1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë flijimi e sakrifice - Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

6 Nëntor 2011

Besimtarët myslimanë festojnë sot (6.11.2011) në mbarë botën Kurban Bajramin, i cili ndryshe njihet edhe si "Dita e sakrificës". Kjo festë po kremtohet edhe nga besimtarët myslimanë shqiptarë në Gjermani.

Pelegrinët në MekëFotografi: AP

Në ditën e nëntë të muajit të fundit të kalendarit islamik Zul-Hidxhe, që njihet ndryshe edhe si dita e Arafatit besimtarët myslimanë përfundojnë ritin e Haxhit. Një ditë më pas, në ditën e dhjetë të këtij muaji në botën islame zbatohet zakoni i flijimit duke sakrifikuar një kafshë.

Imami i xhamisë së Bohumit në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, Elmaz Bajrami sqaron se: "Është festë e sakrifikimit, sepse besimtari sakrifikon një pjesë të pasurisë së tij për hir të Allahut fuqiplotë, me prerjen e Kurbanit apo të kafshës që ka vendosur ta flijojë". Prerja e Kurbanit është një obligim për çdo mysliman e myslimane, që gëzon minimumin e nevojshëm me pasuri. Sipas hoxhë Elmazit: "Nëse një besimtar ose besimtare ka pasuri në para në vlerën e mbi 641,5 gram argjendi atëherë ai është i obliguar për të prerë kurban". "Me therjen e kurbanit myslimani përkujton traditën e Ibrahimit a.s., i cili ishte në gjendje ta therte edhe djalin e tij Ismailin duke e flijuar për Allahun, por Zoti e zëvendësoi me therjen e një dashi për kurban. Ne flijojmë kështu dhe sakrifikojmë nga pasuria jonë për hir të Allahut (xh.sh.) duke përkujtuar momentet e Ibrahimit a.s.," sqaron imami Emaz Bajrami.

Riti i kurbanit më shumë një festë familjare

Kurbanin, i cili flijohet për hir të Allahut duhet të jetë i shëndoshë, duhet t'i ketë të gjitha gjymtyrët e trupit dhe duhet të jetë pa të meta. Therja e kurbanit bëhet pas faljes së namazit (lutjes) të Bajramit. Therjet para namazit nuk llogariten kurban, sqaron hoxhë Elmazi duke shtuar se: "Kurbani ndahet në tri pjesë. Një e treta ndahet për të varfërit, një e treta ndahet për farefisin dhe të afërmit dhe një e treta ndalet për personin që ka prerë kurban."

Sa i përket normave fetare islame, kurbani është i njëjtë dhe i ka kushtet e njëjta gjithkund në botë. Ai është më shumë një festë familjare, gjatë të cilës besimtarët shkojnë dhe vizitojnë familjet, miqtë, shoqërinë, dhe shfaqin simbolin e dashurisë. Ditën e Kurban Bajramit besimtarët çohen në mëngjes herët, lahen, pastrohen dhe vishen me rroba të reja, marrim fëmijët dhe bashkarisht shkojnë në xhami për faljen e Namazit të Bajramit. Pas këtij detyrimi të gjithë kthehen në shtëpi e më vonë vizitojnë edhe të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami festohet sot edhe në Gjermani. Hoxhë Elmazi sqaron se: "Ne shqiptarët në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë kemi diçka të veçantë, që e bëjmë këtu e nuk bëhet në trojet tona, në Kosovë, Maqedoni apo Shqipëri: Përgatitemi ditën e dytë apo të tretë, varet prej kohës se çfarë dite i bie Bajrami, dhe shpërndajmë dhurata për fëmijë."

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama