Do të përmbytet Ballkani me dizelët e vjetër gjermanë?
14 Tetor 2018Mikro qëndron në sheshin e një firme për makinat e përdorura „S-Auto" në Beograd, ai e di çfarë do: Një automjet dizel, me kosto të ulët riparimi dhe që shpenzon pak naftë. Debatin për dizelin në Gjermani ai e ndjek me shumë vëmendje."E kam dëgjuar këtë dhe kam pritur që të ulen çmimet tek ne, por kjo nuk ka ndodhur deri tani. Kam qenë i duruar, kam ndjekur me vëmendje zhvillimet pas vendimit të gjermanëve, dhe kam pritur që të kemi një fluks makinash këtu. Por nuk shoh që çmimet të kenë rënë." Që në verën e kaluar mediat serbe njoftaan se do të vijnë nga Gjermania rreth 300.000 automjete.
Por kjo nuk ka ndodhur, kujton Biljana nga firma S-Auto. „Automjetet tona vijnë nga Gjermania, Franca, Belgjika, Holanda, Zvicra. Ato blihen tek ankandet e caktuara, dhe rreth 20-30% e automjeteve tona vijnë nga tregu gjerman i automjeteve të përdorura. Kryesisht janë makina dizel me motor të vogël, dhe vit prodhimi 2005-2008. Ne i shesim të gjithë automobilët, nga euro 3 deri tek euro 5 e euro 6."
Euro 3, 4, 5, 6- është norma minimale e lejuar e gazrave ndotës. Në Serbi lejohen automjetet e normës euro 3, por që janë prodhuar nga viti 2000. Milosh Petroviq, presidenti i Shoqatës së Importuesve Serbë të Automjeteve thotë se „katastrofike është - e këtë e them qëllimisht - se automjetet e përdorura në masën 80% janë më të vjetra se 10 vjet, që në vitin 2017 janë importuar 153.000 automjete të përdorura në vend.
Në vitin 2016 ishin 120.000. Nëse shohim një periudhë prej 5 vitesh, atëherë në Serbi kanë ardhur rreth 600.000 automjete që Europa nuk i do më. Kjo është ajo që na dhemb ne si përfaqësues të produkteve moderne teknologjike - që Serbia - kjo është e shëmtuar, por e përshtatshme është kthyer në varrezë makinash."
Edhe në Rumani një pjesë e madhe e automjeteve të përdorura vijnë nga Gjermania, shumë më pak nga Italia apo Austria. Në vitin 2017 erdhën 300.000 automjete, 70% dizel. Roxana Dima, zëdhënëse e autoritetit të regjistrimit të automjevete në Bukuresht thotë se „nëse në Gjermani ndalen automjetet e normës Euro 4, kjo do të ketë ndikim në tregun rumun, sepse automjetet që i përgjigjen kësaj norme, përbëjnë një pjesë të madhe të makinave dizel në Rumani."
Vendet e BE-së si Gjermania që kërkojnë rregulla më të rrepta kontrolli të gazrave duhet të kujdesen që këto makina të largohen nga qarkullimi, me qëllim që të pengohet edhe eksporti i automjeteve të tilla në Europën Juglindore, thotë zëdhënësja Dima. „Duke pasur parasysh fuqinë e dobët blerëse, tregu rumun i makinave do të përmbytej nga automobilë që nuk i përkasin më standarteve gjermane, por që mbeten në qarkullim. Aq më shumë që në Rumani nuk ka ndonjë tatim të veçantë për automobilët e vjetër ndotës të mjedisit."
Edhe qeveria bullgare nuk e mbështet idenë që automjetet e vjetra që në BE nuk lejohen më për shkak të mosplotësimit të normave të gazrave ndotës të importohen në Bullgari. Ministri i Mjedisit, Neno Dimov propozon që këto automjete të pajisen me software ndihmues për emetim të pakët të gazrave, e pastaj të vijnë në Bullgari apo vendet fqinje. Rajoni nuk duhet të kthehet në „vendshkarkim për makina të vjetra" nga perëndimi.