100611 Italien Referendum
11 Qershor 2011Italia është një vend pa centrale bërthamore. Nëse do të mbetet kështu, e vendosin italianët të dielën (12.6.) dhe të hënën (13.6.) në një referndum. Me gjithë katastrofën bërthamore në Japoni kryeministri Silvio Berlusconi është i bindur fort, që "e ardhmja gjendet te energjia bërthamore". Berlusconi është i prekur drejtpërdrejt nga një referendum tjetër. Votohet për një ligj, i cili i bën atij të mundur t'u qëndrojë larg seancave të proceseve gjyqësore. Kësisoj ky referendum kthehet në një referendum edhe për kryeministrin italian. E paqartë është nëse nismëtarët do ta arrijnë kuorumin e nevojshëm prej 50 për qind të personave me të drejtë vote.
Sinjalet janë dërguar
Se sa shumë i ka trembur italianët katastrofa e Fukushimës, kjo mund të përjetohej para pak javësh në Sardenjë. Atje populli mund të votonte në një referendum për centralet bërthamore dhe për magazinimin përfundimtar të mbetjeve bërthamore. Përgjigjja ishte e qartë: 60 për qind e sardenjasve dolën në votime dhe 97 për qind e tyre nuk duan të kenë të bëjnë me energjinë bërthamore.
Votimi në Sardenjë ka karakter sinjali. Më shumë se kaq jo. Sepse në ishull nuk ka centrale bërthamore. Si në gjithë Italinë. Më 1987 (pas fatkeqësisë së Çernobilit) italianët vendosën me shumicë: Centrale bërthamore? Jo faleminderit. Por heqja dorë nga teknologjia e bëri vendin të varur prej importeve të energjisë: para së gjithash prej gazit nga Libia dhe Rusia. Dhe prej energjisë bërthamore nga Franca. Prandaj Silvio Berlusconi do shfrytëzimin e sërishëm të saj: "Jemi absolutisht të bindur, se energjia bërthamore është e ardhmja për gjithë botën."
Kështu u shpreh Berlusconi pas dhe me gjithë Fukushimën. Kjo për tmerrin e opozitës dhe të mbrojtësve të mjedisit. Partia e vogël "Italia e Vlerave" e ish-prokurorit Antonio di Pietro ndërmori nismën për referendumin kundër energjisë bërthamore. "Ne nuk kemi centrale bërthamore dhe pra do të ishte absurde sikur t'i ndërtonim tani, kur ka mundësi të tjera, të cilat janë më të sigurta për jetën tonë."
Votohet edhe për një ligj të rëndësishëm për Berlusconin
Që kundërshtarët e energjisë bërthamore do të fitojnë, për këtë nuk ka më kurrfarë dyshimi. Mosbesimi ndaj energjisë bërthamore është i rrënjosur thellë në Itali. Në asnjë temë tjetër nuk mund të shënojë pikë opozita më lehtë sesa këtu. Megjithatë, vendimtare do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje. Nëse votojnë të paktën 50 për qind e personave me të drejtë vote, referendumi është i vlefshëm. Për këtë arsye mbështetës të shquar si Adriano Celentano bëjnë prej javësh reklamë për vajtjen në zgjedhje:
"Tingëllon si zmadhim, por këtë herë është çështje për jetë a vdekje. Nuk mund të lejojnë në asnjë mënyrë, që kuorumi të mos arrihet. Pikërisht këtë pret qeveria jonë pa skrupuj."
Referendumi është edhe votim për qeverinë. Sepse për votim nuk qëndron vetëm e ardhmja e energjisë bërthamore. Shtetasit duhet të vendosin gjithashtu për një ligj, i cili u bën të mundur anëtarëve të qeverisë, t'u qëndrojnë larg seancave gjyqësore. Një ligj i rëndësishëm ky për të paditurin e shumëfishtë Silvio Berlusconi.