1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushata zgjedhore në Kosove me gjuhë nxitëse e urrejtjeje

27 Janar 2025

Fushata zgjedhore në Kosovë është në kulmin e saj. Organizatat joqeveritare konstatojnë gjuhë të urrejtjes dhe ndërhyrje nga jashtë.

Dy punonjëse të rrjetit të organizatave joqeveritare në konferencë shtypi. Pas tyre logoja e organizatës "Demokracia në veprim"
Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) prezanton raportin e monitorimit të fushatës zgjedhoreFotografi: Kosova Demokratic Institute

Dy javët e para të fushatës zgjedhore në Kosovë u përshkruan me një  aktivitet të shtuar, ndonëse shqetësues mbetet përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga shumë subjekte politike. Kështu konstatoi në një raport rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV), që po monitoron fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë që mbahen me 09.02.

Para nga Serbia në kohë fushate zgjedhore

Sipas DnV, një fakt tjetër shqetësues është një vendim i Qeverisë së Serbisë që hynë në fuqi më datën 01.02 për të shpërndarë të holla, nga 20 mijë dinarë apo rreth 170 euro për rreth 5 mijë qytetarë serbë të Kosovës që qeveria e Serbisë thotë se janë të papunë dhe ‘në vështirësi ekonomike'. Qeveria e Serbisë dhe lista Srpska që garon për zgjedhjet në Kosovë, thotë se këto të holla janë paga për punonjësit serb që mbeten pa punë pasi autoritetet e Prishtinës mbyllën institucionet e Serbisë që vepronin në Kosovë, siç ishin komunat paralele, Posta dhe zyra të tatimeve.

Organizata joqeveritare, Demokracia në veprim e interpreton vendimin e qeverisë së Serbisë për të shpërndarë të holla tek qytetarët serb të Kosovës si ndërhyrje të jashtme në proces zgjedhor. "Kjo përbën ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor të Kosovës dhe paraqet një përpjekje të hapur për të influencuar vullnetin qytetar të komunitetit serb, duke përdorur ndihmën financiare si mjet për të ndikuar në përcaktimin politik të votuesve”, thekson DnV.

Miting zgjedhor i listës SrpskaFotografi: Srpska political party press office

Trend i përdorimit të gjuhës së urrejtjes në fushatë

Rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoron fushatën zgjedhore ka konstatuar edhe një trend të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në fushatën zgjedhore. "Trendi i përdorimit të gjuhës dhe diskursit nxitës apo të urrejtjes në fushatë, ka vijuar edhe gjatë javës së dytë, pavarësisht gjobave të shqiptuara nga PZAP-ja pikërisht për raste të tilla. Deri më tani, në 62 aktivitete apo rreth 20% e numrit të përgjithshëm të aktiviteteve të monitoruara nga DnV-ja, janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës nxitëse apo të urrejtjes mes partive dhe kandidatëve të tyre”, thotë DnV.

Sipas DnV, në raport prin "me numrin e aktiviteteve të mbajtura, Lëvizja Vetëvendosje në rreth 25% e aktiviteteve, nga të cilat ka pasur përdorim të gjuhës nxitëse apo së urrejtjes, kryesisht mbi baza politike. Më tej renditen me të njëjtin diskurs LDK me 20% të aktiviteteve, AAK më rreth 18% të aktiviteteve dhe PDK më rreth 11% të aktiviteteve”.

DnV ka monitoruar edhe portalet mediatike ku nga "monitorimi i 152 portaleve ka identifikuar gati 900 mijë komente te bëra në rrjete sociale, ku 6% e tyre përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe kjo pasqyron përdorimin e gjuhës së urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit”.

Miting zgjedhor i VetëvendosjesFotografi: VV press office

Gjoba për gjuhën e përdorur në fushatë

Paneli për Ankesa dhe Parashtres, PZAP ka shqyrtuar dhe vendosur në 45 raste që ndërlidhen me shkeljet e kodit të mirësjelljes gjatë fushatës. "PZAP ka shqiptuar 30 vendime me gjobë në vlerë prej 155 mijë e 500 euro gjobë, kryesisht për shkak të gjuhës së përdorur në fushatë, përdorimit të resurseve publike në kundërshtim me ligjin, si dhe vendosjes së materialit zgjedhor në hapësira publike në kundërshtim me ligjin. "Nga këto 30 vendime dënuese, subjekti politik PDK u dënua me 53 mijë e 500 euro gjoba, LDK me 45 mijë euro gjoba, AAK me 33 mijë e 500 euro gjoba, LVV me 18 mijë euro gjoba, Koalicioni për Familjen me 4 mijë e 500 euro gjoba, si dhe  subjekti politik PLE-Partia Liberale Egjiptiane që u dënua me 1000 euro gjobë”.

Njohësi i çështjeve politike analisti Blerim Burjani, thotë se "Fushata  dhe gjuha e urrejtjes që përdoret si mjet politik, është e ndaluar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, nenet 33,34, 35, që i referohet kodit të sjelljes së partive në fushata politike. Prandaj gjuha e nxitjes  e urrejtjes, dhunës dhe mosdurimit, sjellin rrezikshmëri të përgjithshme  dhe si të tilla cenojnë integritetin dhe dinjitetin njerëzor dhe nxisin dhunë të përgjithshme”.

Miting zgjedhor i partisë në opozitë PDKFotografi: PDK press office

DnV: Shqetësim për bojkotimin e medieve private

Një shqetësim tjetër që ka konstatuar DnV është edhe bojkotimi i disa medieve private nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, gjë që konsiderohet se shkon "kundër llogaridhënies dhe transparencës”. Shumë organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të heqë dorë nga bojkotimi i disa medieve të caktuara. Por sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, thotë se partia e tij nuk po bojkoton mediet, por ka marrë vendim që të "përjashtojë”, tre kanale specifike dhe një vendim i tillë, sipas tij, "nuk cenon peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Sipas të dhënave të organizatës Demokracia në Veprim, në dy javët e para të fushatës, LVV ka bojkotuar gjerësisht debatet televizive, duke u paraqitur në mënyrë selektive vetëm në pak debate. Në një letër që një rrjet i organizatave joqeveritare i dërguan me 10 janar kryeministrit Kurti dhe partisë së tij, përveç bojkotimit të disa medieve, u përmend edhe gjendja e lirisë së medies në Kosovë dhe sulmet ndaj gazetarëve.

Partia opozitare, LDK në fushatë zgjedore, drejtuesi i saj, Lumir Abdixhiku duke folur para përkrahësveFotografi: PDK press office

Gjatë vitit 2023, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës AGK ka regjistruar 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, ndërsa, në 2024, janë regjistruar 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. "Shumica e këtyre incidenteve përfshijnë sulme verbale nga anëtarët e partisë tuaj, të cilët i kanë cilësuar gazetarët si ‘spiunë serbë' apo kolaboracionistë dhe i kanë akuzuar ata se ndjekin interesat serbe”, u tha në letrën e hapur të OJQ-ve. Edhe organizata ndërkombëtare për lirinë e medieve Reporterët pa Kufij, tha se "më 2024, Kosova u rendit në vendin e 75-të, apo 19 vende më poshtë se vitin paraprak”.

Partia opozitare, AAK në fushatë zgjedhoreFotografi: Political party Alliance for the Future of Kosovo

Nuk ka pasur incidente

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit zyrtarisht do të vazhdojë deri me datën 07.02. Deri tani sipas organeve të sigurisë nuk është shënuar ndonjë incident. Pos policisë së Kosovës më shumë se 200 ushtarë italianë që iu shtuan KFOR-it dhe mbi 100 vëzhgues të BE-së,  do të jenë të pranishëm në Kosovë për të ndihmuar për një ambient të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqësuesit e tyre patën bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023, por, kësaj radhe lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe tashmë kjo parti është certifikuar në KQZ. Në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit garojnë njëzet e tetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues, prej të cilëve 105 mijë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës.