1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diplomati gjerman – lamtumirë miqve të shumtë shqiptarë me ekspozitën e pikturës

Arben Muka19 Qershor 2006

Dietrich Schönfelder, atasheu i kulturës në ambasadën gjermane në Tirane, ka gjetur një mënyrë të vecantë që të përshëndetet më miqtë e shumtë shqiptarë, për përfundimin e misionit të tij diplomatik në Shqipëri. Gjatë fundjavës i ka mbledhur në ekspozitën e tij personale me pikturat më të mira të realizuara gjatë 4 vjetëve të qëndrimit në Shqipëri.

"Kam zgjedhur punimet më tipike që pasqyrojnë realitetin shqiptar. Janë mbresa nga vizitat që kam bërë në zona të ndryshme të vendit gjatë kësaj periudhe", tregon për DW-në Schönfelder, duke i treguar miqve të shumtë çdo telajo, çdo detaj nga krijimtaria e tij, që sigurisht lidhet me përshtypje nga kontaktet me njerëzit dhe natyrën e Shqipërisë.

Udhëtimi i tij nëpër viset shqiptare ka qenë dy herë i motivuar. Jo vetëm në detyrën e diplomatit, si përgjëgjës pëe marrëdhëniët kulturore mes dy vendeve, por dhe me kërshërine e ngacmimin e krijuesit. Eshtë e kotë të mbajë mend të gjitha stacionet e tij nëpër Shqipëri. Por i kanë mbetur në mendje dhe ndjehet i mahnitur nga bukuritë e rralla të Sarandës, nga Përmeti, ku ka dhe dy punime mjaft të ndjera, nga Korça, Shkodra, zona të thella veriore dhe verilindore etj., etj.

Shqipëria do të mbetet e pashlyeshme për diplomatin 62 vjeçar, pasi këtu ai guxoi dhe arriti suksesin me botimin e librit te tij të parë në prozë, një përmbledhje me tregime, titulluar "Rrëfimet e Helenes", një bashkëpunim me shtëpinë botuese të mirënjohur ONUFRI.

Botuesi Ferid Hudhri, vizitor i ekspozites se lamtumires se Schönfelder-it, kujton fillimet e bashkëpunimit me të, pranimin e ofertës per botimin e librit me tregime si dhe "disa prezantime te hapura që u bënë më pas me lexues te ndryshëm jo vetëm në Tiranë, por dhe në Laç, Lushnjë, Durrës etj. Nje vit me vonë ai më solli për botim dhe novelën ë dytë, titulluar ‘Ethe tropikale’.

Dietrich Schönfelder ka patur dhe ekspozita të tjera vetjake në Shqiperi, ndërkohë që më parë punimet e tij të pikturës i ka varur dhe ne atelie të Indisë e Finlandës.

Pas Tiranës ndalesa e tij e ardhshëme diplomatike e kulturore njëkohëshit do të jetë në Kabul të Afganistanit, ku siç thotë me humor "kam nisur të parapërgatitem që tani për befasi e sfida të tjera", të cilat do të shoqërohen sigurisht me ide dhe ngacmime të reja në "laboratorin" e tij krijues, pa lënë kështu asnjë çast në harresë edhe penën dhe penelin.