Dosja Heß
11 Shtator 2013Ngjarja mund të jetë motiv për një film me James Bond: Një personi i telefonojnë për t'i ofruar një dosje, e cila mund t'i bëhet e vlefshme për disa "projekte". Ai mjafton të dalë diku një ditë më pas, aty do të gjejë dosjen. Dhe vërtet: Ky person gjen dosjen e një eksponenti nazist. Ngjarja ka ndodhur 20 vjet më parë. Brenda dosjes: protokolle, duplikate, letra të zëvendësit të Hitlerit, Rudolf Heß. Të gjitha dokumentet lidhen me kohën e burgut në Britaninë e Madhe. Ndër to edhe një projektmarrëveshje e paqes, të cilën Heß donte t'ia dorëzonte britanikëve në vitin 1941, pak para se Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik.
Kjo ngjarje si romanet e spiunazhit është e shkruar në faqen e "Alexander Historical Auctions" - Ankandi Historik Alexander. Synimi: rritja e interesit të blerësve, sepse ai person, i cili kuptohet, vazhdon të mbetet anonim, ia ka ofruar të martën ( 10.09) për shitje atë qendrës amerikane të ankandit. Çmimi: nga 500.000 deri 700.000 dollarë.
Jo një nazist i parëndësishëm
Kaq shumë para për një stivë me letra? Kur përmendet Rudolf Heß nuk përmendet një nazist çfarëdo, bëhet fjalë për njërin nga më të besuarit e Hitlerit, zyrtarisht zëvendësi i tij për një kohë të gjatë. Në mesin e luftës, në vitin 1941, Heß fluturon për në Skoci, me qëllim që pak para sulmit të Gjermanisë kundër Bashkimit Sovjetik të negociojë një paqe bilaterale me Britaninë e Madhe. Plani: Nazistët vinin Europën nën thundrën e tyre, britanikët mund të ruanin superfuqinë e tyre në pjesë të tjera të botës, nazistëve duhej t'u ktheheshin vetëm ish-kolonitë gjermane.
Britanikët nuk e pranuan këtë ofertë, një fakt që nuk të habit. Heß u arrestua, ai qëndroi në burgun britanik deri sa në vitin 1946 u dënua në procesin e Nurembergut me burgim të përjetshëm. Në vitin 1987 në moshën 93 vjeçare Heß vrau veten në burgun e kriminelëve të luftës, në Berlin-Spandau. Këto faktë dihen, por ende nuk është zbardhur mirë seroziteti i planit të paqes së Rudolf Heß, roli i tij si eksponent i regjimit të Hitlerit, nëse vetë Hitleri e njihte këtë plan paqeje. Gjatë luftës ai u konsiderua si i sëmurë psiqik. Mbi këtë diagnozë, Rudolf Heß ndërtoi edhe strategjinë e mbrojtjes në procesin e Nurembergut. Neonazistët e ngrenë atë lart si një hero të burgosur në Britaninë e Madhe.
Achim Baumgarten drejton në Arkivin Federal në Koblenc, referatin për koleksionet private dhe historike. "Historia nuk do të rishkruhet nga e para, por ndoshta ne njihemi me fakte të reja që na ndihmojnë të kuptojmë figurën e Rudolf Heß. Autoritetet gjermane kanë siguruar ndërkohë kopje të një pjese të dosjes.
Me sa duket nuk ka qenë vjedhje
"Tepër e ekzagjeruar" - kështu e cilëson Baumgarten shumën që ofrohet në ankand për dosjen e Heß. Ai e sheh të mundshme që dokumentet mbajnë mbishkrimin e Rufolf Heß. "Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë se dosja është e falsifikuar".
Para një viti qendra e ankandit, Beck Militaria kishte kërkuar nga eksperti Baumgarten që të provonte vërtetësinë e origjinalit. Në Arkivin Federal ka një sërë dokumentash të Rudolf Heß. "Ajo që më ra në sy menjëherë ishte vula britanike 'most sekret' - tepër sekret", tregon Achim Baumgarten, duke supozuar se ka gjasa që dokumentet të jenë vjedhur nga Arkivi Nacional Britanik. Por Qendra e ankandit e mohoi një gjë të tillë.
Sipas Baumgarten, Heß ka përpiluar duplikate në burgun britanik, letra drejtuar mbretit britanik, planin e paqes - dokumentet të cilat tani dalin në ankand. Me gjasë të nxjerra jashtë ilegalisht nga personeli i burgut. Por të gjitha janë supozime. Dokumentet origjinale, të cilat Heß ia ka dorëzuar autoriteteve britanike, ndodhen të kyçura në Britaninë e Madhe. Deri së paku në vitin 2018 ato nuk do të bëhen publike.
Fallsifikime apo origjinale?
Baumgarten ka krahasuar shkrimin e dokumenteve që i janë dhënë si kopje me letra të Heß-it që ndodhen në Arkivin Federal. Shkrimi ishte shumë i drejtë, pikërisht si ai i zëvendësit të Hitlerit. "Gërma të caktuara, pjesa e poshtme e shkrimit, çdo gjë në tipometri ishte e njëjtë." Vula me të cilën ishin mbyllur dokumentat përmbante një monogram me inicialet RH. Por kjo nuk e provon përfundimisht se dokumentet janë origjinale. "Për këtë Zyra e Kriminalistëts mori prova të letrës dhe bojës. Por origjinalët nuk i kam parë asnjëherë", thotë Baumgarten.
Në Gjermani ka pasur njëherë një skandal të madh me fallsifikimet. "Memuaret" që bleu revista e njohur "Stern" në vitin 1983, që fillimisht konsideroheshin si ditaret e Hitlerit, dolën si fallsifikim duke shkaktuar kështu edhe një nga skandalet më të mëdha në Republiken Federale Gjermane. E megjithatë Arkivi Federal do t'i kishte blerë dokumentat, "por jo për këtë çmim", thotë Baumgarten.
Arkivi nuk i fiton dot ankandet. Baumgarten thotë se "dalim duarbosh nga ankandet, sidomos kur bëhet fjalë për eksponentë nazistë". Në Amerikë thotë ai, dokumente të caktuara kapin çmime që janë gati të pamundura për Arkivin Federal.