210211 Stammheim Fotodokumentation
23 Shkurt 2011
Krahu i burgut, që është i lidhur me ngjarjet e viteve 70, do të shkatërrohet pas disa vjetësh. Me kamera fotografi Andreas Magdanz do ta shpëtojë këtë vend nga harresa para se ai të zhduket.
Burgu i Shtamhajmit: Ndërtesa 1, kati 7 është sot pavioni për keqbërësit në moshë të re. Nga viti 1974-1977 këtu janë mbajtur të burgosur drejtuesit e FAR-it: Andreas Baader, Gudrun Ensslin, Ulrike Meinhof, Jan-Carl-Raspe. Të akuzuar për katër vrasje, për disa tentativa për vrasje dhe disa sulme me bomba.
Gardiani i burgut, Andreas Magdanz dhe unë hyjmë në një korridor të gjerë me dysheme linoleumi në ngjyrë kafe. Majtas dhe djtathtas ndodhen qelitë pas dyerve të rënda, të lyera me ngjyrë portokalli me shumë dryna. Korridori përfundon me një bllok qelqi, që pengon pamjen përjashta. Bie era myk.
Shoqërusie thotë: "Këtu kemi të famshmen 719, ku ishte vendosur për një kohë të shkurtër zoti Baader."
Qelia më impresionuese - Orenditë të njëjtat si para 30 vjetësh
Magdanz: "Pikërisht në këtë qeli ka vdekur Baader e gjithashtu edhe Ulrike Meinhof. Për mua kjo është qelia më impresionuese, vendi më impresionues. Këtu kam qëndruar për herë të parë para dy javësh e gjysmë dhe kam parë këto tri karrige dhe këtë tavolinë, ato japin një atmosferë shumë impresionuese. Ato ndodhen këtu që prej 30 vjetësh, brezi i dytë dhe i tretë i RAF-it është ulur në këto orendi, Andreas Baader jo. Akoma ka detaje nga ajo kohë si instalimet, prizat dhe ngrohja. Këtu brenda ndodhej dikur vetëm një shtrat, sepse këtu qëndronte vetëm një njeri."
Qelia 719 ka një sipërfaqe 21 metër katrorë, dysheme linoleumi me ngjyrë të çelur, dy dritare. Një lavaman, pas një muri gjysmë të lartë një tualet. Sot në qeli zenë vend katër persona. Në qelinë 719 ka varur veten më 9 maj 1976 Ulrike Meinhof. Mëngjesin e 18 tetorit 1977 Andreas Baader u gjet po këtu i vdekur. I vrarë me një armë të futur në burg kontrabandisht. Edhe Gudrun Ensslin dhe Jan-Carl Raspe vranë veten në këtë të ashtuquajtur "natë e Stamhajmit". Një natë, që shtron deri sot pyetjen, se në ç'mënyrë mundën të ndodhin vetëvrasjet, pa u vënë re nga drejtësia.
Çmitizimi i Shtamhajmit mjaft i vështirë
Magdanz: "Nga njëra anë kam hyrë këtu duke menduar se ndoshta do të arrij ta çmitizoj Shtamhajmin. Por më në fund, kur u ndodha lart në qelinë 719, e kuptova se këtë nuk do ta arrija dot kurrë. Se kjo është e pamundur përderisa të ekzistojnë rrethanat e shumta deri sot të pazbuluara të natës së Shtamhajmit. Këtë nuk mund ta bëjë dot fotografia. Por unë mund të jap një kontribut që njerëzit ta kuptojnë ndërtesën dhe ta kuptojnë gjendjen jashtë mase neurotike të viteve 70-të, që përfaqëson kjo ndërtesë."
Andreas Magdanz merret prej muajsh me Shtamhajm dhe me RAF-in. Ai ka studiuar libra, dosje dhe filma të tërë, është përgatitur mbi bazën e planit të ndërtesës dhe ka punuar me ngadalë me kamera nga bodrumi deri në katin e shtatë. Ai do të publikojë një libër me fotografi, të financuar nga ai vetë. Stamhajm nuk është projekti i parë, që e çon fotografin me banim në Ahen në një vend të historisë gjermane. Ai ka fotografuar Camp Vogelsang, qendrën e dikurshme naziste dhe më vonë arealin e shfrytëzuar për qëllime ushtarake në Eifel. Qendrën e BND-së në Pulah, bunkerin qeveritar "Marienthal" dhe kampin e përqëndrimit Auschwitz-Birkenau.
Magdanz do ta shpëtojë Shtamhajmin nga harresa vizuale
Sot ai bën fotografi nga mesi i koridorit të katit të shtatë. Atje, ku dikur ka qenë kabina e vrojtimit, ai sot vendos kamerën me stativin.
Magdanz: "Kjo që shohim para nesh, është me të vërtetë dhoma, që është shfrytëzuar nga RAF-i, kështu siç qëndrojnë dyert tani të hapura, ka qenë edhe para 33 vjetësh, në qelinë 716 ishte Raspe, në 718 ishte fillimisht Ensslin, në 719 fillimisht ishte Meinhof, më pas erdhi edhe Baader. Pas vdekjes së Meinhof-it ai u vendos në 719 dhe Ensslin në 720."
Andreas Magdanz është gjithsej katër muaj në Shtamhajm. Ai dokumenton ndërtesën me përpikmëri nga brenda dhe jashtë, për ta shpëtuar këtë vend nga harresa vizuale. Sepse ndërtesa 1 nuk i plotëson më standardet e sotme të qëndrimit në burg. Dhe në qoftë se ajo prishet, nga kjo skenë e historisë gjermane mbeten vetëm fotografitë.
Autor: Claudia Dichter / Ina Verbica
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora