Dimër tek Lufthansa, bie fitimi
20 Shkurt 2013
Lufthansa do të mbyllë deri në fund të 2017-s dy qendra të aktivitetit në Gjermani. Siç bëri të ditur në mbrëmje sipërmarrja në Frankfurt mbi Main, të prekura janë administrata qendrore në Këln dhe qendra e shoqërisë bijë Lufthansa Revenue në Norderstedt. Më shumë se 700 vendet e punës do të zhvendosen jashtë Gjermanisë. Po shqyrtohen edhe zhvendosje të tjera, u tha. Kryesia do të negociojë me përfaqësuesit e punëmarrësve në javët e ardhshme lidhur me planet në fjalë. Sipërmarrja e pati mbyllur bilancin e vitit 2012 me fitim, por regjistroi një rënie të fitimit në aktivitetin e saj të mirëfilltë.
Rënie e fitimit
Bilanci i sipërmarrjes nxjerr një rezultat në bazë koncerni prej 990 milionë eurosh. Krahasuar me një vit më parë kjo shumë është 13 milionë euro më e ulët. Sipas Lufthansës në këtë rezultat kanë ndikuar negativisht efektet e veçanta prej shitjeve të pjesëve që mbante sipërmarrja në sipërmarrje të tjera. Fitimi nga aktiviteti i mirëfilltë ra nga 820 milionë euro në 524 milionë euro, tha Lufthansa. Për vitin 2012 aksionarët nuk do të përfitojnë gjë, pasi kryesia e Lufthansës propozon që të mos paguhet dividend.