Dita ndërkombëtare në kujtim të tregtisë me skllevër dhe zhdukjes së saj - Format e skllavërisë sot
23 Gusht 2007
Kanë kaluar disa ditë, qëkurse një lajm nga Mauritania tërhoqi vëmendjen: Parlamenti i këtij shteti afrikano-verior vendosi një zëri që të ndiqej penalisht ushtrimi i skllavërisë. Në rast shkeljeje ligji parashikon deri në dhjetë vjet heqje lirie. Faktikisht skllavëria është e ndaluar qysh nga viti 1981 në shtetin e shkretëtirës.
Pra përse një ligj?
Sipas vlerësimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut mendohet se rreth 600.000 zezakë afrikanë, punojnë si skllevër në shtëpitë e familjeve me orgjinë arabe. Edhe në Kinë zbulohen rregullisht raste të skllavërisë moderne. Në korrik një punëtor drejtues i një guroreje u dënua me vdekje. Ai kish rrahur për vdekje një punëtor me të meta mendore. Ky rast u bë i njohur edhe jashtë Kinës. Prej kësaj u zbulua se kryesisht nëpër gurore, punojnë në kushte të mjerueshme mijëra burra, por edhe shumë fëmijë, që më parë ishin regjistruar si të humbur.
Edhe në Amerikën e Jugut kapitulli i skllavërisë, që konsiderohet si mbyllur prej kohësh, është ende i hapur. S´kanë kaluar as dy muaj qëkurse policia gjatë një aksioni të madh çliroi 1.100 punëtorë në një plantacion të panxharit të sheqerit. Pronari i fermës, ku prej panxharit të sheqerit nxirrej karburant bio, kish përdorur një metodë të zakonshme për Brazilin. Ai u kishte shitur njerëzve pa të ardhura plaçka, aparatura pune, medikamente dhe ushqime me çmime të larta, derisa ata nuk ishin më në gjednje të paguanin. Që nga ky moment nis puna e detyruar për ta.
Tri shembuj nga tri kontinente dhe një dukuri: skllavëria vazhdon të jetë e përhapur. Kryesisht skllavëria si tregtimi dhe puna e fëmijëve si dhe rastet e shfrytëzimit dhe të dhunës vëzhgohen në mbarë botën. Dhuna dhe shfrytëzimi prek më shumë vajzat dhe gratë, që punojnë në Indonezi si shërbëtore nëpër shtëpi. Numri i tyre, sipas organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut është disa qindra mijra. Ester Hofman (Esther Hoffmann), eksperte për Indonezinë në sektorin gjerman të Amnesty International, i ka parë me sytë e vet kushtet e punës në Indonezi: "Ne kemi intervistuar shumë gra, që punonin mesatarisht deri në 70 orë në javë. Kjo do të thotë, se ka edhe nga ato që punojnë më pak, por ka edhe shumë të tjera që punojnë edhe më shumë. Shumica e tyre nuk ka asnjë ditë të lirë gjatë javës."
Gratë jetojnë brenda shtëpive ku shërbejnë në një mjedis pa të drejta. Punët e shtëpisë në Indonezi konsiderohen si punë jozyrtare, ndaj ato paguhen pak dhe nuk kanë as pushime dhe as orar të rregullt. Dhuna, madje edhe ajo seksuale prej pjestarëve meshkuj të familjës, janë mjaft të përhapura."
Kushte skllavërie pune dhe jetese ka edhe në Afrikë. Veçanërisht në Kongo gratë dhe vajzat kanë situatë të vështirë duke u përballur me dhunën dhe përdhunimet derisa ato i vrasin në mënyrë brutale. Vetëm në provincën Syd-Kivu qysh nga fillimi i vitit janë regjistruar mëse 5.000 raste të tilla.
Sa i përket punës së fëmijëve ka edhe ndërmarrje evropiane, që ndodhen nën vrojtimin e grupeve të të drejtave të njeriut. Pikërisht së fundi u zbulua një rast nga firma e njohur e modës "Esprit". Një bluzë për gra e shitur në seri është prodhuar prej fëmijëve në Indi në kushte jo humane. Revista gjermane "Der Stern" në qershor njoftoi, se numri i modelit S40762 është qëndisur në Nju Deli nga 11 vjeçari, që më parë ishte shitur si skllav prej prindërve të tij.