Dhuna shoqëron protestën e opozitës në Tiranë
24 Janar 2026
Mes mjeteve piroteknike, përplasjeve fizike dhe gazit lotsjellës u zhvillua protesta e dyte kombëtare e thirrur këtë të shtunë (24.01) nga opozita shqiptare. Protestuesit hodhën bomba molotovë drejt Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit 11 efektivë u lënduan. Rreth 20 protestues u shoqëruan.
Berisha: "Stina e rezistencës do të vijojë
"Opozita ka arritur në kilometrin e fundit, para triumfit të saj” – u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përpara protestuesve që ishin vendosur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës qeveritare. Ai përsëriti akuzat ndaj qeverisë, duke thënë se "sot shumica e shqiptarëve e ka të qartë se Edi Ramakryeson organizatën kriminale më të rrezikshme në Europë”. Fundi i fjalimit të tij, duke mbajtur në dorë një flamur kombëtar, shënoi edhe nisjen e hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarreve në drejtim te Kryeministrisë. Forcat e policisë u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë. Më pas protesta u zhvendos drejt godinës së Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje të tjera mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Pas përfundimit të protestës, Berisha deklaroi se aksioni opozitar nuk do të ndalet me këtë tubim, pasi sipas tij "stina e rezistencës do të vijojë”.
Reagime për protestën
"Asgjë e re nga fronti i së keqes dhe keqbërësi Sali Berisha” – u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, menjëherë pas protestës kombëtare të Partisë Demokratike, në një status në rrjetet sociale. "Shpresoj që punonjësit e policisë të lënduar nga molotovët dhe mjetet apo lëndët e tjera të paligjshme të mos kenë dëmtime serioze” - shkruan më tej Balla.