Diagnozë e vështirë - autizmi
7 Maj 2013Ata shpesh u shmangen njerëzve të tjerë dhe nuk i kuptojnë ndjenjat e të tjerëve. Autistët janë disi ndryshe. Por si saktësisht? Studiuesit janë duke kërkuar shkaqet e çrregullimit, dhe pyesin veten: Cilat janë skajet e spektrit? Ku merr fund për shembull sjellja "normale" dhe ku fillon sëmundja e autizmit?
Kur shkëlqen dielli, Johni rri në dhomë. Atij nuk i pëlqen kur gjithçka rrezëllen dhe reflekton. Atij nuk i pëlqen kur flitet me zë të lartë - ose kur një fëmijë i huaj hipën në autobusin e shkollës. Johni është dymbëdhjetë vjeç dhe është autist.
"Ai nuk di të shkruajë, ai nuk di të flasë, nuk e kupton çdo gjë. Në një kuptim, mund të thuhet se ai është si një fëmijë një apo dy-vjeçar." - thotë Monika Shile Knight.
Kur Johni ishte tre vjeç, thotë Monika Shile Knight, mjekët diagnostikuan autizëm në stadin foshnjor. Tek njerëzit me këtë formë të autizmit zhvillohet pak gjestikulacioni dhe shprehja e fytyrës dhe ata kanë vështirësi të kuptojnë emocionet. Shumë duan të ndjekin gjithmonë të njëjtat rituale të përsëritura, mënyra të caktuara ose rutina te përditshme.
Edhe Rainer Dohle është autist. Ai është qe i rritur kur te ai u konstatua sindromi Asperger - një tjetër formë e autizmit. "Në dëftesën time shkruhej gjithmonë: ... Ai nuk do të ketë lidhje me klasën. Unë gëzohesha kur më linin vetëm dhe mund të lexoja. Unë jam mjaft inteligjent dhe kam interes për gjeografinë dhe historinë. Unë nganjëherë bëj lista të gjata për mbretërit apo kryeqytetet ose nuk e di se çfarë ... "
Ndërsa disa njerëz me autizëm nuk mësojnë kurrë të flasin, të tjerë bien herët në sy prej gjuhës së tyre të zgjedhur. Nga pikëpamja motorike ata janë të ngathët. Të tjerët qëndrojnë për orë të tëra duke vizatuar. Ka si autistë me të meta mendore edhe autistë me një kujtesë të jashtëzakonshme për numra. Por ata të gjithë shfaqin zakonisht modele të përsëritura sjelljeje dhe kanë vështirësi të ngjashme për të bashkëvepruar me të tjerët.
Studiuesit e autizmit, si Sven Bëlte, drejtor i qendrës për çrregullime nervore të zhvillimit në Institutin Karolinska në Stokholm, flasin sot për çrregullime spektrale të autizmit. Shkak: një zhvillim neural atipik - por ende i pasqaruar përfundimisht. Skanimet e trurit të njerëzve me autizëm, për shembull, tregojnë më pak aktivitet në rajonet që janë përgjegjëse për përpunimin e emocioneve dhe për gjuhën. Dhe shumë aktivitet aty ku njihen dhe përpunohen sisteme dhe objekte. Po ashtu tek njerëzit me autizëm ka një shpërndarje tipike të ndryshme të neurotransmeuesve për ndjenja të caktuara - të cilët luajnë rol për kontrollin e ankthit dhe motivimin. Përveç kësaj janë zbuluar dhe një numër gjenesh dhe mutacionesh gjenesh të lidhura me autizmin. Por shpesh këto shpjegojnë vetëm disa nga simptomat e autizmit, të tilla si dëmti i aftësisë për të folur dhe shpesh ndeshen edhe tek personat e shëndetshëm, apo ata që janë me prapambetje mendore, epilepsi ose deficite vëmendjeje.
"Pra duhet të ketë faktorë të tjerë veç gjenetikës Ka një studim nga Danimarka, dhe siç është vërejtur ka një lidhje me infeksionet virale gjatë shtatzënisë. Kur nëna ka pasur infeksione virale rreziku që fëmija të jetë autik rritet një deri në dy përqind. Por mund të ketë edhe ndërlikime më vonë, si p.sh. gjatë lindjes. Mund të ketë edhe ndikim nga helmet mjedisore - ky mund të jetë një bashkëveprim individual mjaft kompleks" - sqaron Sven Bëlte.
Se çfarë është pra autizmi mjekët psikiatër dhe neurologë ende e vendosin kryesisht në bazë të sjelljes së personave: veprime dhe sjellje të përsëritura, probleme në ndërveprimin shoqëror. Por këto mbeten vlerësime subjektive. Diagnoza dhe heqja e kufirit mes të sëmurit me autizëm dhe atij që nuk është i sëmurë lidhet me konstatimin nëse dikush është në gjendje t'i përballojë vetë ose jo detyrat e jetës së përditshme.