Dhuna policore
22 Qershor 2007
Referentja e organizatës Amnesty International, Imke Diersen thotë:
"Eshtë një video shumë shokuese, por ne e dimë fare mirë se policia greke kryen shpesh keqtrajtime. Ne kemi dëgjuar shpesh edhe nga organizatat joqeveritare dhe avokatë të ndryshëm që punojnë në Greqi, se raste të tilla abuzimesh janë shtuar madje gjatë kohëve të fundit. Vikitmat e këtyre abuzimeve janë në shumicën e rasteve refugjatë, ndër të cilët ndodhen shpesh edhe të mitur."
Sidoqoftë menjëherë pas shfaqjes së kësaj videoje, zyrat përkatëse greke ndërmorrën të gjitha hapat e duhur dhe pezulluan menjëherë nga puna policët përgjegjës.
Por Diersen e Amnesty International shton: "Problemi është se në shumë raste të tilla na kanë informuar se ata që janë përgjegjës për veprime të tilla nuk janë ndërshkuar nga zyrat përkatëse. Dhe dihet se kur një veprim i tillë mbetet i pandërshkuar, tundimi është më i madh për të kryer veprime të tilla sërish."
Sidoqoftë raste të tilla nuk janë tipike vetëm për policinë greke. Sipas referentes së Amnesty International, Diersen, dhuna e policisë është një fenomen, i cili haset në ´shumë shtete evropiane:
"Nuk mund të them shifra të sakta por di se raste të tilla abuzimesh apo keqtrajtimesh nëpërmjet policisë ka në pothuajse të gjitha shtetet antare të BE-së. Si për shembull në Francë, ku gjithashtu ndodh shpesh që përgjegjësit nuk ndërshkohen. Ndërkohë në shtetet e Evropës Lindore ka shpesh raste ku minoritetet, si për shembull romët, janë keqtrajtuar rregullisht nga forcat e policisë. Edhe në Gjermani ka pasur raste të tilla. Në të gjitha këto vende mungon fatkeqësisht gadishmëria për ta ndjekur dhe për ta sqaruar sa më parë çështjen, që policët përgjegjës të pezullohen sa më parë nga detyra dhe që të krijohen sa më parë komisione të pavarura hetimore, për t´i çuar përgjegjësit përpara gjyqit."