetë, njëzet apo tridhjetë vjet më parë, fokusi nuk ishte në përvojat e atyre që u sulmuan dhe u plagosën." Kjo është ndryshe në raportimin tani. "Ishte shumë e nevojshme," thotë Klefner, "sepse ata që preken nga ky problem shumë shpesh mendojnë se perspektiva e tyre, përvojat e tyre nuk besohen por ata dyshohen". Ata që preken nga dhuna e krahut të djathtë shpesh u besojnë vetëm njerëzve që punojnë në Qendrat e Këshillimit të Viktimave.