Syrien Arabische Liga
18 Nëntor 2011
Lidhja Arabe i ka njohur shenjat e kohës. Me qartësi dhe pa ekuivoke ajo i ka vënë tani Bashar al-Asadit pistoletën në gjoks. Ose regjimi i tij plotëson kushtet e planit të paqes të hartuar ose Lidhja Arabe do të vendosë sanksione. Kërkesa: sundimtari absolut në Damask duhet t'u japë deri në fund të javës amnesti të gjithë të burgosurve politikë dhe të tërheqë trupat siriane nga qytetet. Për të kontrolluar nëse Assad po e bën me të vërtetë këtë, atje duhet të dërgohet një grup vëzhguesish. Kjo është e vetmja mënyrë për Sirinë për t'u kthyer në gjirin e Lidhjes Arabe.
Shtetet arabe qëndrojnë pra konseguente në qëndrimin e tyre dhe po vazhdojnë ta shtrëngojnë darën për Assadin. Në fillim të kësaj jave Bashkimi Evropian kishte rënë dakord për sanksione te reja. Për Assadin, ajri është duke u bërë gjithnjë e më i hollë.
Deri tani pushtetmbajtësi sirian ka reaguar ndaj presionit në rritje me një brutalitet në rritje. Vetëm të hënën janë vrarë në trazira të paktën 70 vetë - më shumë se çdo ditë tjetër që nga fillimi i revoltës tetë muaj më parë. Në mënyrë të shfrenuar sillen edhe puthadorët e regjimit.
Edhe këtë javë, ata sulmuan përsëri ambasadat e huaja në Damask. Dhe nuk janë më vetëm selitë e vendeve perëndimore që sulmohen. Ka pasur edhe sulme mbi ambasadën jordaneze. Jo aksidentalisht, sepse mbreti i Jordanisë, Abdullah II, ishte i pari nga radhët e liderëve arabë që kërkoi në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje dorëheqjen e Assadit. Edhe Arabia Saudite ka bërë prej kohësh të qartë se do të donte sa më parë ta shihte Asadin të rrëzuar nga pushteti.
Por Asadi është një dhelpër dinake. Ai ende sheh mjaft hapësirë për të lëvizur dhe përpiqet ta mbrojë duke bërë aty-këtu pak lëshime mbijetesën e tij politike. Ultimatumi i ri, megjithatë, e ka shtuar presion mbi diktatorin. Sanksionet e vëna nga evropianët dhe vendet arabe mund ta çojnë në një periudhë afatmesme në vështirësi regjimin e tij. Edhe tani, turizmi një degë e rëndësishme për vendin ka ngecur në vend numëro. Por masat shtrënguese të shteteve fqinje arabe do ta godasin ekonominë siriane edhe më shumë. Tregtarët dhe bizneset e mesme përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së Sirisë dhe një bazë politike të rëndësishme për pushtetin e regjimit të partisë Baath. Nëse situata e tyre ekonomike do të vazhdojë të përkeqësohet në mënyrë dramatike, ata mund të mos e mbështesin më Assadin.
Përjashtimi i Sirisë nga Lidhja Arabe është gjithashtu një sinjal i shumëpritur prej fuqive me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca po punojnë prapa skenave për një rezolutë të re të OKB-së në të cilën do të denoncohen ashpër shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri. Vetëm Rusia, me politikën e saj si fuqi mbrojtëse ndaj aleatëve të fundit që i kanë mbetur në kampin arab, është tashmë ndërkombëtarisht krejtësisht e izoluar - në qoftë se Moska e merr vesh këtë, edhe ajo mund ta rishikojë qëndrin e saj.
Por megjithatë askush nuk flet për ndërhyrje ushtarake të vendeve të huaja në këtë vend. Kjo u bë sërish e qartë në takimin e Lidhjes Arabe në Rabat.Veprimet ushtarake në Libi nuk mund të barten në Siri për shumë arsye. As Turqia, as Izraeli dhe vendet fqinje arabe nuk duan ta sulmojnë Sirinë sepse si pasojë ka më të ngjarë -që një gjë e tillë të përfundojë në luftë civile. Në këtë sfond nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të rritet presioni - një strategji suksesi i së cilës nuk është i garantuar.
Autor: Daniel Scheschkewitz / Pandeli Pani
Redaktoi: Elert Ajazaj