1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Doris Pack: Në një demokraci funksionuese, pakënaqësitë dhe diferencat nuk zgjidhen me dhunë

Sonila Harasani11 Korrik 2006

Eurodeputetja kristian-demokrate Doris Pack, në intervistë ekskluzive për programin shqip të DW-s, lidhur me zgjedhjet parlamentare ne Maqedoni. Këshilla e saj ndaj palës shqiptare dhe maqedonase: Diferencat zgjidhen me fjalë e përpilime korrekte ligjesh

Doris Pack
Doris PackFotografi: dpa

DW: Zonja Pack, a jeni e kënaqur me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni?


Pack: Po, jam shumë e kënaqur me zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni. Pas incidenteve që ndodhën mes shqiptarëve gjatë zhvillimit të fushatave elektorale, ne druheshim se ato do të vazhdonin edhe gjatë vetë zgjedhjeve. Por fatmirësisht nuk ndodhi kështu. Kjo ishte një gjë shumë e mirë dhe unë shpresoj se ky është një sinjal se në të ardhmen do të zotërojë më shumë rregull edhe në marrëdhëniet mes shqiptarëve.


DW: Por, incindentet që ndodhën gjatë fushatës elektorale ishin shqetësuese. Si i shpjegoni ju ato?

Pack: Fushata elektorale është diçka tjetër nga vetë zgjedhjet. Fushata elektorale u përdor nga grupet rivalizuese shqiptare, për të krijuar trazira. Mendoj se edhe politikanët e partive shqiptare duhet ta kenë kuptuar tani se kjo mënyrë nuk e mbështet ndërtimin e demokracisë. Prandaj shpresoj se këto trazira janë tani pjesë e të kaluarës.


DW: Por edhe gjatë zgjedhjeve pati incidente të vogla. Këtë informacion e konfirmoi edhe OSBE-ja në raportin e saj. A mendoni se në Maqedoni potenciali për dhunë është aq i fortë, sa situata mund të eskalojë sërish?


Pack: Nuk e di. Unë mund t´u jap si këshillë si shqiptarëve ashtu edhe maqedonasve me rrënjë sllave, që të mos shkaktojnë më trazira. Në një demokraci funksionuese, pakënaqësitë dhe diferencat nuk zgjidhen në këtë mënyrë. Ato zhvillohen me fjalë, me përpilime korrekte ligjesh dhe me pjesëmarrje në debatet që zhvillohen në parlament. Unë shpresoj që ky fakt të jetë ndërkohë i qartë në kokat e njerëzve, përndryshe Maqedonisë do t´i duhet shumë më tepër kohë që të ndjehet si një shtet i vërtetë evropian.


DW: Pjesëmarrja në zgjedhje ishte nën 60%, çka mund të interpretohet si një shuplakë për politikën në vend. A mendoni se populli maqedonas e ka humbur besimin tek politikanët?


Pack: Njerëzit janë të lodhur, sepse ata nuk shohin shumë përparime tek politikanët që kanë zgjedhur vetë. Tani ata i besojnë ish- opozitës. Unë uroj që qeveria e re të mos i zhgënjejë edhe njëherë njerëzit, që ta luftojë vërtet varfërinë, që ta nxisë zhvillimin ekonomik, gjë të cilën nuk mund ta bëjë dot vetëm, por edhe klima në vend është shumë e rëndësishme, për të joshur investuesit e huaj. Mendoj se maqedonasit janë të zhgënjyer nga politikanët e tyre sepse shumë gjëra nuk u zhvilluan ashtu siç e kishin përfytyruar ata. Kështu që mendoj se me pjesëmarrjen e dobët në këto zgjedhje, ata shprehën hapur këtë pakënaqësi. Por gjëra të tilla ndodhin edhe në shumë vende perëndimore.


DW: Ish kryetari i opozitës Nikola Gruevsi i fitoi tani zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. Por ai do të duhet të krijojë një koalicion qeveritar me partitë shqiptare. Maqedonasit e vlerësojnë Gruevskin si ekspert financash, ai ka qenë dikur edhe ministër i financave. Situata ekonomike në Maqedoni mbetet një ndër problemet më të vështira në vend. Si vlerësohet figura e re politike maqedonase Gruevski nga bashkësia ndërkombëtare?


Pack: Unë mund të them se e njoh personalisht Zotin Gruevski dhe e di se ai do të bëjë çdo përpjekje për ta forcuar Maqedoninë nga ana ekonomike dhe se do ta luftojë varfërinë në vend. Ai do ta ketë të vështirë, sepse ai nuk do të jetë vetëm. Kryeministri i një shteti nuk mund t´i zgjidhë vetëm të gjitha problemet. Ai ka nevojë për investues, firma të cilat krijojnë vende pune etj. Por të gjitha këto mund të bëhen vetëm në një shtet, në të cilin garantohet siguria për investuesit e huaj dhe situata ligjore dhe rrethanat juridike janë të tilla, që njerëzit mund të llogarisin me këto investime. Mendoj se Gruevski i di të gjitha këto dhe unë kam besim tek ai. Ai do të përpiqet t´i mbajë premtimet e bëra. A do t´ja arrijë mbanë, do ta shohim kur të ketë kaluar pak kohë. Ai ka nevojë për një aparat të rregullt brenda qeverisë së tij dhe mendoj se në Maqedoni, ashtu si edhe në vendet fqinje, ka mangësi të mëdha brenda qeverive përkatëse.

Pra tani duhet shumë kujdes për të rritur kompetencat dhe aftësitë e funksionarëve dhe bashkëpunëtorëve qeveritarë. Këto detyra duhet të zgjidhen jo vetëm nga Gruuvski por edhe nga ministrat e tij. Pra shpresoj se ai do të emërojë persona të aftë si anëtarë të kabinetit të tij qeveritar. Jam e bindur, se Greuvski do t´ja dalë mbanë, të tjerat do t´i dëshmojë koha.


DW: Incidentet mes shqiptarëve dhe maqedonasve mbeten nje faktor shqetësues në Maqedoni dhe një koalicion qeveritar, i cili bashkëpunon në mënyrë të frytshme me partitë shqiptare, mund ta ulte rrezikun e këtij faktori. Ju thatë, se e njihni personalisht Gruevskin. A mendoni se ky bashkëpunim do të jetë i lehtë apo i vështirë për kryeministrin e ri maqedonas?


Pack: Mendoj se edhe qeveria e mëparshme bashkëpunoi shumë mirë me partinë demokratike të Xhaferrit. Unë kujtohem fare mirë mbi fillimet e përpjekjeve të qeverisë maqedonase, që shqiptarët në vend të ndjehen sa më mirë. Dhe bashkëpunimi politik ishte vërtet i frytshëm. Na rast se nuk do të kishin ndodhur trazirat që u shkaktuan nga shqiptarët e Kosovës, qeveria maqedonase do të kish shënuar suksese edhe më të mëdha në sektorin e bashkëpunimit me shqiptarët. Ndërkohë kemi sigurisht Marrëveshjen e Ohrit, e cila u nënshkrua si shenjë e përfundimit të konfliktit, dhe jam e sigurtë se VMRO-DPMNA do të vazhdojë të punojë në këtë nivel. Kjo parti i krijoi kushtet për këtë bashkëpunim që përpara shumë vitesh. Unë nuk mendoj se një qeveri e re në Maqedoni, e cila do të bashkëqeverisë ndoshta me një parti tjetër shqiptare, do të ketë probleme në këtë aspekt.


DW: Ndërkohë që disa vende të tjera të rajonit përpiqen për pavarësi dhe kanë tendeca ndarjeje nga bashkësitë në të cilat ndodhen, Maqedonia përpiqet ta integrojë popullin në politikën e saj. Mendoni se shtetet e tjera të Ballkanit duhet ta marrin si shembull Maqedoninë dhe arritjet e saj?


Pack: Unë mendoj se nuk duhet t´i ngatërrojmë gjërat. Maqedonia nuk mund të krahasohet me Malin e Zi. Mali i Zi bëri atë që Maqedonia e ka bërë përpara 15 vitesh, pra arriti pavarësinë nëpërmjet një referendumi. Edhe Kosova nuk mund të krahasohet me Maqedoninë, sepse Kosova ka përjetuar një histori shumë më të hidhur me sistemin e apartedit të Milosheviçit. Pra në Kosovë është mëse e vetëkuptueshme, përse mbi 90% të popullsisë, nuk duan të qeverisen më nga Beogradi. Por situata në Maqedoni është krejt ndryshe.


DW: Maqedonia gëzon statusin e kandidates për anëtarësim në BE dhe ka përmbushur shumë më tepër kritere për anëtarësim se vendet e tjera fqinje. Sigurisht që këto vende nuk mund të krahasohen me njëri-tjetrin. Por, në rast se njëri nga 5 shtetet më të rëndësishme të të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor, do të anëtarësohet në BE, si qëndrojnë shanset e shteteve fqinje? Më parë thuhej se të gjitha këto 5 shtete do të anëtarësohen së bashku në BE?


Pack: Ne kemi thënë gjithmonë se çdo shtet vlerësohet sipas meriatve të veta. Ne nuk mund të ndikohemi nga një shtet që nuk përpiqet seriozisht për t´i përmbushur kritereret për anëtarësim në BE, duke ja mbyllur rrugën një tjetri, vetëm se ai është rastësisht një shtet fqinj. Le të marrim si shembull Kroacinë. Kroacia është më e përparuar se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe si e tillë, do të anëtarësohet e para në BE. Pikë! Dhe kështu do të veprojmë me secilin shtet. Edhe Serbia do të anëtarësohet menjëherë pasi t´i ketë përmbushur standartet e vëna. Dhe i njëjti proces do të ndiqet me çdo shtet tjetër. Pra ju siguroj se nuk do të ketë ndonjë aksion Big Bang, ku të gjitha 5 shtetet në fjalë, do të antarësohen së bashku. Kjo gjë nuk ka për të ndodhur.