1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri:Studentët sërish në rrugë, prosta në ditën e katërt

16 Tetor 2026

As këtë të premte, studentët nuk iu kthyen auditorëve. Orët e para të mëngjesit i gjetën një pjesë të tyre në rrugët e kryeqytetit dhe qyteteve të tjera të vendit, në ditën e katërt të protestave.

Protestues në rrugët e Tiranës
Protesta e studentëve në Shqipëri në ditën e katërtFotografi: Olsi Shehu/Anadolu/IMAGO

Studentët dhe gjimnazistët kanë një sërë kërkesash që lidhen me arsimin, kushtet sociale dhe të ardhmen e tyre pas diplomimit, por refuzojnë t'i negociojnë ato me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij. Ata kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, duke e vendosur dorëheqjen e tij në qendër të protestës.
Tirana, përplasje dhe 11 të lënduar

Institucionet publike përgjatë Rrugës së Durrësit, në qendër të Tiranës dhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit”, ku u përqendruan edhe përplasjet më të forta, vijojnë të qëndrojnë të mbyllura. Edhe bizneset morën masa për të shmangur dëmet e mundshme, ndërsa një pjesë e tyre ulën qepenat.

Në kryeqytet, qindra gurë u hodhën drejt forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protesta u shtri në disa pika, nga Ministria e Arsimit te Kryeministria dhe Kuvendi.

Flakët përfshinë derën e Ministrisë së Ekonomisë, ndërsa zjarre u ndezën edhe në rrugët e kryeqytetit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bilanci i përplasjeve ishte 11 të lënduar: 6 protestues, mes tyre 3 të mitur, 3 efektivë policie dhe 2 kalimtarë.

Protesta edhe në rrethe

Protesta nisi që në orët e para të mëngjesit në Lezhë dhe vijoi në Shkodër, Korçë, Durrës, Gjirokastër dhe Vlorë. Ndryshe nga një ditë më parë, policia tentoi të shpërndante menjëherë grupet e të rinjve të maskuar, për të mos i lejuar të grumbulloheshin. Megjithatë, në disa qytete nuk munguan tensionet, përplasjet me forcat e rendit, dëmtimet e pronës dhe shoqërimet e protestuesve. 

"Unë sot jam me mesin e dëmtuar dhe kam dhe krahun, por nuk ka problem, për liri bëhet protesta” - u shpreh për DW Albina, studente e vitit të tretë në Universitetin "Aleksandër Moisiu”

Protesta e studentëve vijon me kërkesën e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit.Fotografi: Olsi Shehu/Anadolu/IMAGO

Tubime pati edhe në Lushnjë, Elbasan dhe Pogradec.

Avokati i Popullit: Kushte të papranueshme në komisariate

Ndërkohë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ngriti shqetësime për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve, ndërhyrjet e policëve civilë pa shenja identifikuese dhe kushtet e mbajtjes së personave të shoqëruar e të arrestuar.

Sipas tij, gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria, në disa prej tyrë janë dokumentuar pretendime dhe shenja të dukshme dhune.

"Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat, ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja” - deklaroi Shabani.

Ai ngriti shqetësime edhe për trajtimin e të miturve, duke bërë të ditur se po verifikohen dëshmitë për rreth 12 të mitur që dyshohet se janë mbajtur të izoluar në mjediset e një ministrie.

Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve nisën më 13 tetor, pas disa muajsh tubimesh të lëvizjes "Revolucioni Flamingo”, e cila fillimisht kundërshtoi projektin turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, për ta zgjeruar më pas kundërshtimin ndaj qeverisë. Rikthimi i studentëve në rrugë risolli në vëmendje protestat e vitit 2018, kur mijëra të rinj kërkuan uljen e tarifave universitare dhe përmirësimin e kushteve të studimit.

 

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW