1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dick Marty akuzon ish-krerët e UÇK-së për krime & PDK fiton zgjedhjet në Kosovë & Mali i Zi kandidat për anëtarësim në BE

17 Dhjetor 2010

Raporti i Dick Marty-t për krimet e bëra gjatë luftës së Kosovës prej ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj dhe të tjerëve ka shkaktuar këtë javë një bujë reagimesh. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së një padie kundër Dick Marty. Xhavit Haliti pohon se akuzat e ngritura janë absurde dhe plotësisht të pabaza. Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi është i mendimit se raporti ka vetëm qëllime politike, ndërkohë që pala serbe pohon se paraqitja e këtij raporti paraqet një fitore të madhe për Serbinë. Raporti i Dick Marty-t u paraqit zyrtarisht ditën e enjte në Francë.

Raporti i Dick Marty-t u paraqit vetëm disa ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë ku partia Demokratike e Kosovës, e kryeministrit Hashim Thaçi sërish fitoi më së shumti vota.

Ndërkohë është konfirmuar se në disa komuna ka pasur parregullësi të shumta në zgjedhje. Në tri komuna zgjedhjet do të përsëriten në tërësi, ndërsa në dy komuna pjesërisht.

Në samitin e vendeve të BE në Bruksel është rënë dakord që Malit të Zi t'i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim. Shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve të BE-së kanë rënë dakord edhe për krijimin e mekanizimit permanent për krizat në eurozonë. Ata i sinjalizojnë tregjeve me këtë ujdi se Evropa do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur monedhën e përbashkët.

Autor: Elert Ajazaj/Bekim Shehu/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani