Dialogu edhe më tej pa rezultate konkrete
2 Dhjetor 2011Edhe një ditë tjetër e dialogut dhe përsëri mbi 12 orë bisedime në mes të delegacionit të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel nuk rezultuan me ndonjë marrëveshje konkrete për dy temat kryesore: menaxhimin e kufijve përkatësisht pikëkalimeve kufitare dhe përfaqësimin e Prishtinës në takimet rajonale. Kreu i ekipit negociator serb, Borislav Stefanoviq thotë se Prishtina ishte ajo që nuk ishte e gatshme për marrëveshje:
"Ata vazhduan me kërkesat e tyre maksimaliste, me synimin që të konfirmojnë të ashtuquajturën shtetësinë e tyre. Kjo ishte e papranueshme për ne dhe sot ne nuk kemi arritur të biem dakord për zgjidhjen e çështjes së kalimeve administrative dhe përfaqësimin rajonal ", theksoi Stefanoviq.
Kryenegociatori nga Beogradi vë në dukje se Prishtinën gjatë diskutimit për përfaqësimin rajonal e pengon shumë "termi 1244". Ndërsa kur është fjala kalimet sipas fjalëve të Stefanoviqit problem paraqet "përpjekja e Prishtinës për zbatimin e vullnetit të saj që qytetarët e nacionalitetit serb të qarkullojnë me targat dhe dokumentet e tyre" si dhe çështja e theksimit të simboleve të shtetësisë së Kosovës.
A do të ketë një ditë tretë të bisedimeve?
Edhe pse nuk ka pasur marrëveshje përfundimtare, delegacioni nga Beogradi thonë se megjithatë është shënuar përparim në të dyja çështjet, si dhe përmirësimi i mundësisë për zbatimin e lirisë së lëvizjes, e cila duhet të "bëjë të mundur funksionimin normal nëpërmjet linjave administrative", thotë Stefanoviq. Në të njëjtën kohë ekipi i Beogradit thotë se mbetet e përkushtuar për dialogun dhe janë të gatshëm për të qëndruar në Bruksel për aq sa ka nevojë me qëllimi të vazhdimit të dialogut. Agjencitë e lajmeve shkruajnë se negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit mund të vazhdojnë gjatë fundjavës.
Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama