1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diploma në infermieri - Shans i stundetëve shqiptarë për të hyrë në tregun gjerman të punës

17 Korrik 2010

Universiteti Halle-Wittenberg në Gjermani u ofron studentëve shqiptarë mundësi për të përfunduar një master në infermieri. Në fillim të korrikut ai shpërndau tre diplomat e para.

Studentët nga Kosova dhe Shqipëria marrin diplomat e para në Halle-Wittenberg
Studentët nga Kosova dhe Shqipëria marrin diplomat e para në Halle-WittenbergFotografi: Petrit Beqiri

Nevoja e Gjermanisë dhe Evropës për staf infermieror rritet nga dita në ditë. Për vendet me traditë emigrimi dhe popullsi të re si Kosova dhe Shqipëria ky është një shans i ri. Universiteti Halle-Wittenberg u ofron studentëve shqiptarë mundësi për një master në infermieri. Në fillim të korrikut ai shpërndau tre diplomat e para.

Shqiptarët që studiuan në Halle-Wittenberg

Para se të fillonte studimin për infermieri në Universitetin Halle-Wittenberg, Fatmire Mustafa, e kishte në plan të qendronte në Gjermani. Por tani ajo ka gjetur një vend pune si docente në Fakultetin e Infermierisë në Prishtinë. Po ashtu edhe 26-vjeçari Idriz Sopjani. "Pretendimet e mia janë ta betonoj atë vend", thotë Sopjani. Dy studentët nga Prishtina si dhe Alida Ramaj nga Vlora janë shqiptarët e parë me master në infermieri.

Ata erdhën në Wittenberg me bursë të Shërbimit Gjerman për Shkëmbime Akademike DAAD, falë edhe ndërmjetësimit të Institutit të Evropës Juglindore për Avancimin e Shërbimeve Shëndetësore dhe Infermierore me seli në Prishtinë.

DAAD mbështet prej vitesh studentët nga Evropa Juglindore. Pamje e disa bursistëve pas përfundimit të qëndrimit në GjermaniFotografi: DW

Drejtori i tij, Petrit Beqiri, koordinon bashkëpunimin ndërmjet universiteteve përkatëse në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni me atë të Halle-Wittenbergut. Që të tre tani japin mësim përkatësisht në Prishtinë dhe Vlorë dhe paralelisht po shkruajnë doktoraturën në Halle. "Këta janë të parë me nivelin master dhe janë shumë të kërkuar në vendet gjegjëse, prandaj u desh që ata të kyçeshin në procesin e mësimdhënies në Kosovë e Shqipëri", sqaron Beqiri.

Pa përvojë pune

Se sa e rëndësishme është përvoja evropiane për fakultetet e reja të infermierisë në vendet shqipfolëse, këtë e ka vënë re edhe Patrick Jahn, docent në Universitetin e Halles. Gjatë përvojës së tij pesëvjeçare me universitetet e Evropën Juglindore, ai ka pasur rastin t'i njohë përparësitë dhe mangësitë e tyre: "Në një drejtim Evropa Juglindore ka përparësi, sepse shumë universitete ofrojnë bachelor. Ata e kanë implementuar Bolonjën para nesh. Por kjo ka edhe një anë negative. Sepse niveli bachelor është atje shumë teorik dhe pothuajse nuk ka fare elemente praktikë", thotë Jahn për Deutsche Wellen.

Universiteti Halle-WittenbergFotografi: picture-alliance/ ZB

Ndryshe është në Gjermani. Këtu infermieria mësohet kryesisht në shkolla të larta profesionale dhe përfshin edhe praktika disa mujore nëpër spitale apo strehimore për të moshuarit. "Në Kosovë ne ofrojmë veç terapinë, ndërsa përkujdesjen infermierore e merr përsipër familjari i pacientit. Kurse në Gjermani bëhet edhe terapia por edhe përkujdesja infermierore nga stafi i klinikës", saktëson Fatmire Mustafa.

Me potencial në të ardhmen

Sektori i përkujdesjes infermierore pritet të jetë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në të ardhmen. Për këtë flet vetë zhvillimi demografik i Gjermanisë, që parashikon një rritje eksponenciale të popullsisë në moshë të vjetër. Qeveria gjermane ka kohë që po orientohet në këtë drejtim dhe me disa kushtëzime i njeh diplomat e vendeve jo-anëtare të Bashkimit Evropian. Për vende me popullsi të re dhe traditë emigrimi, si Kosova dhe Shqipëria, specializimi në këto fusha mund të zgjidhte një pjesë të problemit të papunësisë. "Ne jemi në tentim që programet arsimore në vendet gjegjëse në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri t'i ngremë në nivelin e duhur, në mënyrë që tregu i këtushëm të ofrojë edhe ofertën e punës për ta", thotë Beqiri.

Një mjek dhe infermiere pranë shtratit të një pacienti. Në Gjermani infermieria mësohet në shkolla të larta profesionaleFotografi: picture-alliance/dpa

Që ofertat e punës në këtë fushë të jenë të mjaftueshme, për këtë nevojitet edhe angazhimi i politikës. E për këtë është i vetëdijshëm edhe ambasadori i Kosovës në Berlin Vilson Mirdita, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e dhënies së masterëve. Për vendet jo anëtare të BE-së, nevojitet edhe një marrëveshje bilaterale për punësimin në këtë fushë. Aktualisht Gjermania e ka këtë vetëm me Kroacinë, por ajo mund të realizohej fare mirë edhe me Kosovën. Një përparësi e madhe është afria tradicionale mes dy vendeve dhe njohuritë e gjermanishtes.

Gjuha paraqet pengesë

Ndërsa për Kosovën gjuha paraqitet si përparësi, për Shqipërinë ajo përbën ende një pengesë, thotë Alida Ramaj, nga Universiteti i Vlorës. Edhe ajo e mori masterin në të njëjtën ditë me dy kolegët e saj nga Prishtina e ashtu si ata ka paraqitur tani tezën e doktoraturës në Halle Wittenberg. "Ka shumë që duan të vijnë, por i pengon gjuha. Nuk duan ta mësojnë se u duket e vështirë" - thotë ajo–jo pa keqardhje - për studentët e saj në Vlorë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi