Disproporcion ndihmash dhe donacionesh
27 Qershor 2006Bilanci është pozitiv: Të ardhurat e degës së jashtme të Caritasit Gjerman, Caritas International, për vitin 2005 janë dyfishuar në krahasim me ato të vitit 2004. 106 milionë Euro donacione private dhe fonde qeveritare e kishtare vetëm për vitin 2005. Të ardhurat shënojnë rekord, e megjithatë ato nuk e kanë lehtësuar punën e organizatës katolike në disa rajone krize.
Peter Neher, presidenti i Caritasit gjerman jep një shembull: "Për viktimat e Cunamit na kanë ardhur 54 milionë Euro, për viktimat e stuhive në Amerikën Latine vetëm 194,000 Euro. Diferenca është jashtëzakonisht e madhe, por numri i viktimave dhe nevojat e tyre janë gati të njëjta." Ai kërkon nga qeveria që donacionet t'i drejtojë në ato rajone për të cilat mediat nuk tregojnë interes të madh, e ku dhurimet e privatëve janë të kufizuara.
Përveç përkujdesjes për viktimat e katastrofave natyrore dhe humanitare, Caritas International, që është një nëndegë e Caritasit Gjerman, po angazhohet gjithnjë e më shumë edhe në Evropën Lindore.
Drejtori i organizatës ndërkombëtare Martin Salm sqaron: "Kemi ndërtuar shumë stacione sociale. Kemi investuar në arsimin profesional të bashkëpuntorëve tanë në vend. Një fushë e re që duam ta intensifikojmë në të ardhmen përbëjnë përkujdesje për të rinjtë dhe viktimat e sidës."
Projektet e Caritasit gjerman në Shqipëri kapin shumën modeste prej rreth 100 mijë Euro dhe kanë të bëjnë kryesisht me përkujdesjen për fëmijë të varfër si dhe për familjet që janë pre e gjakmarrjes. Drejtori i sektorit përgjegjës për Evropën, Oliver Myler, i tha Dojçe Veles se Caritasi gjerman planifikon t'i zgjerojë ato në të ardhmen dhe të vërë më shumë fonde në dispozicion.
Rrjeti ndërkombëtar i Caritasit përfshin gjithsej 162 shoqata kombëtare. Caritasi shqiptar është antarësuar në të që prej vitit 1993, dhe bashkëpunon aktualisht më shumë me atë italian, spanjoll e francez në një sërë fushash, si përkujdesje mjekësore, asistencë për të paaftët si edhe reintegrimin e migrantëve.