1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

dok.guest - Ballkani në fokus të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Mynih

11 Maj 2011

Që festivali i 26-të ndërkombëtar të filmit dokumentar Dok.fest (4-11.5.2011) në Mynih është fokusuar te Ballkani, për këtë u bë shkas një shqiptare. Por në dok.guest Balkan nuk merr pjesë asnjë dokumentar shqiptar.

Pamje nga filmi serb "Fshat pa gra"Fotografi: Dok.Fest

Esmeralda Shkjau e ka emrin vajza e qeshur me flokë të gjatë që në tetor 2010 erdhi në Mynih me bursë të fondacionit Robert Bosch, e që u bë shkak që organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar t'i hidhnin sytë nga Ballkani. Kush do ta bënte këtë, nëse jo bavarezët? «Ne jemi gjeografikisht më afër me Ballkanit se rajone të tjera të Gjermanisë, për shembull Këlni a Hamburgu», thotë Daniel Sponsel, drejtori i festivalit, që po zhvillohet nga 4 deri më 11 Maj në kryeqytetin bavarez.

Esmeralda ShkjauFotografi: Christian Krinninger

Pak angazhim nga kineastët shqiptarë për t'u futur në festivalin e Mynihut

Për Esmeralda Shkjaun ardhja në Mynih ishte një shans i mirë për ta mbushur me jetë misionin për të cilin kishte ardhur: «Këmbimi kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë». Por për çudinë e saj, rezonanca ndaj ftesës që u bëri ajo dokumentaristëve shqiptarë ishte zhgënjyese: «Dërgova 300 E-maila në Shqipëri dhe në Kosovë e m'u përgjigjën vetëm tre! Telefonova lart e poshtë njerëzit që njihja dhe mezi arrita të mbledh ca filma», rrëfen ajo.

Disa filma gjithsesi arriti t'i mblidhte dhe t'ia tregonte Micol Krause-s, e cila u mor me përzgjedhjen e filmave ballkanikë: «Kishte edhe të mirë, por nuk ishin të përkthyer dhe nuk mund t'i shfaqnim në festival», thotë Krause, e cila nga 120 filma zgjodhi si përfundim vetëm shtatë më të mirët. «Filozofia jonë është të sjellim për një javë në Mynih filmat më të mirë, më të rëndësishëm dhe më të bukur të botës», thotë Sponsel.

Çoban serb kërkon nuse në Shqipëri

Është diçka habitëse kur dëgjon që mungojnë dokumentarë cilësorë nga Shqipëria e Kosova, sepse temat në këto vende në fakt duket sikur gjenden rrugëve. Këtë e dëshmon më së miri filmi i regjisorit të ri serb, Srgjan Sharenac, njëri nga gjashtë filmat ballkanikë të përzgjedhur në serialin Dok.Guest. Në filimin e tij «Fshat pa gra» ai rrëfen historinë e një çobani serb që përpiqet me çdo kusht të gjejë një grua nga Shkodra: Filmi flet nga njëra anë për vetminë, si pasojë e shpopullimit të fshatrave gjatë tranzicionit, si dhe për agjencitë për martesat serbo-shqiptare që në fakt synojnë veçse t'i peshkojnë malësorët serbë që të vijnë si turistë në Shqipëri. Një realitet i trishtuar, por i treguar me humor.

Dok.Fest 2011 Poster

Sa më i trishtuar realiteti i sotëm i shoqërive postkomuniste, aq më nostalgjik është vështrimi ndaj së kaluarës. Kjo del në pah në filmin e Mila Traljiçit «Cinema Komunista» - një vështrim kinematografik mbi ish-Jugosllavinë, por edhe në filmin «Butoni i bardhë» i Igor Jovanoskit. Një portret për ish-grupin e Goran Bregoviçit, Bijelo Dugme. Muzikës i kushtohet edhe «Rënia pa tingull e gravitacionit» (Sasha Oreskoviç) për një muzikant perkusionist, i cili nxjerr tinguj nga lloj-lloj orendish të përditshme: shishe, teneqe, rrota biçikletash. Ndërsa «Vrap për jetë» (Mladen Matiçeviç) tregon se si tre maratonistë nga Etiopia përpiqen më kot të marrin shtetësinë serbe. «Tragovi» (Guillermo Carreras-Candi) hedh si përfundim një vështrim të trishtuar në pasojat e hidhura të luftës.

Bashkëprodhimi boshnjako-spanjoll flet për një vajzë nga Bosnja, e cila gjatë luftës ishte rrëmbyer si foshnjë nga ushtarët serbë dhe ishte dhënë për adoptim në një familje serbe. Në moshën 18-vjeçare ajo vihet në kërkim të familjes së saj të vërtetë.

Pamje nga filmi "20 vjet"Fotografi: Dok.Fest

Shqipëri e deziluzionuar?

Meqë për serinë e filmave ballkanikë nuk u gjetën dokumentarë të përshtatshëm bashkëkohës shqiptarë, menaxherja e kulturës Esmeralda Shkjau thirri në jetë projektin e saj «Entdecken» (Të zbulosh), i cili synon të zbulojë potencialet që mban të fshehur Shqipëria në këtë zhanër. Në projektin e financuar nga fondacioni Robert Bosch ajo ka ftuar pesë studentë nga Akademia e Arteve e Tiranës dhe një nga Marubi, dhe u ka dhënë mundësi atyre të prezantojnë punimet e tyre studentore në kuadër të dok.forum, një program ky, i cili këtë vit zhvillohet për herë të parë.

Tek filmat e tyre dominon tema e zhgënjimit për shkak të varfërisë, si te «Mizerio» e Spiro Lenës, që shoqëron romë duke dhuruar gjak, apo «Buka e Gurit» e Aldi Karajt, që thyen gurë dhe i shet në rrugë. Letargjia e tranzicionit të pafund dominon në filmin e Julian Canametit (Në pritje) që tregon banorët e një pallati në Tiranë, ashtu sikurse në filmin e studentit të «Marubit» Borin Lekaj (20 vjet), ku jepet një pamje e qytetit juglindor të Shqipërisë, Korçës, parë nga perspektiva e të rinjve: Një vështrim i zhveshur nga iluzionet. Një fije shprese nga kjo pjesëmarrje mbetet vetëm për dokumentaristët e ardhshëm. Falë projektit të Esmeralda Shkjaut ata mund të prezantojnë aty idetë e që kanë për të ardhmen, dhe ajo më e mira, shpërblehet me 3000 Euro.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi