Dora e fortë e Malit të Zi kalon në hije
27 Tetor 2016Në një vend tjetër, ky lajm nuk do të kishte një përmbajtje kaq shpërthyese: kryetari i partisë më të fortë në vend, i cili është njëkohësisht kryeministër, nuk dëshiron që pas fitores së ngushtë të ngarkohet me formimin e qeverisë. Por në Mal të Zi ky lajm shkaktoi habi. Pas 27 vjetësh- herë si funksionar i partisë komuniste, herë si kryeministër e herë si President - Milo Gjukanoviçi nuk do t'i drejtojë më fatet e vendit të vogël ballkanik dhe të 625.000 qytetarëve të tij.
Fare e re kjo nuk është. Dy herë ai është tërhequr zyrtarisht nga politika. Për herë të parë kjo ishte në tetor 2006. Që në shkurt 2008 ai ishte sërish kryeministër. E njëjta pamje në vitin 2010: Gjukanoviçi dha dorëheqjen, për "të hapur vendin për breza më të rinj", siç tha atëherë. Por këtë vend ai e mori sërish në vitin 2012, kur u bë kryeministër.
Pazari për pushtetin
Pas zgjedhjeve më të fundit parlamentare, që në Mal të Zi u mbajtën në mes të tetorit, në vend u krijua një situatë pat. Gjukanoviçi është më i diskutueshëm se kurrë, megjithëse Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) fitoi shumicën e mandateve. Por me 36 nga 81 mandate, DPS është larg shumicës absolute. Tri grupime opozitare dhe një parti që më parë ishte besnike ndaj qeverisë, por që i ndërroi krahët para zgjedhjeve, mbledhin së bashku 39 mandate.
Vendimtarë në këtë konstelacion pushteti janë partitë e minoriteteve të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve, të cilat në të kaluarën janë konsideruar partnerë "të natyrshëm"të Gjukanoviçit. Këtyre u shtohen edhe dy mandate të një "partie të bllokut" DPS. Me gjithsej gjashtë mandate, këto vota deputetësh arrijnë një shumicë të ngushtë prej 42 mandatesh. Kjo shumicë qeveritare është tepër e brishtë dhe opozita punon me zell për ta minuar: ajo u ofron përfaqësuesve të minoriteteve edhe postin e kryeministrit, vetëm të shpëtojë nga Gjukanoviçi.
Kjo do të thotë se çmimi politik për besnikërinë e partive të vogla është rritur. Ndoshta ky ishte edhe një shkak për Gjukanoviçin për t'ia lënë vendin ushtarit besnik të partisë, Dusko Markovic. Ish-ministri dhe shefi i Shërbimit të Fshehtë konsiderohet besnik dhe që nuk bie shumë në sy.
Por megjithatë Gjukanoviçi do ta mbajë postin e kryetarit të partisë. Të gjithë ata që e njohin mënyrën si funksionon pushteti atje e dinë se Gjukanoviçi do të vazhdojë të qeverisë që nga hija. Partitë në pushtet janë në ish-Jugosllavi shoqatat më të rëndësishme të interesit.
Sundimtar nga prapavija
Në politikën e jashtme, Gjukanoviçi është garant për lidhjen me NATO-n dhe për afrimin me BE të shtetit të vogël ballkanik. Në fushën gjeopolitike të shahut, shteti xhuxh midis vargmaleve të padepërtueshme dhe Adriatikut shijon shtimin e vëmendjes. Shkaku është rivaliteti i ri midis Rusisë dhe Perëndimit. Prandaj Gjukanoviçi mendon se mund t'i lejojë vetes shumë më tepër në stilin e tij herë pas here të vetëkënaqur të qeverisjes, se sa durojnë zakonisht demokracitë perëndimore. Për aq kohë sa pjesë të opozitës tregojnë dashurinë tradicionale për Rusinë, Gjukanoviçi duket si "politikan properëndimor".
Pasuria e tij përrallore, sundimi princëror i klanit të tij dhe marrja e frymës medieve prej tij bezdisin në politikën e brendshme madje edhe mbështetësit e tij. Nuk është se ndaj tij nuk ka alternativa të tjera në vend. Megjithatë ai do të përfaqësojë edhe më tej në vitet e ardhshme bërthamën e vërtetë të pushtetit në Mal të Zi. Kjo në një kohë kur thuajse nuk ka rëndësi, nëse ai do të kandidojë sërish për president në vitin 2018. Edhe nëse në Mal të Zi në të ardhmen në pushtet do të jetë njëfarë Dusko Markovici, ai, si gjithë të tjerët, nuk do ta anashkalojë Milon - siç e quajnë atë miqtë dhe armiqtë.