1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dikh He Na Bister - Shiko dhe mos harro

4 Gusht 2024

Një nga kapitujt më të errët të historisë është gjenocidit ndaj romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Programi rinor Dikh He Na Bister ("Shiko dhe mos harro") synon të mbajë gjallë përkujtimin për këtë gjenocid.

Ekspozita përkujtimore per persekutimin nazist ndaj sint dhe romëve në kampin e përqendrimit në Auschwitz-Birkenau
Gjatë regjimit nazist sintit dhe romët u përballën me persekutim sistematik, dërgim dhe ekzekutime masive në kampe përqendrimi, si në Aushvic-BirkenauFotografi: Fatlum Kryeziu/DW

"Njohja dhe përkujtimi i gjenocidit ndaj romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore është një akt i rëndësishëm për të kujtuar viktimat dhe për të edukuar brezat e rinj për rreziqet e urrejtjes dhe të paragjykimeve. Është një mënyrë për të siguruar që e kaluara të mos harrohet dhe që tragjedi të tilla të mos përsëriten." - thotë Erxhan Galushi, deputet dhe përfaqësues i komunitetit rom nga Republika e Kosovës. 

Erxhan Galushi është një nga përfaqësuesit e komunitetit rom që mori pjesë në ceremonitë përkujtimore për 80-vjetorin holokaustit ndaj siti dhe romëve.

Përballja me historinë e nevojshme edhe në Kosovë

Erxhan Galushi thotë se një përballje me historinë e gjenocidit ndaj sinti dhe romëve është e nevojshme edhe në shtetin e Kosovës "sepse edukimi mbi tragjeditë historike, përfshirë edhe gjenocidin ndaj romëve, ndihmon për krijimin e një shoqërie të informuardhe të ndjeshme ndaj dhimbjes dhe vuajtjeve të të tjerëve. Kjo mund të parandalojë përsëritjen e tragjedive të tilla në të ardhmen."

Erxhan Galushi në kampin e përqedrimit Aushvitc-Birkenau Fotografi: Fatlum Kryezi/DW

Erxhan Galushi, tregon se do të nisë edhe në Kosovë edhe një nismë për përkujtimin e gjenocidit ndaj romëve, sepse sipas tij "njohja zyrtare e përkujtimit të gjenocidit të romëve ndihmon edhe për forcimin e identitetit dhe të kulturës së vetë komnitetit. Kjo mund të inkurajojë brezat e rinj romë të jenë krenarë për trashëgiminë e tyre dhe të kontribuojnë aktivisht në shoqëri." 

Rëndësia e edukimit dhe e përkujtimit

Nisma Dikh He Na Bister (Shiko dhe mos harro) synon të mbajë gjallë përkujtimin e gjenocidit ndaj sinti dhe romëve duke organizuar në vende të ndryshme hapësira ​​për të mësuar për të kaluarën dhe për të reflektuar për rolin e të rinjve në kujtimin e Holokaustit.

Në 80-vjetorin e holokaustit kundër sinti dhe romëve 400 të rinj, kryesisht nga komuniteti sinti dhe rom, të ardhur nga e gjithë bota vizituan kampin e përqëndrimin Aushvic-Birkenau.Fotografi: Brunilda Kazani/DW

Kjo nismë mundëson një dialog dhe takim personal të të rinjve me të mbijetuarit e Holokaustit. Dëshmitë e tyre frymëzojnë pjesëmarrësit që të trajtojnë dhe të rezistojnë kundër sfidave aktuale të anticiganizmit dhe formave të tjera të racizmit sot në Evropë.

Gjenocidi ndaj romëve pjesë e kurrikulave shkollore

Përfaqësuesit e kësaj nisme duan që tema e gjenocidin rom të bëhet pjesë përbërëse e kurrikulave shkollore, sepse duke mësuar të rinjtë për këtë tragjedi mund të rritet ndërgjegjësimi dhe të promovohen vlera si toleranca dhe respekti reciprok.

Furkan Ago, këshilltar politik dhe aktivist rom nga Kosova merr pjesë për herë të dytë në nismën Dikh He Na Bister dhe thotë që kjo e ka ndihmuar për të zhvilluar një botëkuptim më ndryshe rreth historisë dhe pozitës së romëve në Kosovë.

Furkan Ago, aktivist rom nga KosovaFotografi: Fatlum Kryezi/DW

"Përkujtimi i 80 vjetorit të gjenocidit ndaj romëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe për të gjithë komunitetin rom. Është një mundësi për të nderuar kujtimin e viktimave dhe për të risjellë në vëmendje vuajtjet që kemi përjetuar. Ky përvjetor na kujton se sa e rëndësishme është të punojmë për të ndaluar diskriminimin dhe urrejtjen që ende ekzistojnë ndaj romëve sot. Megjithëse është bërë një përparim, niveli i ndërgjegjësimit dhe i edukimit mbi gjenocidin ndaj romëve është ende i pamjaftueshëm. Shumë vetë nuk janë të informuar për këtë kapitull të errët të historisë. Është jetike që edukimi mbi këtë gjenocid të bëhet pjesë integrale e kurrikulave shkollore, për të siguruar që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë.”