1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e zezë e Solingenit para 25 vjetësh

29 Maj 2018

Pesë vajza dhe gra turke humbën jetën më 29 Maj 1993, kur ekstremistët e djathtë i vunë zjarrin shtëpisë së tyre. Atmosfera kundër të huajve ishte në pikun e saj në Gjermani ato vite.

Deutschland Brandanschlag in Solingen
Fotografi: Imago/Tillmann Pressephotos

"Të huajt jashtë!" Kjo fjali dëgjohej shpesh në Gjermani në fillim të viteve 90-të. Shkaqet ishin të ndryshme. Në Lindjen gjermane, pas bashkimit dhe dështimit të ekonomisë me plan, miliona njerëz dolën të papunë. Ata ndjeheshin qytetarë të dorës së dytë. Në kërkim të një "armiku" ata gjetën të huajt. Megjithëse në lindjen gjermane atë kohë kishte shumë pak të huaj. Sulmet ndaj të huajve nuk ishin të rralla. Shpesh me pasojë vdekjen. Titujt botërorë i pushtoi në gusht 1992 zënia e shtëpive në qytetin Rostok, ku banonin kryesisht vietnamezë. Një grup esktremistësh nën duartrokitjen e sehirxhinjve i vuri zjarrin duke frikësuar banorët. Ishte thjesht fat që askush nuk u lëndua.

Nëntë muaj më vonë, në 29 Maj 1993 zjarri pushtoi Solingenin. Në flakët e vëna në një shtëpi ku banonin turq, humbën jetën 5 vajza dhe gra. Saime Genç me 4 vjeç ishte viktima më e vogël. Gürsün Ince me 27 vjeç më e madhja. Hatice Genç ishte vetëm 18 vjeç, Gülüstan Özturk 12, dhe Hylua Genç vetëm 9 vjeç. Tragjedia ishte pasojë e zjarrit të vënë nga ekstremistët e djathtë gjatë natës.

Tre ditë më parë Bundestagu kishte ashpërsuar ligjin për azilin

Akti i turpshëm i Solingenit u zhvillua tre ditë pasi Bundestagu gjerman ashpërsoi ligjin për azilin. Koalicioni konservator, CDU/CSU dhe liberalët, FDP me mbështetjen e socialdemokratëve në opozitë ndryshuan ligjin kushtetues. Në bazë të nenit 16 të kushtetuës në Gjermani deri në atë pikë ofrohej pa asnjë kufizim e drejtë azili. Politika me këtë ndryshim reagoi pas rritjes masive të numrit të azilkërkuesve nga vitet 80-të.

25 vjet pas Solingenit - Fotoja tregon arkivolët e pesë viktimave turke para shtëpisë së djegur në SolingenFotografi: dpa

Anetta Kahane: Atmosfera ishte e "helmuar"

Drejtuesja e Fondacionit Amadeo Antonio, Anetta Kahane sheh zhvillime paralele mes tragjedisë para 25 vjetësh dhe situatës së sotme në Gjermani- Çështja, se sa refugjatë mund të vijnë ende lidhet me pyetjen "a nuk kemi shumë të huaj në vend?". Kjo përzierje dhe fakti që të huajt dhe refugjatët shihen si trup i huaj "e ka helmuar shumë atmosferën." Kjo atmosferë helmuese i kushtoi jetën edhe Antonio Amadeos nga Angola pak javë pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990. Ai u godit për vdekje nga grupe ekstremistësh të djathtë me një shkop bejsbolli. Pesë nga autorët u dënuan me katër vite burg.

Por gjykatësit filluan të japin dënime më të ashpra pas tragjedisë së Solingenit. Autorët e identifikuar shpejt, 16 dhe 23 vjeç u dënuan për vrasje të pesëfishtë e 14 herë tentativë për vrasje me 10 deri në 15 vite burg. Avokati Rainer Brüsow tha atëherë se "Solingeni do të futet në librat e historisë së Gjermanisë së pas luftës si pika kulmore e armiqësisë ndaj të huajve."

 

Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore