Ditë historike në Irak - ndonëse me atentate, zgjedhjet parlamentare përfundojnë me një pjesëmarrje të gjerë
30 Janar 2005![](https://static.dw.com/image/1473492_800.webp)
Zgjedhjet parlamentare në Irak të vlerësuara nga një shumicë dominuese si historike, përfunduan të djelën pasdite me mbylljen e qendrave të votimit në orën 17, sipas orës lokale. Për herë të parë në jetën e tyre zgjedhësit irakianët mundën të japin votën, pa qenë nevoja që rezultati me 99% apo 100% të ishte i përcaktuara paraprakisht, si në kohën e "fyrerit Sadam Husein". Por sidoqoftë shumë politikanë irakianë, të cilët gjatë ditëve të fundit u kanë bërë thirrje të vazhdueshme zgjedhësve të marrin pjesë në votime, e kanë të qartë, se edhe pas këtyre votimeve kaq të rëndësishme nuk do të ketë një qeveri tranzicioni që të konsiderohet vërtetë si përfaqësuese. Një pjesë e popullsisë nuk do të jetë e përfaqësuar, për shkak të pjesëmarrjes jashtëzakonisht e ulët në rajonet e sunitëve. Në këto rajone zgjedhësit nuk votuan duke i bojkotuar zgjedhjet nën pushtimin e huaj, por edhe nga frika e aksioneve hakmarrëse të mëvonshme prej kundërshtarëve të këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse nën hijen e terrorit me disa sulme e atentate kamikace, që vetëm në Bagdat i kushtuan jetën rreth 20 vetëve, ecuria e zgjedhjeve ishte sipas planit dhe me një pjesëmarrje të gjerë. Sulme ka pasur edhe periferitë e Bagdatit si edhe në qytetet Kirkur e Basra. Numri i viktimave gjithsej llogaritte në rreth 30 të vdekur. Një nga anëtarët e komisionit irakian të zgjedhjeve, Safut Sadqi deklaroi, se rezultati zyrtar i votimeve mund të shpallet pas dy ditësh: "Nuk ka asnjë shans që të mund të shpallen rezultatet në mbrëmjen pas votimeve apo edhe një ditë më pas. Ndoshta ne do të mund të japim në përqindje rezultatet e provincave, por jo më shumë se kaq. Pas dy ditësh do të mund t´i shpallim rezultatet zyrtarisht", nënvizoi Sadqi.
Këshilltari kryesor i OKB-së për zgjedhjet, Karlos Valenzuela, i cilësoi si inkurajuese njoftimet lidhur me ecurinë e votimeve. Në një intervistë për televizionin amerikan CNN, shprehimisht zoti Valenzuela tha: "Mendoj se komisioni i zgjedhjeve është mjaft optimist lidhur me rrjedhën e votimeve. Gjatë ditës ne kemi pasur njoftime inkurajuese, se në zona të ndryshme situata ka qenë mjaft e mirë. Ndonëse me vonesë një pjesë e mirë e zgjedhësve pasi mësuan se votimet po shkojnë mirë vendosën të dalin për të dhënë edhe ata votën e tyre", nënvizoi Këshilltari kryesor i OKB-së për zgjedhjet në Irak.
Ministrja e jashtme amerikane, Kondoliza Rajs, i quajti zgjedhjet në Irak si "një hap i madh përpara" drejt rrugës së demokracisë. Irakianët me pjesëmarrjen e gjerë në votime iu kundërvunë fushatës frikësuese të kryengritësve që synonin të pengonin votimet. Sipas Rajs, rrjedha e këtyre zgjedhjeve ishte shumë më e mirë nga ç´pritej: "Ajo që po dëgjojmë prej irakianëve është, se shumë prej tyre janë të kënaqur që zgjedhjet patën një ecuri më të mirë se ç´pritej", thakesoi Rajs.
Ministri i jashtëm i qeverisë irakiane të tranzicionit, Hoshiar Sebari, në një intervistë me televizionin Al-Arabija, i vlerësoi pozitivisht votimet e së djelës. Megjithatë ai u bëri thirrje bashkëatdhetarëve, që "sipas tij tashmë kanë kaluar një provë të fatit", që këtej e tutje të shohin përpara. Politikani kurd Sebari tërhoqi vëmendjen, se "tani nuk duhet të harrojmë që gjatë muajve të ardhshëm duhet të hartojmë kushtetutën dhe se dhjetorin e ardhshëm sërish do të kemi zgjedhje".
Madje edhe politikani sunit Adnan al-Padshashi, i cili përpara ardhjes së Sadam Huseinit në pushtet ka qenë ministër i punëve të jashtme, dhe që së fundi dështoi me përpjekjet e tij intensive për shtyrjen e votimeve të para pas ndëryhrjes së amerikanëve, u zgjati dorën e pajtimit të gjithë kundërshtarëve të këtyre zgjedhjeve. Ai deklaroi, "se u bëjmë thirrje të gjitha partive që i bojkotuan këto zgjedhje, që të marrin pjesë në asamblenë kombëtare dhe të involvohen në hartimin e kushtetutës".
Irakianët votuan të djelën për një parlament tranzicioni. Në këto zgjedhje kandiduan gjithsej 111 parti, aleanca zgjedhore dhe individë. Në 18 krahina u votua gjithashtu për ndarjen e mandateve parlamentare në asambletë rajonale, ndërsa kurdët në Veri votuan edhe për parlamentin e tyre.