Do të anashkalohet KS për zgjidhjen e krizës në Siri?
31 Maj 2012Për zgjidhjen e krizës në Siri bashkësia ndërkombëtare duhet sipas SHBA-së të jetë e përgatitur për të vepruar edhe duke anashkaluar Këshillin e Sigurimit. Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice tha në Nju Jork se janë shtruar tre opcione të mundshme për zgjidhjen e krizës duke lënë të nënkuptojë edhe mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake.
Së pari: Presidenti i Sirisë Bashar al Asad të ndryshojë qëndrim dhe të pranojë planin ndërkombëtar të paqes. Së dyti: Këshilli i Sigurimit mund të ndërhyjë i detyruar për të pranuar një propozim. Së treti: Rasti më i keq, mund të jetë eskalimi i dhunës dhe përhapja e saj në vendet e tjera.
Qëndrimi europian për ndërhyrjen ushtarake në Siri
Atëherë shtetet duhen pyetur nëse ato janë të gatshme"për të vepruar jashtë autoritetit të Këshillit të Sigurimit". Presidenti francez François Hollande më parë në një intervistë nuk e kishte përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në Siri.
Ndërsa për ambasadorin gjerman në OKB, Peter Wittig një zgjerim i misionit të vëzhguesve në Siri është një mundësi për të reaguar ndaj masakrës në Hula. Një sulm ushtarak në Siri, sipas tij aktualisht është i përjashtuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit. „Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha mjetet për një zgjidhje politike.Vetëm në këtë mënyrë në do të arrijmë një zgjidhje paqësore. Militarizmi nuk është për ne opcion", theksoi Wittig në Nju Jork.
Qëndrimi rus
Lidhur me sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Sirisë, ambasadorja amerikane në OKB, Rice tha se gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit, u paraqitën pikëpamje të ndryshme, ku disa vende u shprehën me skepticizëm, ndërsa disa të tjera thanë se sanksionet duhet të ishin vënë në zbatim shumë kohë më parë. Rusia është mes atyre vendeve që i shikojnë me skepticizëm sanksionet. Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, u tha gazetarëve se sanksionet e njëanëshme janë në fuqi kundër Sirisë dhe se qëndrimi i vendit të tij ndaj sanksioneve të OKB-së vazhdon të jetë negativ.
Ndërkohë kryengritësit i vendosën regjimit sirian një ultimatum që të zbatojë planin e paqes brenda 48 orësh. Në të kundërt, ata do të ndjehen të detyruar të mos mbajnë më premtimet. Opozita i ka bërë thirrje qeverisë së Asadit që mediave dhe grupeve humanitare t'iu lejohet qasje e lirë në të gjitha rajonet. Po ashtu, ata kanë kërkuar lirimin e të gjithë protestuesve të burgosur, dhe fillimin e negociatave "serioze" përmes ndërmjetësuesve të OKB-së.
Autor:dpa/C.Sarre/Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi