1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ditë të vështira për kryeministrin polak, Donald Tusk

3 Qershor 2025

Pas fitores së konservatorit të djathtë Nawrocki në zgjedhjet presidenciale polake, kryeministri Tusk planifikon të kërkojë votëbesimin në parlament. A po lëkundet aleanca e tij trepartiake?

Kryeministri polak Donald Tusk ne podium
Kryeministri polak Donald TuskFotografi: BARTOSZ BANKA/AFP/Getty Images

Pas humbjes së kandidatit proevropian Nawrocki në zgjedhjet presidenciale polake,kryeministri Donald Tusk planifikon të kërkojë votëbesimin. "Testi i parë (për qeverinë time) do të jetë votëbesimi që së shpejti do ta kërkoj në Dhomën e Ulët", tha Tusku në një fjalim televiziv. Ai dëshiron të vazhdojë punën e qeverisë dhe shpreson të jetë në gjendje të bashkëpunojë me presidentin e ardhshëm, shtoi Tusk.

"Në përputhje me Kushtetutën dhe ndërgjegjen tonë, ne do të bashkëpunojmë me presidentin e ri sa herë që është e nevojshme dhe e mundur", tha Tusk. Megjithatë, theksoi ai: "Të gjithë do ta shohin se qeveria nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap prapa."

A po lëkundet aleanca trepartiake?

Fitorja e ngushtë e konservatorit Karol Nawrocki e ka dobësuar politikisht aleancën qeverisëse të Tuskut dhe lind pyetja nëse koalicioni i tij do të jetë në gjendje të mbijetojë deri në fund të mandatit në fund të vitit 2027.

Që nga fundi i vitit 2023, Tusk drejton një koalicion të qendrës së majtë prej tre partish. Projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij është të riparojë dëmin e shkaktuar në sundimin e ligjit nga reforma gjyqësore e zbatuar nga qeveria e partisë PiS, në pushtet nga viti 2015 deri në vitin 2023. Presidenti aktual Andrzej Duda, i cili vjen nga radhët e PiS, deri tani i ka bllokuar projektligjet përkatëse. Nawrocki pritet të vazhdojë në të njëjtën mënyrë, nëse jo më ashpër. Kjo mund ta përçajë koalicionin dhe të çlirojë forcat centrifugale.

Karol NawrockiFotografi: Jakub Porzycki/Anadolu/picture alliance

Gjatë fushatës zgjedhore, Nawrocki foli vazhdimisht në mënyrë kritike për BE. Vendi i tij nuk do të lejojë që sjellja e tij të diktohet nga Brukseli, deklaroi ai. Ai e paraqiti veten si mbrojtës të vlerave tradicionale polake dhe kërkoi të krijonte lidhje më të ngushta me konservatorët amerikanë, veçanërisht Presidentin Donald Trump. Si president, Nawrocki mund të parandalojë miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria pro Bashkimit Evropian e Tuskit.

Një President me fuqi vetoje

Në Poloni, kreu i shtetit nuk përfaqëson vetëm shtetin jashtë vendit. Presidenti ndikon gjithashtu në politikën e jashtme, emëron kreun e qeverisë dhe kabinetin, dhe, në rast lufte, është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura polake.

Mbi të gjitha, ai mund ta ndërlikojë jetën e qeverisë falë fuqisë së tij të vetos. Për të anashkaluar veton e presidentit, kërkohet një shumicë prej 60% e deputetëve, diçka që koalicionit të qendrës së majtë të Tusk-ut i mungon.

Lideri i PiS, Jaroslaw Kaczynski, e shpalli rezultatin e zgjedhjeve presidenciale "karton të kuq" për qeverinë e Tuskut. Sipas tij, qeveria duhet të japë dorëheqjen.

 

 

aud (dw/tgsch)

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW