Dialog strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës
10 Janar 2025Kosova dhe SHBA pritet së shpejti të përmbyllin dialogun strategjik që do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës. Këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi për media zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma.
Lajmi mirëpritet në Kosovë
"Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidentes. Sipas presidentes Osmani, dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Normalizmi i marrëdhënieve me Serbinë - temë bisedimesh
Zëvendës Sekretari amerikan Verma, i cili vizitoi Kosovën në kuadër të një vizite në rajon, nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm për takimet në Kosovë. Departamenti Amerikan i Shtetit më herët tha se Zëvendëssekretari Verma do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimo për integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal. Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu pati njoftuar se Richard R. Verma, në Kosovë do të diskutojë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Verma viziton Beogradin
Zëvendëssekretari amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma nga Kosova udhëton për në Beograd, ku pritet të theksojë siç thuhet, partneritetin strategjik në rritje edhe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, zoti Verma do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë. SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Vizita në rajon e Zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, zhvillohet vetëm pak ditë para se administrata Biden përfundon mandatin dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.