Disa të plagosur para Parlamentit britanik
14 Gusht 2018Një burrë sulmoi me një automjet një pengesë sigurie në kryeqytetin britanik Londër dhe plagosi disa vetë. Burrin e arrestuan nën dyshimin e terrorizmit. Këtë e bëri të ditur policia.Një numër i saktë të plagosurish për momentin nuk është raportuar. Por ndoshta asnjë nga të plagosurit nuk është në rrezik, u bë e ditur nga policia. Dy vetë janë dërguar ndërkohë në spital. Disa rrugë janë të bllokuara dhe një numër i madh policësh të armatosur ndodhen në vendin e ngjarjes. Helikopterë fluturojnë mbi Westminister Palace, kudo ndodhen automjete policore. Stacioni i metrosë Westminster u mbyll.
Kryeministrja britanike Theresa May tha se ndodhet me mendje pranë njerëzve që u plagosën jashtë Parlamentit.
Policia fillimisht nuk mund të thotë, nëse bëhet fjalë për një atentat, por ai po trajtohet si i tillë. "Po pëpiqemi që t'i mbledhim gurët e mozaikut", tha një zëdhënëse. Sipas mendimit të një dëshmitareje, drejtuesi i automjetit e sulmoi qëllimisht pengesën e sigurisë, sepse automjeti ecte me shumë shpejtësi. Dhe në automjet ajo nuk kishte mundur të konstatonte asnjë targë. Ndërkohë hetimet i ka nisur njësia britanike antiterror.
Godina e Parlamentit në Londër që prej një atentati në mars 2017 është e rrethuar nga një barrierë sigurie prej çeliku dhe betoni. Atëherë një atentator sulmoi nga Westminster Bridge një numër njerëzish, katër kalimtarë u vranë. Burri vrau me thikë edhe një polic, para se të vritej nga policia.